×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    A do të shkojë Veriu në zgjedhje të reja?- Presidenca bëhet e paditur ia “gjuan topin” KQZ-së

    Insajderi
    24 October 2023 - 16:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Që dialogu Kosovë-Serbi të normalizohet dhe të vazhdojë, themelimi i Asociacionit dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në Veri janë dy prej kushteve kryesore që ndërkombëtarët i kanë shtruar kundrejt Kosovës. Derisa vazhdimisht po kërkohet një gjë e tillë, nga presidenca nuk kanë dhënë detaje se kur do të mund të mbaheshin zgjedhjet e reja. Qeveria, në anën tjetër po kërkon që të zbatohet udhëzimi administrativ. Ndërkohë, Lista Serbe, me 13 tetor ka shprehur gatishmërinë për pjesëmarrje në zgjedhje, pas bojkotit në prill.

    Drejtohu në KQZ, ata janë përgjegjës për zgjedhje”, ka qenë përgjigja e këshilltarit të presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina pasi pyetjeve të përcjella lidhur me vendosjen e një date për mbajtjen e zgjedhjeve në Veri, ani pse ligji për zgjedhjet lokale e parasheh ndryshe.

    Nga KQZ i kanë thënë Insajderit se për datën e zgjedhjeve përgjegjëse është presidenca derisa kanë kërkuar t’i referohemi edhe nenit 4 për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës.

    Gazeta Insajderi ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga kryetarët aktualë të komunave veriore.

    Kryetari i Mitrovicës së Veriut nga radhët e LVV-së, Erden Atiq nuk e ka hapur telefonin ndërkohë kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi ka thënë “Kur vini këtu diskutojmë”, duke e mbyllur telefonin menjëherë.

    Një sqarim pak më të hollësishëm e ka dhënë Izmir Zeqiri, kryetari i Zubin Potokut nga radhët e PDK-së. Zeqiri deklaroi se nuk kanë pasur asnjë takim për të biseduar mbi çështjen e zgjedhjeve.

    Përveç gazetarëve askush tjetër nuk po e bisedon çështjen e zgjedhjeve. Asnjë bisedë me asnjë institucion nuk e kemi pasur”, u shpreh Zeqiri.

    Të shtunën që lamë pas në Kosovë qëndruan pesë zyrtarë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të njëjtit në takim me kryeministrin, Albin Kurti kërkuan përparim të prekshëm në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe uljen e tensioneve pas sulmit terrorist në Banjskë.

    Si kushte për normalizimin e marrëdhënieve ata përmendën zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit si dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme në veri të Kosovës.

    Një gjë të tillë e kërkoi nga pala kosovare edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron gjatë vizitës së tij në Tiranë.

    “Ajo që presim nga autoritetet kosovare dhe serbe është e thjeshtë, riorganizimin e zgjedhjeve në këto komuna ku këto u bënë në kushte të papërshtatshme, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje, njohjen e asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare. Pres që presidenti Vuçiç dhe presidentja dhe kryeministri i Kosovës, të jenë të përgjegjshëm”, deklaroi Macron.

    Ndonëse nga presidenca nuk dhanë përgjigje se kur do të mbahen zgjedhjet e reja në Veri. Ndërkohë që nga Bashkimi Evropian po kërkohet me ngulm që Kosovë të shpallë zgjedhje të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, qeveria përkatësisht MAPL po punonte me një udhëzimin administrativ.

    Çka parasheh ky udhëzim?

    Me 5 shtator, Ministria Administrimit të Pushtetit Lokal ka publikuar udhëzimin administrativ që u mundëson qytetarëve që përmes një peticioni të largojnë kryetarët e komunave.

    Detaje për të kishte dhënë ministri, Elbert Krasniqi.

    “Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka përfunduar hartimin e Udhëzimit Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni. Udhëzimi ka për qëllim përcaktimin e procedurës së inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, në pajtim me Ligjin Nr.03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale“, thuhet në shkrimin e tij, publikuar në Facebook.

    Krasniqi njoftoi se “pjesë e diskutimeve, punës dhe konsultimeve profesionale e edhe e grupit punues kanë qenë institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare”.

    “Për këtë çështje marrë parasysh që është hera e parë që trajtohet me rregullim normativ ka pasur shumë komente dhe sugjerime. Të gjitha janë trajtuar dhe pjesa më përmbajtësore janë adresuar”, ka bërë me dije ai.

    Ky udhëzim, sipas ministrit “jep mundësinë e zbatimit praktik të një të drejtë të garantuar nga ligji për vetëqeverisje lokale. E drejtë kjo që siguron ushtrimin e vullnetit qytetar në raport me Kryetarin e Komunës, të cilin e zgjedhin drejtpërdrejtë vetë qytetarët”.

    Vegza për Udhëzimin Administrativ:

    Kujtojmë se në muajin prill nga zgjedhjet lokale të mbajtura fitues dolën katër kryetarë shqiptarë, votimi u bojkotuan nga Lista Serbe dhe popullata lokale. Ata u kundërshtuan përmes protestave në veri, që nisën në fund të majit, e të cilat u përshkallëzuan edhe në dhunë.

    Si rrjedhojë, në korrik, Qeveria e Kosovës u pajtua me BE-në në disa hapa drejt shtensionimit të situatës. Ndër to përfshihej edhe ulja e pranisë policore në dhe përreth ndërtesave komunale në veri dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja, pas verës.

    /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark