×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Abazi: Kurti ka zgjedhur rrugën e gabuar, Kosova duhet të dalë nga kurthi i Serbisë

    Insajderi
    15 June 2023 - 11:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputeti Haki Abazi ka reaguar pas kidnapimit të tre policëve kosovar nga policia serbe.

    Abazi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Serbia ka aleat Rusinë për të vazhduar në kursin e saj të destabilizimit të Ballkanit me qëllim të vendosjes së hegjemonisë dhe dominancës rajonale dhe shtimin e pazarit për Rusinë kundrejt Evropës dhe SHBA-ve. Sipas tij Kosova duhet që të dalë nga kurthi i Serbisë ku kemi rënë.

    “Përbrenda Kosovës nuk po shihet që ka as seriozitet, as gatishmëri por as edhe kapacitet për të kuptuar dhe për te sinkronizuar interesat afatgjata e strategjike të vendit tonë me shtetet dhe institucionet e botës demokratike. Kurti ka zgjedhur rrugën e gabuar për të realizuar të drejtën e Kosovës për veprim institucional”, ka shkruar Abazi.

    Deputeti Abazi ka përmendur disa nga prioritetet që  duhet të jenë në Kosovë, përfshirë këtu garantimi i integritetit territorial dhe funksionimi i institucioneve vitale përfshirë edhe një diplomaci aktive për të rivendosur kanalet e komunikimit me kryeqytetet e vendeve demokratike

    “Kthimi i policëve të kidnapuar, Lirimi i qytetarëve Kosovar të arrestuar në Serbi, Ndërtimi i konsensusit dhe kohezionit gjithë partiak, Koordinimi i afërt dhe i rregullt me Shqipërinë, Shtendosja e situatës në veri, Kthimi normalitetit në jetën e përditshme, Luftimi i krimit dhe korrupsionit në gjithë territorin e republikës”, ka thënë Abazi.

    Tutje, siç thotë ai, dëmi i shkaktuar  është shumë i madh tanimë, mirëpo sipas tij kjo nuk do të thotë që duhet thelluar dimensionet e këtij dëmi dhe afatin e rikthimit në procese integruese e bashkërenduese.

    “Kosova e zhvilluar dhe e ardhmja saj si pjesë e familjes euroatlantike është më e rëndësishme se çfarëdo arsyetimi dhe diskursi i momentit apo fati i individëve që kanë edhe përgjegjësi të veshur me votë. Me kokë të ftohët duhet reflektuar dhe vepruar në këtë fazë të realitetit që na rrethon, pa humbur fokusin nga e ardhmja dhe qëllimet tona si komb Evropian. Dëmi i shkaktuar  është shumë i madh tanimë por kjo nuk do të thotë që duhet thelluar dimensionet e këtij dëmi dhe afatin e rikthimit në procese integruese e bashkërenduese”, përfundon statusi i tij.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark