Gjykata Speciale ka mbajtur seancën dëgjimore ndaj të dyshuarve të përfshirë në rastin e importit të naftës, nën dyshimet për kontrabandë dhe krim të organizuar. Prokurorja e rastit, ka kërkuar masën e paraburgimit, ndërsa mbrojtja e të gjithë të pandehurve e ka kundërshtuar ashpër këtë kërkesë, duke pretenduar shkelje procedurale të afateve 48-orëshe dhe mungesë të provave konkrete.
Avokatët kanë kërkuar lirimin e klientëve të tyre ose caktimin e masave më të buta, përfshirë dorëzaninë financiare.
Biznesmeni Nisret Bajraktari, pronar i vetëm i kompanisë së njohur nga Suhareka, “Seticommerc SH.P.K.” ka ofruar dorëzani në vlerë prej 30 mijë eurosh.
Mbrojtësi i tij, avokati Yll Zeka, fillimisht ngriti dy kundërshtime të rënda procedurale, duke thënë se gjykata ka shkelur afatin ligjor prej 48 orësh për mbajtjen e seancës dhe se shkresat e lëndës mbrojtjes iu dorëzuan vetëm 10 minuta para fillimit të procesit, gjë që pamundësoi një mbrojtje efektive.
Sa i përket meritsë së çështjes, avokati Zeka deklaroi se kërkesa e PSRK-së nuk plotëson asnjë kusht të nenit 184 të KPPRK-së:
Mungesë e lidhjes me të dyshuarit e tjerë: Sipas mbrojtjes, Bajraktari nuk njeh asnjë nga të pandehurit e tjerë (përfshirë Skender Kelmendin) dhe as që ka pasur ndonjëherë raporte afariste apo private me ta. Lidhja e tij e vetme është se kompania e tij është furnizuar me derivate nga kompania “Seti Komerc”.
Për të eliminuar çdo pretendim të Prokurorisë për rrezik ikjeje, avokati Zeka i ofroi zyrtarisht gjykatës dorëzimin e menjëhershëm të pasaportës së Bajraktarit dhe dorëzani financiare në vlerë prej 30 mijë eurosh.
Deklarata e Bajraktarit: Nuk mund të na mbani në burg artificialisht, kam obligime ndaj punëtorëve
Pasi mbështeti fjalën e avokatit të tij, vetë i pandehuri Nisret Bajraktari shpjegoi para gjykatës natyrën e biznesit të tij në Suharekë dhe pastërtinë e dokumentacionit:
Jam në biznes për shumë vite lidhur me karburante. Kam vetëm një pikë karburanti në Suharekë dhe kryesisht karburantin e shfrytëzoj për biznesin në pikën e ndërtimit. Çdo faturë që është faturuar nga PO Petrol është e regjistruar edhe në Seti Komerc…”
Biznesmeni përmendi gjithashtu se institucionet shtetërore kanë pasur kontroll të plotë mbi të:
“Më 29.12.2025 kemi pasur kontroll gjenerale të gjitha faturat e Seti Komercit… janë të gjitha të marrura nga malli që janë paguar në bankë. Me zero është mundësia e faturave fiktive që e paraqet prokuroria.”
Në fund, Bajraktari bëri thirrje që të mos mbahet në paraburgim, duke vënë theksin te ndikimi socio-ekonomik që ka izolimi i tij:
“…por jo që të na mbani në burg paarsyeshëm, sepse në biznes duhet të jemi prezent pasi kemi 50 punëtorë dhe atyre duhet t’u siguroj pagat.”
Ai premtoi se është i gatshëm t’i përgjigjet në çdo moment organeve të drejtësisë dhe Prokurorisë në liri.