Menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala, ka folur rreth raportimeve të fundit lidhur me Arbnor Mujën.
Sulmuesi i Antwerpit, i cili nuk është i grumbulluar për ndeshjet kualifikuese të këtij muaji, në kuadër të Kampionatit Evropian “Euro 2024”.
Se 24-vjeçari është kontaktuar nga përzgjedhësi i “Kuqezinjve”, Sylvinho, e ka konfirmuar ditë më parë edhe babai i tij, Naser Muja.
Ai gjithashtu pati theksuar se djali i tij, Arbnori, nuk ka vendosur ende se për kë të luajë.
Rreth kësaj çështje është deklaruar sot edhe menaxheri i Kombëtares së Kosovës, i cili tha se këto janë vetëm spekulime të mediave.
Shala gjithashtu këto i vlerësoi si shantazhe, për çka tha se Kosova nuk i pranon assesi.
“Janë spekulime mediale. Arbnor Muja ka qenë për kohë të gjatë pjesë e grupmoshave të Kosovës, jo vetëm tash pjesë e ekipit A.
Ai mbetet futbollist i Kosovës. Ne nuk jemi kontaktuar asnjëherë në formë zyrtare, qoftë nga Muja, qoftë nga Federata Shqiptare e Futbollit, për ne është temë e mbyllur dhe ai mbetet pjesë e Kombëtares së Kosovës.
Por, mbase më shqetësuese sesa kjo është një lloj trendi që ka qenë vazhdimisht me shumë futbollistë.
Nuk them se kjo vije vetëm nga futbollistët, mbase nga agjentët, gazetarët, të tjerët që janë afër tyre, që në njëfarë forme provohet të ushtrohet shantazh nëse një futbollist nuk ftohet, mënjëherë përmenden opsione tjera, përmendet që një futbollist është afër kalimit te një kombëtare tjetër. Ka ndodh me Ermal Krasniqin më herët, me Mirlind Dakun, më shumë futbollistë të tjerë.
Jemi shantazhuar në këtë formë. Ne nuk kemi pranuar dhe nuk pranojmë asnjëherë shantazhe të tilla. Futbollistët që nuk grumbullohen nga selektori, atëherë ata futbollistë nuk mund të gjejnë forma të tilla shantazhi. Ne kemi pasë futbollistë që kanë kaluar te kombëtaret tjera. Edhe ata që dëshirojnë të bëjnë kalime të kombëtaret tjera, mund të ndjekin rrugën e njëjtë”, është shprehur Shala.