Fatmir Sheholli, Drejtor i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike ka thënë që kërkesa e Presidentit Vuqiq që në Veri të Kosovës të e marrë kontrollin EULEX-i e KFOR-i dërgon kah mundësia që në atë pjesë të rikthehet aplikimi i rezolutës 12/44, më saktë UNMIK-ut.
Insajderi
Situata në Veri të Republikës së Kosovës deri tash në aspektin politik ka ndryshuar në drejtim të tërheqjes së përfaqësuesve politik, dhe zyrtarëve të institucioneve të sigurisë e atyre të drejtësisë nga komuniteti serb atje. Pos që kryetarët e komunave në Veri kanë dhënë dorëheqjeje, edhe policët kosovarë nga komuniteti serb, që është shumicë në atë regjion, i kanë dorëzuar uniformat e armët zyrtare në Stacionin Policor në Veri të Mitrovicës.
Të hënën, forca të EULEX-it janë parë tek hyjnë në po këtë stacion. Derisa po ndodhin këto zhvillime, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuqiq ka kërkuar që në këtë pjesë të Kosovës të e merr kontrollin KFOR-i e EULEX-i, por a fshihet diçka tjetër pas kësaj kërkese të tij.
Fatmir Sheholli, drejtor i Instituti për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike ka thënë që kjo deklaratë e Presidentit Vuqiqi dërgon kah rreziku i aplikimit të serishëm të rezolutës 12/44 të OKB-së, apo praktikisht rifuqizimin me kompetenca të UNMIK-ut në atë zonë.
“Opsioni më i keq do të ishte ai i kthimit të rezolutës 12/44 për zonën për Veriun, dhe Presidenti serb po e synon këtë me kërkesën e tij që në atë pjesë të jenë përgjegjës kFOR-i e EULEX-i. Ajo situatë do të ishte më e keqja e mundshme”, ka thënë Sheholli për Insajderin.
Ai ka thënë se në situatën që jemi tash ka vetëm një zgjidhje, që sipas tij për situatën në veri të mbahet një konferencë ndërkombëtare që do ta udhëheqte SHBA-ja.
Gjithçka ka nisur kur Qeveria e Kosovës më 28 tetor mori një vendim të ri lidhur me konvertimin e targave ilegale të lëshuara nga Serbia në legale RKS.
Vendimi pësoi disa ndryshime, por sërish mbeti në fuqi. Kryeministri Kurti njoftoi se deri me datën 21 nëntor do të jetë në fuqi masa e qortimit. Pastaj nga 21 nëntori deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes.
Nga 21 janari për dy muaj do të ketë targa provuese dhe pas 21 prillit 2023 s’do të ketë targa të tilla.
Pas kësaj filluan reagimet nga Beogradi.
Katër ditë më parë, ish-komandanti i Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore, Nenad Gjuriq u shkarkua pasi që refuzoi ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat ilegale serbe.
“Me datë 03.11.2022, u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me rekomandim të IPK-së ka suspenduar nga ushtrimi i detyrave të përgjithshme të punës dhe autorizimeve policore drejtorin rajonal të Mitrovicës Veri, për mosrealizim të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.
Pas kësaj dorëheqje, Gjuriq mori përkrahje nga të gjithë serbët, përkrahjen më të madhe e pati nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Çdo qytetar i ndershëm serb është krenar me ty sot dhe shteti serb do të jetë me ty. Të jesh i sigurt që nuk je vetëm”, raportohet t’i ketë thënë Vuçiq, Gjuriqit.
Lista Serbe vendosi që të largohet nga institucionet qendrore të Kosovës si dhe nga komunat në veri të vendit pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.
Pas shkarkimit të ish-komandantit serb edhe zyrtarë tjerë të këtij komunitetit dhanë dorëheqje.
Të shtunën e 5 nëntorit u raportua se më shumë se 300 policë serbë nga Veriu i Kosovës kanë hequr uniformat e Policisë së Kosovës.
Sot, edhe zyrtarisht Kuvendi i Kosovës njoftoi se dhjetë deputetët e Listës Serbe kanë dorëzuar mandatet e tyre si deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Një ditë më parë në veri të vendit u protestua. Një numër i madh i qytetarëve serbë u panë në sheshin “Car Lazar” me flamujt e Serbisë si dhe duke dëgjuar muzikë nacionaliste, protesta e thirrur nga serbët e veriut përfunoi pa incidente.
Në këtë protestë fjalën e ka marrë edhe kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili ka ripërsëritur kërkesat që të mos zbatohet vendimi i qeverisë për targat si dhe të formohet asociacioni.
Të pranishëm në protestë ishin edhe kryetarët e komunave veriore që kanë dhënë dorëheqje dhe zyrtarët policorë të cilët kanë dorëzuar dje uniformat.
Ndërkohë, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka proceduar kërkesën për zëvendësim të dhjetë deputetëve të dorëhequr të Listës Serbe.
Ai ka thënë se ligji e thotë shumë qartë rastin e dorëheqjeve të deputetëve.
“Unë mendoj se me këtë ngjarje nuk ka ndodhur kurrfarë rrezikimi i rendit kushtetues të Kosovës. Kuantitativisht na ka ndodhë largim më i madh se ky, sepse këso dorëheqje nuk kemi pasur kurrë, por në aspektin ligjor është e njëjta procedurë siç ndodhë edhe me deputetë tjerë”, sqaroi kryetari i Kuvendit.
Tensionet në Veri – SHBA i bën thirrje sërish Kurtit që ta shtyjë vendimin për targat
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës i ka kërkuar kryeministri Albin Kurti edhe njëherë që të shtyjë menjëherë afatin për zbatimin e marrëveshjet për targat me Serbinë.
Përmes një komunikate për media, u është bërë thirrje edhe serbëve që të kthehen në institucione, pasi ata janë larguar.
“Në të njëjtën kohë, ne përsëri i bashkohemi BE-së për t’i kërkuar autoriteteve kosovare që të respektojnë detyrimet e tyre pa ndonjë vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të ri-regjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM,derisa të zgjidhet çështja e targave nga palët në kuadër të dialogut”, thuhej në përgjigje.
Kurti: Serbia e ka zorin diku tjetër, jo te targat e asociacioni
Sot, Kryeministri, Albin Kurti ka folur për dorëheqjet e serbëve nga institucionet dhe protestën e së dielës në veri të Mitrovicës.
Kurti ka thënë se serbët po i bëjnë këto veprime të orkestruara nga Serbia, vetëm për shkak të kundërshtimit të projektit franko-gjerman.
“Ajo çka po ndodh tani është përpjekja për ta ambalazhuar kundërshtimin e propozimit franko-gjerman. Këto veprime po i bëjnë për shkak të kundërshtimit të nismës franko-gjermane apo propozimin e këtyre dy fuqive evropiane. Nuk bëhet fjalë për tabela, as për asociacionin e as për suspendimin e Nenad Gjuriqit. Bëhet fjalë vetëm për refuzimin që ia kanë bërë Parisit dhe Berlinit. Me koordinimin e ngushtë që e kanë me Kremlinin dhe Putinin po i përdorin këto metoda”, ka deklaruar Kurti, përcjell Insajderi.
Tutje, ai ka thënë se Serbia qartazi është e interesuar për ta sabotuar dialogun dhe çdo marrëveshje të arritur.
“Rruga që e ka zgjedhur është destabilizimi, nuk është rrugë e paqes. Përpjekjet e tilla do të jenë të pasuksesshme sepse shteti jonë është demokratik dhe i rreshtuar me SHBA-të, BE-në e NATO-n. Ka propagandë për lajme të rreme e inskenim të incidenteve të ndryshme nga Serbia”, është shprehur kryeministri.
Përkrahë Kurtit foli edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili tha se “Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendime tërësisht të ligjshme lidhur me targat”.
/GazetaInsajderi