Komisioni i Garave kishte planifikuar që stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll të përfundonte para se të niste kampionati botëror “Katari 2022”. Që më 2 gusht, Komisioni i Garave kishte shpalosur planin që ndeshjet e fundit kampionale për këtë vit të luheshin para 20 nëntorit.
Kjo, megjithatë, nuk do të ndodhë. Në kohën kur do të luhet Botërori në Katar, që është ngjarja më e madhe e futbollit, në stadiumet e Kosovës do të zhvillohen ndeshje të Superligës. Kjo është bërë e ditur në orarin që kanë marrë klubet e Superligës për javët e ardhshme.
Të mërkurën (nesër) dhe të enjten luhen ndeshjet e javës së 16-të të kampionatit të Kosovës në futboll. Të premten është shorti i Kupës së Kosovës, ndërsa xhiroja e 17-të zhvillohet në fundjavë, më 12 e 13 nëntor. Prej 14 deri më 20 nëntor nuk ka ndeshje të Superligës, pasi është kohë e rezervuar për Përfaqësuesen e Kosovës. Shumë lojtarë të Superligës pritet të ftohen për miqësoret me Armeninë (16 nëntor) dhe Ishujt Faroe (19 nëntor), që zhvillohen në “Fadil Vokrri”.
Për 17 nëntor janë planifikuar ndeshje të Kupës së Kosovës, por të skuadrave të Ligës së Parë.
Ndërkohë më 23 nëntor, pra gjatë Botërorit, ekipet e Superligës luajnë ndeshje për Kupë të Kosovës.
Ndërsa më 26 e 27 nëntor luhet xhiroja e 18-të e Superligës së Kosovës në futboll, që është e fundit për këtë vit.
Ndeshje të futbollit kosovar do të ketë edhe gjatë dhjetorit, deri 20 ditë përtej planit fillestar. Më 30 nëntor është ndeshja e mbetur Trepça ’89 – Ballkani. Më 4 dhjetor është ndeshja tjetër e mbetur, Llapi – Ballkani. Kampioni aktual, Ballkani, luan edhe më 11 dhjetor ndaj Prishtinës. Ballkani – Prishtina është tjetër ndeshje e mbetur.
Shumë ndeshje të këtij edicioni janë shtyrë, kryesisht për shkak të paraqitjes së Ballkanit në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Ballkani ka luajtur si vendës në “Fadil Vokrri”, që është stadiumi i vetëm në vend që i plotëson kushtet për ndeshje të kupave evropiane. Pasi Ballkani luante në “Fadil Vokrri”, Prishtina në disa terminë të planifikuar nuk ka mundur ta shfrytëzojë stadiumin e saj. Prishtina ka refuzuar të luajë diku tjetër si vendëse dhe kështu ndeshjet shtyheshin thuajse njëra pas tjetrës. Dhe kjo bën që Kosova të jetë prej pak vendeve që e zhvillon kampionatin vendor edhe gjatë Botërorit.
Nuk është hera e parë që planet e FFK-së, përkatësisht të komisioneve të saj, nuk realizohen.