Instituti për Ekonomi të Tregut të Lire – IETL ka fituar tender prej afro 30 mijë euro në Komunën e Prishtinës. Ky institut udhëhiqet nga ish-zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik Besa Zogaj – Gashi. E njëjta ishte edhe kandidate për deputete. Zogaj në një përgjigje për Insajderin ka mohur se ka pasur ndikim politik që instituti që drejton ajo të dal fitues.
Gazeta Insajderi
“Instituti për ekonomi të tregut të lire – IETL” ka fituar tenderi prej 28.700€. Kjo marrëveshje u nënshkrua Kuvendi Komunal i Prishtinës me 8 nëntor.
Drejtoresha e këtij instituti që u ‘shpërblye’ me kontratë është ish-zëvendësministrja e LDK-së, Besa Zogaj – Gashi. Ajo ishte emëruar në këtë pozitë gjatë qeverisjes se Isa Mustafës.
Kontrata e dhënë ka të bëj me Përpilimin e Strategjie për kulturë.
Ish- Zëvendësministrja mohon ndikimin politik
Lidhur me atë se a ka ndikuar përkatësia politike në fitimin e tenderit, Zogaj i tha Gazetës Insajderi se nuk është pjesë e LDK-së që nga viti 2017.
“Fillimisht, dua të theksoj se që nga viti 2017, nuk kam qenë pjesë e asnjë partie politike. Gjithashtu, do të dëshiroja të njoftoja se askush nuk ka nevojë të na shpërblejë si Institut, pasi me punën tonë profesionale kemi realizuar shume projekte të financuara nga organizata ndërkombëtare, si dhe projekte nga institucione vendore të ndryshme qe menaxhohen nga parti te ndryshme politike“, tha ajo për Insajderin.
Teksa shtoi se edhe Drejtoria e Kulturës nuk udhëhiqet nga LDK.
“Edhe ne këtë rast për tu ndërlidhur me pyetjen tuaj, dua të përmendi se Drejtoria e Kulturës nuk udhëhiqet nga LDK!. Sa i përket informacioneve shtesë, ky tender është ripërsëritur disa herë që nga muaji Maj dhe ne jemi përzgjedhur nga komisioni vlerësues duke u bazuar në referencat dhe CV të ekipit tone (përfshirë këtu ekspertë ndërkombëtarë dhe vendor)“, ka theksuar ish-zëvendës ministrja.
Besa Zogaj – Gashi, ishte kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës në vitin 2017.
Po në atë vit ajo kishte dhënë dorëheqje nga nga posti i kryetares së Forumit të Gruas së LDK-së në Prishtinë për shkak të rezultateve jo të kënaqshme të Degës së IV të LDK-së në Prishtinë.
Ndërsa në kohën e Qeverisjes së Isa Mustafës mbante pozitën e zëvendësministres.