Insajderi
Hulumtime/Analiza

Dyshime për mashtrim me kafshë të gjalla – AUV dërgon në Prokurori kompaninë “Hudea”

Insajderi
11 May 2026 - 10:59
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dyshime për mashtrim me kafshë të gjalla – AUV dërgon në Prokurori kompaninë “Hudea”
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Qindra gjedhë të importuar për therje dyshohet se u devijuan jashtë kontrollit sanitar, duke rrezikuar direkt shëndetin publik. Një skemë e dyshuar mashtrimi me licencat ka bërë që një operator ekonomik nga Podujeva të përfundojë nën llupën e organeve të drejtësisë. Dokumente ekskluzive të siguruara nga Insajderi shpërfaqin një skemë të dyshuar të mashtrimit me importin e kafshëve të gjalla.

Gazeta Insajderi

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka dorëzuar kallëzim në Prokurorinë Themelore në Prishtinë kundër operatorit ekonomik “Hudea” SH.P.K, me pronar Valmir Humollin, nën dyshimet e rënda për mashtrim, rrezikim të shëndetit publik dhe keqpërdorim të licencave.

Këto dokumente, AUV-i i ka bërë publike vetëm pas ndërhyrjes së Agjencisë për Informim dhe Privatësi, pas kërkesës së parashtruar nga Insajderi në janar të këtij viti.

Redaksia kishte kërkuar specifikisht arsyetimet ligjore për licencat e këtij operatori, duke zbuluar kështu njoftimin e dërguar në Prokurori për “avullimin” e kafshëve të importuara që nuk përfunduan kurrë në thertore.

Çka pretendon AUV-i?

Sipas shkresës zyrtare të AUV-it, drejtuar Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se kompania e Valmir Humollit ka keqpërdorur licencat për importin e kafshëve për therje.

Gjatë periudhës së dhjetorit 2025, janë importuar gjithsej 439 gjedhë për therje, por 10 dërgesa të tyre nuk kanë përfunduar në thertore të licencuara brenda afatit prej 72 orësh, siç e obligon ligji.

Në dokumentin e siguruar thuhet se: Kafshët e importuara janë zhvendosur në destinacion të paautorizuar, nuk ka evidencë të therjes, nën tre në disa raste, kafshët janë shitur në treg dhe që nuk janë zbatuar vendimet e inspektoratit veterinar kufitar.

Kjo sjellje e operatorit, sipas Agjencisë, përbën rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetit publik, pasi mishi i këtyre kafshëve ka përfunduar në konsum pa kontrollin e duhur sanitar dhe veterinar.

AUV-i ka listuar tri vepra të dyshuara penale bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës; mashtrim, rrezikim i shëndetit publik dhe keqpërdorim i pozitës ekonomike/autorizimeve.

Në kërkesën drejtuar Prokurorisë Themelore e cila mban datën 4 shkurt, AUV kërkon urgjentisht fillimin e hetimeve penale, sekuestrimin e dokumentacionit zyrtar për importet dhe therjet, si dhe vlerësimin e dëmit potencial fiskal.

Po ashtu, është kërkuar që të parashihen masa ndaluese ndaj operatorit “Hudea” për të parandaluar përsëritjen e rrezikut apo dëmtimin e provave.

Lidhur me këto akuza të rënda dhe gjetjet e AUV-it Insajderi ka kontaktuar kompaninë “Hudea” SH.P.K dhe pronarin e saj, Valmir Humolli. Megjithatë, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, të njëjtit nuk kanë kthyer asnjë përgjigje për të sqaruar pretendimet e institucionit për devijimin e qindra krerëve të gjedhëve dhe rrezikimin e qytetarëve.

Përveç kompanisë, Insajderi ka drejtuar pyetje zyrtare edhe në Prokurorinë Themelore të Prishtinës për të konfirmuar ecurinë e hetimeve, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, as ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Lexo edhe:


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark