“E respektojmë qëndrimin e ambasadorit amerikan, por janë institucionet ato që vlerësojnë aspektin e mbajtjes së zgjedhjeve”, ka thënë Xhelal Sveçla, ministri i Punëve të Brendshme, gjatë mesditës nga Ura e Ibrit.
Gazeta Insajderi
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka dënuar dhunën dhe incidentet që ndodhën ditën e djeshme në Mitrovicën Veriore.
Hovenier shtoi se nuk janë krijuar kushtet që të mbahen zgjedhjet në fund të muajit.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë ata që ushtruan dhunë gjatë incidenteve të djeshme në veri të Kosovës. Përdorimi i dhunës dhe i frikësimit, duke përfshirë përdorimin e një mjeti shpërthyes, dhe rrezikimin e jetëve nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë”.
“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të përmbahen”, shkroi Hovenier sot në mëngjës në Twitter, transmeton Gazeta Insajderi.
Por, në mesditë, gjatë një vizite tek Ura e Ibrit, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se e respekton qëndrimin e Hovenierit, megjithatë për mbajtjen e zgjedhje, sipas tij, vendosin institucionet e Kosovës.
“Situata është e qetë. Kam ardhur për t’i koordinuar punët. E respektojmë qëndrimin e ambasadorit amerikan, por janë institucionet ato që vlerësojnë aspektin e mbajtjes së zgjedhjeve”, ka thënë Sveçla, duke paralajmëruar se do të mbajë konferencë për media të mërkurën pasdite, shkruan Gazeta Insajderi.
Ai po ashtu ka këmbëngulur se kanë kapacitetet e duhura për të ofruar siguri për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, të cilat janë planifikuar më 18 dhjetor dhe 25 dhjetor.
“Absolutisht që kemi kapacitete për të siguruar mbajtjen e zgjedhjeve”, tha Sveçla në një prononcim për media pranë urës së Ibrit, shkruan Gazeta Insajderi.
Deriza, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se institucionet e Kosovës kanë treguar gatishmërinë për të ofruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtje të zgjedhjeve.
“Pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në veri të vendit, mbajtja e tyre tashmë është obligim kushtetues i institucioneve të Republikës. Qytetarët tanë atje kanë nevojë për përfaqësim direkt të tyre. Institucionet kanë nevojë për drejtues legjitim të tyre”.
Ai ka theksuar se bandat kriminale mund edhe mos të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike.
“Aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri. Presim vlerësimin e situatës në veri nga organet tona të sigurisë për hapat e mëtejmë”, ka thënë Kryeziu, shkruan Gazeta Insajderi.
Për atë se a do të shtyhen zgjedhjet sipas kërkesës amerikane, Gazeta Insajderi, i ka shkruar edhe Zyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, por ende nuk ka kthyer përgjigje.
Ndryshe, dje derisa zyrtarët komunalë zgjedhor bashkë me zyrtarët policorë tentuan të hynin në zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore kanë ndodhur shpërthime, të cilat u bë e ditur të kenë ardhur nga strukturat ilegale serbe në veri.
Por, pavarësisht këtyre, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se kanë marrë të gjithë hapat për përgatitjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në veri të vendit.
“Pavarësisht sfidave të cilat paraqiten në këtë kohë, KQZ-ja mbetet e përkushtuar për të kryer detyrat e veta dhe në këtë drejtim është edhe kjo ngjarje e sotme. Angazhimi ynë për zgjedhjet e lira dhe demokratike është i përhershëm. Kjo mund të jetë vetëm me një angazhim të përbashkët… Para këtij aktiviteti, KQZ-ja ka miratuar Udhëzuesin për tërheqjen e shkurtër dhe renditjen e subjekteve politike në fletëvotim. Shërbimi i kësaj udhëzuesi është që të krijosh kushtet e barabarta për të gjitha subjektet dhe transparencën”, theksoi ai, shkruan Gazeta Insajderi.
Kështu ka bërë të ditur Radoniqi me rastin e tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, që pritet të mbahen më 18 dhjetor, si dhe për zgjedhjet e parakohshme të 25 dhjetorit për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit.
Çfarë thanë ambasadorët e vendeve mike?
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pas sulmeve të djeshme në objektin e Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të vendit.
Duke rispotuar deklarimin e shefit të EULEX-it në Twitter, ambasadori Rohde shkruan se një gjë e tillë është e papranueshme.
“Vërtetë shumë shqetësuese”, shkroi ambasadori gjerman. “Dhuna e djeshme ndaj zyrave zgjedhore komunale është e papranueshme”.
Sipas tij, mirë që Policia e Kosovës në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in, janë aty prezente.
“Mbështetje e plotë për demonstratat paqësore, por zero tolerancë ndaj dhunës”, ka shkruar Rohde në Twitter, shkruan Gazeta Insajderi.
Për gjendjen e krijuar në veri, ka reaguar edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot. Ai konsideron se aktet e frikësimit janë shumë shqetësues.
“Aktet e frikësimit janë shumë shqetësuese. Dialogu është rruga përpara”, ka shkruar Guerot në Twitter, transmeton Gazeta Insajderi.
Zgjedhjet u shpallën pasi kryetarët e tyre dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj planit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila me mbështetjen e Beogradit zyrtar i udhëhoqi këto komuna – i kundërshton këto zgjedhje.