×
  • Lajme
  • Lajme

    A ia la fajin Blick Kanunit për rastin që tmerroi Zvicrën?

    Insajderi
    02 November 2022 - 11:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gazeta zvicerane “Blick” sot raportoi për një skandal të madh, që dyshohet se është përfshirë një familje shqiptare. Në ballinë ziceranja përveç lajmit “Katër gra u mbajtën skllave nga një kosovar”, kishte bashkangjitur edhe dy artikuj të tjerë me titujt: “Ky është Kanuni” dhe “Kanuni uzurpon edhe Zvicrën”. A ia la fajin Blick Kanunit për rastin që tmerroi Zvicrën?

    Siç raportohet, në Bern disa gra u mbajtën si skllave për 16 vjet – pa e vënë re askush. Mosha e tyre thuhet të jetë nga 14 deri në 17 vjet.

    Sipas aktakuzës, patriarku 65 vjeçar me prejardhje nga Kosova, i udhëzoi djemtë e tij se si të silleshin me “gratë” e tyre: me dhunë brutale fizike dhe psikologjike. Gratë janë rrahur, poshtëruar, kërcënuar me vdekje, izoluar dhe dhunuar vazhdimisht nga anëtarët e familjes.

    Viktima e parë u soll në Zvicër nga Shqipëria në vitin 2003. 17-vjeçarja atëherë e njihte burrin e saj vetëm nga fotot, martesa e detyruar mes vjehrrit ishte rregulluar. Prindërve të së resë iu premtuan se vajza e tyre do të kishte një jetë më të mirë në Zvicër. Një vajzë tjetër ishte vetëm 14 vjeç, jetonte në varfëri dhe sipas hetuesve, prindërit e saj ia shitën torturuesve për një shumë prej 300 eurosh.

    “Edhe pse ishte shtatzënë, ai e ka rrahur nusen deri sa i ka dalë gjak dhe e ka shtrënguar në fyt me të dyja duart”. Njëra prej viktimave duhej t’i lante këmbët vjehrrit dhe kunatit çdo mbrëmje.

    Gratë rrallë lejoheshin të dilnin vetëm nga banesa dhe nuk kishin pothuajse asnjë kontakt me familjet e tyre në shtëpi. Duhej të bënin punët e shtëpisë nga mëngjesi në mbrëmje. Pas 16 vitesh në Zvicër, njëra nga gratë nuk mund të fliste gjuhën e saj, ajo ishte këtu ilegalisht.

    Bazuar në aktakuzë, shumë veprime duket t’i kenë rrënjët në Kanun. Madje, një lidhshmëri e bëri edhe vet gazeta Blick.

    Në ballinë zviceranja përveç lajmit “Katër gra u mbajtën skllave nga një kosovar”, kishte bashkangjitur edhe dy artikuj të tjerë me titujt: “Ky është Kanuni” dhe “Kanuni uzurpon edhe Zvicrën” – mbase duke aluduar në atë se ky skandal vjen si rrjedhojë e ligjeve të kanunit.

    Ballina e Gazetës Zvicerane “Blick”

    Ja çfarë shkruhej në artikullin: Ky është Kanuni.

    Kanuni është e drejta zakonore shekullore shqiptare. Ka mbijetuar në disa versione rajonale. Në zonat e thella malore në veri të Shqipërisë dhe në Kosovën perëndimore, popullsia jetonte larg qeverisë dhe gjyqësorit. Prandaj njerëzit atje zhvilluan sistemin e tyre ligjor. Parimet e tij u transmetuan gojarisht.

    Kanuni bazohet në nder dhe përmban legjislacion që mbulon pothuajse çdo aspekt të jetës së fshatarëve: familjen, martesën, trashëgiminë, të drejtat e tokës dhe tregtinë. Ai përmban gjithashtu dispozita penale, duke përfshirë rregullat për gjakmarrjen. Fokusi është te i zoti i shtëpisë, i cili zakonisht është burri më i vjetër në familjen e gjerë. Sistemi është shumë patriarkal dhe pozita e gruas është përkatësisht e dobët. Ajo çon në krim edhe sot.

    “Kanuni uzurpon edhe Zvicrën”

    Kanuni, e drejta zakonore e shqiptarëve që jepej gojarisht, përdorej për të rregulluar mosmarrëveshjet mbi tokën dhe trashëgiminë. Ose dënime të caktuara, për shembull në rastin e vjedhjes, tradhtisë bashkëshortore ose vrasjes.

    Edhe sot kanuni përdoret për mosmarrëveshje për tokën, paratë apo borxhet. Ndonjëherë mjafton një fjalë e keqe për një anëtar të familjes – tashmë nderi është shkelur. Këtu në Zvicër gjakmarrjet kryhen vazhdimisht.

    Rreth gushtit 2019. Një nënë shqiptare e katër fëmijëve († 34) nga Dietikon ZH pagoi me jetë ndarjen nga i shoqi. Burri thuhet se e ka rrahur, abuzuar dhe ushtruar presion masiv ndaj saj prej vitesh. Ai vrau gruan e tij në banesën e saj. Ajo kishte plagë me thikë dhe prerje në të gjithë trupin. Burri ishte i bindur: gruaja nuk ka të drejtë të jetojë pa të” – shkroi Blick.

    Më në fund viktimat janë në një vend të sigurt

    Avokati Dominic Nellen përfaqëson dy nga gratë në gjykatë dhe i ka shoqëruar për tre vjet. “Gratë janë të mbrojtura mirë nga gjyqësori. Jeni në një vend të sigurt”, thotë ai për Blick. Avokati nuk mund të thotë asgjë për rreth dhjetë fëmijët që kanë lindur në famlije – për t’i mbrojtur ata.

    Ndryshe,javën e ardhshme, një burri kosovar me katër djemtë e tij do të dalë para gjykatës rajonale të Moutier BE, raporton gazeta Blick.

    GAZETA INSAJDERI

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark