×
  • Lajme
  • Lajme

    Naser Ramadani gjendet në konflikt interesi, detyrohet të heqë dorë nga dy funksione

    Insajderi
    07 July 2020 - 08:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në kohën kur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike është vënë përballë rritjes së hovshme të rasteve me epideminë COVID-19, drejtorit të këtij instituti, Naser Ramadanit, i është dashur të ballafaqohet me menaxhimin e pozitave të tij nëpër Organizata Joqeveritare.

    Naser Ramadani është detyruar të japë dorëheqje nga funksionet që mbante si kryetar i dy organizatave joqeveritare si pasojë e gjendjes në konflikt interesi, ka konstatuar Agjencia Kundër-Korrupsion (AKK) në një vendim të nxjerrë javën e kaluar.

    Sipas vendimit të AKK-së, drejtori i IKShPK-së ndodhej në konflikt interesi prej disa muajsh pasi kishte mbajtur pozitat e kryetarit të dy OJQ-ve në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Agjencia Kundër Korrupsionit, sipas detyrës zyrtare, ka identifikuar rastin e konfliktit të mundshëm të interesit, sipas të cilit z. Ramadani duke qenë zyrtar i lartë publik, njëkohësisht ka mbajtur edhe funksionin e kryetarit dhe personit të autorizuar në dy Organizata Joqeveritare”, thuhet në përshkrimin e rastit të Ramadanit, në vendimin e nxjerrë nga AKK-ja më 1 korrik.

    Ramadani mbante pozitat e kryetarit të Shoqatës së Mjekëve të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave Mjekësore të Kosovës, dy organizata joqeveritare që merren me aktivitete në fushën e mjekësisë.

    Pas konstatimit të Agjencisë Kundër-Korrupsion për gjendjen në konflikt interesi, Naser Ramadani ka dhënë dorëheqje nga funksionet e tij në dy organizatat joqeveritare.

    “Zyrtari i lartë z. Ramadani, është pajtuar me konstatimet e Agjencisë Kundër-Korrupsionit dhe ka premtuar se do të ndërmarrë veprime në mënyrë që ta shmang gjendjen e konfliktit të interesit Me veprimet e ndërmarra nga z. Ramadani është shmangur gjendja e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik”, ka bërë të ditur AKK-ja.

    Naser Ramadani ushtron edhe pozitën e profesorit të asocuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës.

    Ai, prej disa vitesh udhëheq Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, i cili është institucioni më i lartë shëndetësor i Kosovës. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark