Insajderi
Hulumtime/Analiza

Dokument fals, mashtrim dhe përdorim i Gjykatës Supreme për ta marrë nën kontroll tokën milionëshe në Prishtinë – si funksiononte grupi me Ylber Hysenin dhe çiftin Gashi

Insajderi
26 December 2025 - 13:20
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dokument fals, mashtrim dhe përdorim i Gjykatës Supreme për ta marrë nën kontroll tokën milionëshe në Prishtinë – si funksiononte grupi me Ylber Hysenin dhe çiftin Gashi
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Nga një “reshenje” e rreme e vitit 1961, te noteria, Kadastra dhe Gjykata Supreme – aktakuza zbërthen skemën e ndërtuar mbi dokumente të falsifikuara dhe deklarime të rreme, të udhëhequr nga Ylber Hyseni në bashkëpunim me Afrim Gashin dhe bashkëshorten e tij Milihate Gashi, për tjetërsimin e mbi 9 hektarëve tokë në Prishtinë. Dosja përshkruan një zinxhir veprimesh që çoi në dëme mbi 3 milionë euro, dhjetëra viktima dhe përfshirjen e një rrjeti të ndërlikuar bashkëpunëtorësh brenda dhe jashtë institucioneve. Insajderi sjell detajet e aktakuzës

Visar Duriqi

Gjithçka nisi me krijimin e një dokumenti të rremë të quajtur “Reshenje broj 461/61”. Ky dokument pretendonte se nëna e Ylber Hysenit, Zojë Hyseni, ishte pronare e 9.76 hektarëve në Veternik që nga viti 1961. Ky nuk ishte thjesht një falsifikim i zakonshëm, por një “artefakt” i krijuar me mjeshtëri kriminale për të rishkruar historinë pronësore të një zone që sot vlen miliona euro në Kryeqytetin e Republikës së Kosovës. Tashmë ka edhe komplekse banesore në të.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokurori i Departamentit të Përgjitshëm në Prokurorinë Themeloe në Prishtinë, Kushtrim Zeka, grupi i udhëhequr nga Ylber Hyseni që tash e disa vite është në arrati, dhe i mbështetur operacionalisht nga Afrim Gashi- tregtar tokash, në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Milihate Gashi, arriti të tjetërsonte pronën publike dhe private përmes një zinxhiri mashtrimesh që përfshiu Noterinë, Kadastrin dhe deri te Gjykata Supreme e Kosovës.

Shtylla e parë e këtij krimi, sipas dosjes së Prokurorisë që e ka siguruar Gazeta Insajderi, është dokumenti i vitit 1961, i cili shërbeu si “titull” për të kërkuar mbi 9 hektarë tokë. Prokuroria ka bërë një punë voluminoze për të vërtetuar se ky dokument është pjellë e imagjinatës kriminale, dhe jo dokument reale prone. Aktakuza specifikon anomalitë që falsifikatorët lanë pas:

“Në dokumentin e falsifikuar, data 18.11.1961 rezulton të ketë qenë ditë e shtunë, ndërsa shqyrtimi i datës 19 shtator 1965 rezulton të jetë mbajtur ditën e diel… fakte këto që tregojnë për fabrikimin e dokumenteve sepse gjykatat nuk punonin në fundjavë”,, thuhet në aktakuzë.

Ekspertiza grafologjike e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë (AKF) në raportin e saj nr. 2022-0453 konstaton se nënshkrimet e pretenduara të zyrtarëve të vitit 1961 “nuk përkojnë me karakteristikat e shkrimit të tyre origjinal”.

“Ato janë imitime të dobëta që nuk zotërojnë rrjedhshmërinë dhe presionin e lapsit të nënshkrimeve autentike”, thuhet në konstatimin shkencor të AKF.

Pasi mori pronësinë përmes lajthimit të Gjykatës Supreme (Aktgjykimi Rev.nr.254/2018), Ylber Hysenit i duhej të ishte trashëgimtari i vetëm që të mund ta parcelizonte tokën pa pëlqimin e askujt tjetër. Më datë 12.02.2020, ai u paraqit te noteri Sefadin Blakaj ku akuzohet nga Prokuroria se kreu aktin e dytë të mashtrimit.

Aktgjykimi Rev.nr.254/2018 ishte marrë nga gjyqtarët Teuta Ibrahimi, Behxhet Muqiqi e Witold Jakimko.

Ylber Hyseni deklaroi rrejshëm te noteri se ishte fëmija i vetëm, duke fshehur katër vëllezërit dhe motrat e tij: Hysen, Ilmi, Hajrije dhe Sanije Hyseni.

Afrim dhe Milihat Gashi dhanë deklarime të rreme nën betim, duke pohuar se Ylberi nuk kishte trashëgimtarë të tjerë, ndonëse e dinin të vërtetën.

Në një përgjigje dhënë Gazetës Insajderi, noteri Blakaj ka sqaruar krejt këtë situatë, sic ai e mban mend dhe e ka në dokumente.

Më 8 maj 2017, Ylber Hyseni ka paraqitur kërkesën për trashëgimi, duke dorëzuar dokumente origjinale: aktvdekjen (ku figuronte si trashëgimtar i vetëm), certifikatat e lindjes dhe vdekjes së familjarëve, si dhe Aktgjykimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme (C-II-14-0140-C0001) si dëshmi për pasurinë.

 Për të parandaluar fshehjen e trashëgimtarëve, noteri ftoi dy dëshmitarë që tashmë dalin të jenë të akuzuar, qiftin Gashi, të cilët deklaruan nën betim se Ylber Hyseni ishte pasardhësi i vetëm.

Duke u bazuar në dokumentacionin zyrtar dhe dëshmitë nën betim, noteri lëshoi aktin e trashëgimisë (LRP.nr. 5455/2017), duke e shpallur Ylber Hysenin trashëgimtar të vetëm.

Pas plotfuqishmërisë së Aktgjykimit të Supremes dhe regjistrimit të pronës në Kadastër, Ylber Hyseni kërkoi plotësimin e trashëgimisë.

 Sipas ligjit të ri, noteri bëri shpalljen publike në Gazetën Zyrtare (6 shkurt 2020), duke ftuar palët e interesuara të ndërhynin brenda afatit ligjor. Askush nuk paraqiti pretendime.

 Në këtë seancë morën pjesë si dëshmitarë Afrim Gashi dhe Milihat Gashi, të cilët sërish deklaruan nën betim se nuk kishte trashëgimtarë të tjerë. Mbi këtë bazë, u lëshua Aktvendimi plotësues (LRP.nr. 6840/2020).

Noteri thekson se asokohe (dhe akoma sot), noterët nuk kanë qasje direkte në regjistrin elektronik civil për të verifikuar pemën familjare, andaj detyrohen t’u besojnë dokumenteve të ofiqarisë dhe dëshmitarëve nën betim.

Noteri ka dëshmuar para organeve të hetuesisë në vitin 2022 dhe ka dorëzuar të gjithë dosjen origjinale te prokuroria dhe Oda e Noterëve.

Noteri sqaron se, për shkak të konfidencialitetit ligjor, qasja e palëve të treta, si në këtë rast në kërkesën e Gazetës Insajderi, në dokumentacionin e arkivuar mund të bëhet vetëm përmes një Urdhërese Gjyqësore.

Noteri pretendon se ka vepruar me “kujdes maksimal” duke përdorur të gjitha mjetet që i jep ligji, por është vënë në lajthim nga dokumentet zyrtare të lëshuara nga Ofiqaria e Komunës dhe Gjykata Supreme, si dhe nga deklaratat e rreme të të pandehurve.

Aktakuza pastaj e përshkruan se si vëllezërit e Ylberit dhanë dëshmi tronditëse që zbulojnë tradhtinë familjare. Ilmi Hyseni deklaroi se “nuk kam pasur asnjë njohuri që vëllai im po tjetërsonte 9 hektarë tokë. Ai ka shkuar te noteri fshehurazi nesh për të na lënë pa pjesën tonë”. Hysen Hyseni konfirmoi: “Deklarimi i Ylberit se është ‘trashëgimtar i vetëm’ është një gënjeshtër e pastër. Ai ka bashkëpunuar me Afrim Gashin për t’i shitur tokat pa na njoftuar.”

Sapo u lëshua Aktvendimi mbi Trashëgiminë Tnr.59/2020, Afrim Gashi u bë “makineria” e shitjeve. Procesi i parcelizimit e ndau tokën në dhjetëra njësi kadastrale (nga 00451-2 deri te 00451-70).

Një nga transaksionet më voluminoze është ai i parcelës nr. 00451-40, e cila i është shitur biznesmenit Misin Thaqit, pronari i firmës së ndërtimeve “Lirimi Group” për shumën prej 347250 euro. Përveç tij, lista e personave të dëmtuar, sipas Prokurorisë, blerësve dhe personave të intervistuar përfshin: Asdren Bujupi, Aziz Krasniqi, Sejdullah Mahmuti, Bekim Sadiku, Berat Sadiku, Naim Gashi, Rexhep Gashi, Arsim Shala, Besnik Gashi, Driton Shala, Faton Shala, Enver Shala, Bujar Gashi, Valon Gashi, Naim Shala, Hajrush Gashi, Sami Gashi, Fidan Gashi, Arianit Gashi, Bujar Shala, Haki Gashi, Xhelal Gashi, Driton Gashi, Veton Gashi, Faton Krasniqi, Mentor Krasniqi, Sabit Krasniqi, Fitim Krasniqit, dhe Besnik Shala.

Gjurma e parave është dokumentuar përmes llogarive të Afrim Gashit. “Në NLB Bank janë deponuar mbi 1,045,499.00 euro, ndërsa në RBKO mbi 2,229,685.00 euro. Shuma totale e përfituar tejkalon 3.2 milionë euro”, konstaton Prokuroria.

Në dosje përmenden edhe Nexhat dhe Gursel Sadiku që sipas Prokurorisë janë denoncuesit kryesorë. Ata pretendojnë pronësinë legjitime që nga viti 1938, duke demaskuar skemën:

“Kjo tokë është e familjes sime. Grupi i Ylber Hysenit dhe Afrim Gashit ka hyrë me dokumente të falsifikuara të Serbisë dhe na vodhën pronën tonë”, thuhet në aktakuzë.

Prokuroria ka kërkuar sekuestrimin e të gjitha parcelave, ngrirjen e llogarive bankare dhe konfiskimin e makinave luksoze të blera, sipas tyre, me paratë e krimit. Aktakuza mbyllet me rrethanat rënduese si shkalla e lartë e dëmit prej mbi 3 milion euro dhe numri i madh i viktimave paraqesin rrethana rënduese, si dhe kryerja e veprës në vazhdimësi. Të pandehurit, thotë Prokuroria, kanë nxitur shumë të dëmtuar që të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre përmes një skeme të sofistikuar.

Ndërsa rrethanë lehtësuese për të pandehurin Ylber Hyseni, Afrim Gashi dhe Milihat Gashi, Prokurori i Shtetit faktin se “për herë të parë kanë kryer vepër penale”.

Por, në një kërkim të thjeshtë del që as kjo nuk është e vërtët. Kjo pasi që sipas të dhënave të bëra publike në media në vitin 2024, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Afrim Gashi bashkë me tre persona tjerë, ka edhe një aktakuzë aktive qysh nga viti 2008.

Gashi akuzohet se në bashkëkryerje kishin vënë në lajthitje Gjykatën Komunale në Prishtinë duke falsifikuar një dëftese se kinse kanë pranuar 300 mijë euro nga e dëmtuara A.S dhe një autorizim të cilën kinse e kanë vërtetuar në Nish, Këtë dokumentacion të falsifikuar e kishin përdorur në një rast gjyqësor pikërisht për  një pronë. Për këtë, Gashi dhe tre të tjerë po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë”.

Gashi, po në atë ras serish për “legalizim të përmbajtës së pavërtetë”, pasi kishte venë në lajthitje gjykatën komunale duke prezantuar një certifikatë dhe kopje të planit të pavërtetë.

Sipas përgjigjes së Gjykatës, lënda është ende në procedurë dhe se seanca ishte caktuar të mbahet në prill 2024, por nuk ka të dhëna publike nëse ishte mbajtur ndonjëherë.

Veç këtyre, Prokuroria në kërkesën për paraburgim, kishte cekur se sipas të dhënave nga Policia, Gashi ka katër vepra penale të mashtrimit, 3 vepra penale të falsifikimit të dokumenteve dhe vepra tjera penale.

Gazeta Insajderi në vazhdimësi ka raportuar edhe për aferën me tonë e shtetit, të ish-Radiotelevizionit të Prishtinës, e në qendër të atij grupi qëndron avokati Venhar Hana.

Lidhja parësore mes Venhar Hanës dhe Afrim Gashit kalon fillimisht përmes Ylber Hysenit (bashkëpunëtorit të Gashit). Venhar Hana ka shërbyer si avokat dhe përfaqësues i Ylber Hysenit në procesin e regjistrimit të 9 hektarëve në Veternik.

Hana nuk u mjaftua vetëm me rolin e avokatit, por sipas lejeve ndërtimore, ai doli edhe si bashkëpronar në të njëjtën tokë miliona eurosh që Gashi dhe Hyseni dyshohet se e fituan përmes falsifikimit, duke krijuar kështu një interes të përbashkët direkt pasuror mes tyre.

Venhar Hana dhe Afrim Gashi ndajnë një “urë” të përbashkët ndikimi te zyrtarja e Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), Mejreme Bajrami, e cila ishte e arrestuar. Dosja zbulon se Bajrami është e afërme e gruas së Afrim Gashit, tash edhe ajo e akuzuar, dhe është pikërisht kjo zyrtare që kishte lëshuar aktvendimet kyçe në favor të klientëve të Venhar Hanës. Ky “trekëndësh” tregon se si Hana, në rolin e avokatit, shfrytëzonte lidhjet familjare të Afrim Gashit brenda institucioneve kadastrale për të detyruar regjistrimin e pronave që ishin refuzuar më parë si të jashtëligjshme.

Ndërlidhja e tyre vazhdon edhe në fazën e dytë, atë të mbrojtjes së pronave pas shitjes te personat e tretë. Ndërkohë që Afrim Gashi merrej me anën operative të “dallavereve” në terren, Venhar Hana shfaqet si mbrojtës juridik i këtyre veprimeve. Në betejën gjyqësore të familjes Sadiku (viktima të tjetërsimit), Hana ka përfaqësuar një subjektin juridik ” dhe të gjithë bashkëpronarët e tjerë të asaj ngastre.

Lexo raportimet e Insajderit për Venhar Hanën:


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark