Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ende nuk ka reaguar rreth incidentit në ndeshjen SC Gjilani – Ballkani (1:1, ndeshje e ndërprerë) për shkak të sulmit barbar të tifozëve vendës ndaj portierit Stivi Frashër në fund të ndeshjes, shkruan Insajderi.
Ndonëse FFK ka reaguar nëpërmjet një komunikate zyrtare, numri një i FFK-së Ademi nuk e ka bërë një gjë të tillë edhe pse tashmë kanë kaluar disa orë nga incidenti.
Afërsia me presidentin e SC Gjilanit, Florim Zuka, duket se është duke ndikuar fuqishëm te Agim Ademi, pasi ende si kryetar i FFK-së që është nuk ka reaguar për incidentin e turpshëm.
Ai nuk ka marrë mundin të reagojë në rrjetet e tij sociale apo me ndonjë konferencë për medie.
Ademi këto ditë ka marrë pjesë në Kongresin e FIFA-s në Katar, prej ku ka bërë postime të shpeshta në “Facebook” duke shpërndarë fotografi e video me fytyrat më eminente të futbollit botëror që janë tubuar në Doha. Atje ishin edhe homologët e por as Armand Duka nga Shqipëria e as Muhamed Sejdini nga Maqedonia nuk kanë bërë si Ademi.
Duka e ka bërë vetëm një postim nga Doha, kurse Sejdini asnjë, derisa Agim Ademi plot shtatë publikime si me Gianni Infantino, Aleksander Ceferin, Luis Figo, Zvonimir Boban, etj.
Disa nga këto publikime të Ademit janë shpërndarë edhe në faqen zyrtare të Federatës, të cilat nga mbështetësit e Ademit janë përdorur për t’i bërë fushatë liderit, i cili pavarësisht telasheve të mëdha me drejtësinë e Kosovës, ai e dëshiron edhe një mandat të rradhës.
Agim Ademi pritet të marrë edhe një mandat tjetër të mërkurën më gjashtë prill (6), pasi është kandidati i vetëm në Kuvendin që do të mbahet.
FFK nuk ia verifikoi nënshkrimet kundër-kandidatit të vetëm të Ademit, Gramoz Vokrrit duke e mos e lejuar që të garojë.
Ministria e Rinisë, Sportit dhe Kulturës ka konstatuar se thirrja e Kuvendit të gjashtë prillit shkelje ligjore dhe statutore. /Insajderi.org/