
Afati përfundimtar i përmbylljes së punimeve në magjistralen Prishtinë-Podujevë ishte fundi i vitit 2022. Të paktën kështu zotohej ish-kryeministri Albin Kurti. Me kalimin e këtij afati, thoshte se pengesat janë krejtësisht kadastrale, e aspak politike. Gjithsesi, me ardhjen e fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Kurti në Llap në gjysmë të janarit të këtij viti zotohej për shtrim të rrugës në pranverë të këtij viti.
“Rruga Podujevë – Prishtinë përfundon në pranverën e 2025. Kësaj pritjeje të gjatë po i vjen fundi sepse qeveria jonë e mirë ka punuar edhe me problemet në mangësitë në shpronësime edhe me projektimet e këqija. Rruga kryhet përgjithmonë në pranverën e sivjetshme”, deklaroi Kurti në fushatën elektorale që po e mbante në Llap, shkruan Insajderi.
Ndonëse dita zyrtare e shënimit të pranverës është 21 marsi, që nga kjo periudhë e tutje për rrugën Prishtinë-Podujevë janë dëgjuar veç ankesa. Një të tillë e pati dje ish-diplomati kosovar, Avni Arifi, i cili u ankua në intensitetin e punimeve.
“Në vitin 2022 nuk ndodhi asgjë, por më 1 qershor 2023, papritur filluan punimet masive në rrugë. Banorët përreth, por edhe shumë bashkatdhetarë, hoqën të zitë e ullirit atë vit nga pluhuri dhe zhurma, por të gjithë ishin të kënaqur duke thënë: “Albini po punon.” Ky edhe ishte qëllimi sepse në këtë rrugë përnjëmend vijnë shumë bashkatdhetarë dhe marrë parasysh përkrahjen që kishte marrë nga diaspora Kurti kishte nevoj për një mashtrim të tillë.
E vërteta është se gjatë atyre tre muajve (1 qershor – 1 shtator) u punua shumë dhe përnjëmend diku diku edhe natën punohej, sa që me atë ritëm punimet do të kishin përfunduar shumë më herët sesa ishte planifikuar, pra më 3 qershor 2024.
Fatkeqësisht, menjëherë pas largimit të diasporës, puna u kthye në stilin “një kolicë e tri kacija””, tha ndër të tjera ai.
Ish-ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ishte zotuar që me 9 shkurt të kryheshin punimet në rrugën Prishtinë-Podujevë përgjatë mandatit të tij.
“Normalisht është një vit afati kohor, duke i përfshirë ditët e punës dhe me mundësi që ato edhe kur ka probleme me motin, mund të ketë shtyrje e mos llogaritje të ditëve, e që normalisht ky 365 ditësh nuk përfundon saktë gjithmonë. Tek rasti i rrugës së Podujevës, po shkon gjithçka brenda afatit deri tash. Tek urat, ura e Lluzhanit, ura në Vranidoll, ura në Bardhosh, kemi pas ngecje për shkak të disa shtyllave të KEDS’it, por të gjitha janë probleme që po zgjidhen edhe po ec sipas ritmit”, ka thënë Aliu.
Në bazë të dosjes së tenderit, rruga Prishtinë-Podujevë është dashur të përfundojë në fund të muajit gusht të vitit të kaluar. Punimet në këtë rrugë kanë filluar me 3 korrik 2023 e finalizimi i tyre është paraparë të bëhet për 425 ditë, rrjedhimisht 31 gusht të 2024-ës.
Lidhur me këtë rrugë, për të dytën herë ka frekuentuar Prokurorinë Speciale numri dy i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
Gazeta Insajderi pati raportuar ekskluzivisht detaje nga kallëzimi penal për Durmishin.
LEXO EDHE:
Firma ‘Sallahu SH.P.K.’ në një nga pretendimet e para në ankesën e tyre thotë se iu është mohuar e drejta për qasje në dokumente publike. Përfaqësuesi i tyre shprehet se kishte dyshime për “shumë shkelje” andaj kërkonin kontrollimin e dokumentacionit.
“Në përgjigjen në fjalë nuk është ofruar asnjë arsyetim se përse AK ka konstatuar se kërkesa jonë nuk ka qenë e parashtruar konform legjitlaionit në fuqi në fushën e prokurimit publik, por është përdorur vetëm si arsyetim për të na pamundësuar qasjen dhe kontrollimin e dokumentacionit për të cilin jemi të bindur se ka shumë shkelje, dhe për të na pamundësuar parashtrimin e një Kërkese për rishqyrtim me prova”, thuhet në ankesën e tyre, e cila është publike në OSHP.
Firma pretendonte edhe se komisioni vlerësues i MMPHI’së e ka eliminuar padrejtësisht. Anëtarët e këtij komisioni madje i quante edhe “të papërgjegjshëm”.
“Komisioni Vlerësues (per te cilin kemi dyshime se nuk ka qene kompetent ) me rastin e vlerësimit, ekzaminimit dhe krahasimit të tenderve ka vepruar ne Kundershtim me Ligjin per Prokurim Publik, Rregulloren nr. 001/2022 per Prokurim Publik dhe Udhezuesin 01 2023 per Prokurim Publik, duke na eliminuar neve si operatore i pergjegjshem pa asnje prove dhe argumentim ligjor dhe duke rekomanduar operatore te pa pergjegjshem per kontrate ne kundershtim me ekonomicitetin dhe efikasitetin”, thuhet në njoftim.
Ata në ankesë kanë të bashkëngjitur një kallëzim penal për ish-shefin e prokurimit, Nexhat Krasniqin dhe anëtarët e komisionit vlerësues. Krasniqi në fund të 2023-ës ishte vendosur në listën e zezë të Departamentit amerikan të Shtetit për shkak të përfshirjes së tij në “korrupsion të madh”.
Durmishi ia kishte nënshkruar “tenderomanëve” të famshëm duke pasur ankesë aktive.
Në korrik të vitit që shkoi, mbi 850 mijë euro u ndanë nga Ministria e Infrastrukturës, për kompaninë “Bageri” të multimilionerit Bujar Shabani.
Durmishi, i cili ka lidhje shoqërore me pronarin e kompanisë ‘Bageri’ tregoi arsyen e ndarjes së mbi 850 euro shtesë për dostin e tij.
E arsyetoi duke thënë se ka ‘punë shtesë’ që duhet të kryhen në magjistralen Podujevë – Prishtinë, e që sipas tij nuk janë paraparë në kontratën fillestare prej 8.6 milionë eurosh.
LEXO EDHE:
Përgjatë punimeve janë parë incidente të rrezikshme vitin që shkoi.
Në punishten ku po kryheshin punë nga kompania “Bageri” e biznesmenit Bujar Shabani, kishte rënë një shkëmb i madh që kishte rrezikuar pjesëmarrësit në komunikacion.
Nga nënshkrimi i Durmishit për rrugën Prishtinë-Podujevë përfituan miliona euro Bujar Shabani, Hektor Beqiri, Florent Emini dhe Fatlum Pireva.
Kush janë ata? Raportimet e Insajderit: