Afera me tender ku u arrestua një person | Denoncohet për presion biznesmeni Pireva- ‘dost’ i Alban Hysenit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Afera me tender ku u arrestua një person | Denoncohet për presion biznesmeni Pireva- ‘dost’ i Alban Hysenit

    Insajderi
    16 April 2025 - 17:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.


    Përfaqësuesi i grupit të Operatorëve Ekonomikë: “Fortesa Sh.p.k; Albaproject Sh.p.k; N.P. “Auremont”, Drilon Etemi ishte arrestuar pasi po dyshohet për falsifikim dokumentesh në një tender të lëshuar nga prokurimi në Gjilan. Ai po dyshohet se ka falsifikuar vulën e dy kompanive. Por, sipas kompanisë lidere të grupit- rasti është një inskenim dhe hakmarrje e Fatlum Pirevës, pronarit të kompanisë “EL BAU”. Denoncuesi pretendon se kjo kompani ka ushtruar presion dhe shantazh tek pronarët e “Eing COM” dhe “Bageri” për të vënë në lajthitje kompaninë “Fortesa” të Bujar Shabanit. Insajderi sjell detajet.

    Mira Avdimetaj

    Komuna e Gjilanit kishte hapur një tender që synonte “Rregullimin e rrugëve të arave për nevojat e Bujqësisë”.  Në këtë tender, “Fortesa SH.P.K” ishte lidere e Grupit të Operatorëve Ekonomikë, të përbërë nga kompanitë, “AlbaProject” dhe “Auremont”.

    Organi Shqyrtues i Prokurimit në nëntor të vitit 2024 e kishte futur në listë të zezë për tre muaj kompanië “Fortesa SH.P.K” si liderë e grupit dhe kishte refuzuar kërkesën e Komunës së Gjilanit edhe për dy kompanitë e tjera.

    Sipas vendimit, Paneli Shqyrtues i Gjykatës së tenderëve konstatoi se kompania “Fortesa SH.P.K.” në tenderin për “Rregullimin e rrugëve të arave për nevojat e Bujqësisë” i iniciuar nga Komuna e Gjilanit më 20.09.2023, ka mashtruar me dokumentacionin e dorëzuar në këtë aktivitet të prokurimit.

    Sipas vendimit të OSHP-së, “Fortesa SH.P.K ka mashtruar/falsifikuar nënshkrimin dhe vulën e kompanisë “Eing COM” në dokumentin e marrëveshjes për bashkëpunim për dhënie me qira të makinerisë së kërkuar në Dosje të Tenderit.

    “Bazuar në faktet dhe dëshmitë e dokumentuara përmes platformës e-prokurimi, rrjedhën dhe analizën e procedurës së prokurimit, rezultati i vlerësimit tregon se grupi i OE “Fortesa Sh.p.k; Albaproject Sh.p.k; N.P. “Auremont” i ka krijuar dhe paraqitur në këtë aktivitet këto dokumente me përmbajtje të rreme apo të falsifikuara me qëllim të mashtrimit apo vënies në lajthim AK’së dhe me qëllim të ndikimit në vendimmarrjen e AK’së gjatë ekzaminimit, vlerësimit dhe krahasimit të tenderëve, ashtu që t’a eliminojë konkurrencën në raport me konkurrentët tjerë dhe në këtë mënyrë të shpallej fituese për projektin në fjalë dhe përfitojë në mënyrë të kundërligjshme fonde publike sipas ofertës me çmimin e peshuar për njësi prej 31.12€ nga shuma e përgjithshme e vlerës së parashikuar prej 400,000.00€”, thuhet në vendimin e OSHP’së

    Si pasojë, Policia e Kosovës, kishte arrestuar përfaqësuesin e Gripit të Operatorëve Ekonomik, Drilon Etemin si të dyshuar për keqpërdorim dhe mashtrim në procesin e prokurimit publik në Gjilan.

    Policia përmes një njoftimi për media tha se i dyshuari ka tentuar të ndikojë në vendimin e procedurës së vlerësimit për t’u përfshirë në një tender me vlerë të përgjithshme prej 400,000 euro, duke i përftuar kundërligjshëm fonde publike.

    Shantazhi i kompanisë “EL BAU” ndaj “Fortesa shpk”

    Në vendimin e lëshuar nga OSHP, kompania “Fortesa” kishte dhënë përgjigje lidhur me ankesat e Autoritetit Kontraktues në OSHP.

    Kompania “Fortesa SH.P.K” pretendon se nuk ka dorëzuar dokument me përmbajtje të rreme. Por, sipas tyre kompania “Eing COM” dhe “Bageri” kanë pasur presion nga kompania “EL BAU SHPK” që të mos bashkëpunojnë dhe dëshmojnë marrëveshjen që kishin arritur për tenderin në fjalë.

    “Fortesa shpk” po pretendon se kjo është  bërë për shkaka të hakmarrjes që kompania “EL BAU” ka ndaj kompanisë së tyre. Në përgjigje, ata kane thënë se kanë pasur shantazh dhe presion nga pronari i kompanisë, Fatlum Pireva që të tërhiqen nga një lëndë që kanë pasur më herët në OSHP.

    me të njejtit kemi pasur një lëndë në OSHP me nr. 379/23 dhe 772/23 lidhur me aktivitetin e prokurimit: “Mirëmbajtja e rrugëve të rendit të tretë me Zhavor” dhe po tentonin që të shfrytëzojnë këtë rast që pastaj me anë të shantazheve të tërhiqemi nga ankesat në këtë aktivitet të prokurimit tek i cili ishte rekomanduar për kontratë i njëjti”, thuhet në përgjigje.

    Edhe më herët Insajderi ka raportuar se si Komuna e udhëhequr nga Alban Hyseni, me në tender kishte shpërblyer kompanitë e ‘dostave’: EL-Bau SH.P.K, dhe EING COM SH.P.K.

    El Bau në pronësi ka afaristin Fatlum Pireva dhe Eing Com me pronar Elisjah Podvoricën, të afërt me pushtetin e VV’së.

    Si iu nënshtrua kompania “EING COM” pronarit të “EL BAUT” dhe tradhtoi “Fortesa shpk”?

    Kompania “Fortesa Shpk” është futur në listë të zezë dhe i është arrestuar përfaqësuesi i autorizuar i Grupit të Operatorit Ekonomik pasi kompania “EING COM” nuk iu ka ofruar kopjen fizike të marrëveshjes se arritur që “Fortesa shpk” po pretendon se ka dhe fakte se ata ishin dakorduar për shfrytëzimin e makinerisë por ishin tërhequr pas presionit që iu është bërë nga pronari i “El BAU”, Fatlum Pireva.

    “Jeton Podvorica ka telefonuar personin e autorizuar nga ana jonë duke i thënë se po i bëhet presion prej njërit nga pronarët e kompanisë “EL BAU SHPK”. Ky i fundit po i bënte presion duke i thënë se: “Pse i ke dhënë makineri në marrëveshje kompanisë Fortesa SHPK kur e din se të njejtit më kanë bërë ankesë në OSHP”.

    Tutje, sipas kompanisë “Fortesa shpk”, kompania “Eing COM’ e Jeton Podvoricës nuk ka pranuar të ofroj kopjen fizike të marrëveshjes siç është kërkuar nga AK. Ata pretendojnë se kjo Jeton Podvorica ka pranuar të ua jepë origjinalin me arsyetimin se ka presion nga kompania “El BAU” dhe ‘për shkak të raporteve të mira nuk mundet të mos i nënshtrohet kompanisë”

    “ Jeton Podvorica refuzonte të na jepte origjinalin e kësaj marrëveshje me arsyetimin se nuk mundem përshkak të kompanisë “EL BAU SHPK” pasi të njejtit më kanë bërë shumë të mira dhe tash më kërkojnë që mos të e jap këtë marrëveshje… nuk mundet të mos i nënshtrohet kompanisë “EL BAU SHPK” pasi sipas tij të njejtit i ka më shumë se familjar si dhe kanë edhe një kompani të përbashkët”, thuhen në përgjigjen e kompanisë “Fortesa shpk” dhënë për OSHP’në.

    Për të gjitha këto pretendime, “Fortesa shpk” sipas vendimit, ka ofruar më dëshmi biseda në Whatsapp dhe në telefon të cilat argumentojnë pretendimet e tyre.

    Përgjigja e kompanisë “Eing COM” për OSHP

    Në ditën kur ishte arrestuar Drilon Etemi, Gazeta Insajderi e kishte kontaktuar kompaninë “Eing COM” për të konfirmuar nëse ishin në dijeni se kishte dyshime se iu ishte falsifikuar vula për një tender.

    Ata deklaruan se nuk janë në dijeni dhe nuk kanë të bëjnë më këtë rast.

    Kurse kompania “Eing COM” i ishte përgjigjur Komunës së Gjilanit duke konfirmuar se i njëjti dokument nuk është nënshkruar dhe as vulosur nga ta.

    Kjo përgjigje është përfshirë edhe në vendimin e OSHP-së për diskualifikim të kompanisë “Fortesa SH.P.K”.

    “Marrëveshja e prezantuar nga Grupi i Operatorëve Ekonomikë “Fortesa SHPK” & “N.P Auromont” në aktivitetin e prokurimit të lartshënuar nuk është lidhur, vulosur dhe nënshkruar nga ana e personit të autorizuar të kompanisë “EING COM” dhe si e tillë kjo marrëveshje është inekzistente dhe nuk ka vlefshmëri të marrëdhënies juridike për kompaninë “EING COM”” – thuhet në përgjigjen e datës 24.10.2023 për Komunën e Gjilanit si Autoritet Kontraktues.

    “El BAU” shantazhoi edhe kompaninë “Bageri”

    Kompania “Fortesa shpk” pretendon se kompania “El BAU” ka shantazhuar edhe pronarin e kompanisë “Bageri” Bujar Shabanin që të mos ofroj kopje fizike të marrëveshjes që kishin arritur.

    “Të njëjtin shantazh kjo kompani e ka bërë edhe me kompaninë NPSH “BAGERI”, me të cilën gjithashtu kemi dorëzuar marrëveshje për shfrytëzimin e një makinerie për të cilën marrëveshje kemi dëshmi e-mailin e dërguar nga këta të fundit” thuhet në përgjigjen e tyre.

    Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje tek kompania “Bageri” lidhur me këtë akuzë, por nuk kanë kthyer përgjigje.

    Insajderi po ashtu ka kontaktuar edhe kompaninë “EL BAU” por nuk kanë dashur të bashkëpunojnë lidhur me pretendimet e denoncuesit.

    /Gazeta Insajderi/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark