×
  • Lajme
  • Insajderi

    A e çon LDK Kurtin në Kushtetuese nëse zgjidhet shef i Qeverisë? flet Veliu

    Insajderi
    11 February 2021 - 20:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, as s’e ka përjashtuar e as s’e ka konfirmuar mundësinë që ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese Albin Kurtin, në rast se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje zgjidhet kryeministër pas zgjedhjeve të së dielës.

    Veliu ka thënë për Express se po punojnë që Kurti të mos bëhet kryeministër. Për mundësinë e dërgimit në Kushtetuese të zgjedhjes së tij të mundshme si kryeministër ka thënë se s’është koha të flitet tani.

    “Ne po punojmë që ai të mos bëhet kryeministër. Ne po punojmë që të dalim sa më mirë, që ai të mos bëhet kryeministër. Për çeshtje tjera nuk është koha që të flasim tani”, ka thënë Veliu.

    Albin Kurtit është hequr nga gara zgjedhore në zgjedhjet e 14 shkurtit, ndërsa ai s’mund as të zgjidhet kryeministër, sipas një interpretimi të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e rrëzoi Qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti.

    I painterpretuar, konstatimi i dytë në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese thotë: “Në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovë”.

    Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi, u dënuan në janar të vitit 2018 për dy vepra penale: përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Me këto vepra përshkruheshin veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.

    Në shtator të po atij viti, Gjykata e Apelit ua kishte vërtetuar dënimet e shqiptuara nga gjykata e shkallës së parë atëherë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Faton Topalli.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark