×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Adoptimi i qenve joefektive – rritet prezenca e tyre në kryeqytet

    Insajderi
    22 April 2024 - 12:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka njoftuar se në prill të vitit 2024 numri i përafërt i qenve endacakë në Prishtinë është 4351, ndërkaq në prill të vitit të kaluar ka qenë 3772.

    “Në fillim të muajit Prill 2024, organizata jonë ka kryer anketimin e radhës për dinamikën e popullsisë së qenve endacak në Prishtinë për të kuptuar efektin e projektit të KSVL-së të zbatuar nga Komuna e Prishtinës gjatë vitit 2023. Në bazë të të dhënave të mbledhura nga ky anketim, del që për periudhën Prill 2024, numri i përafërt i qenve endacak në Prishtinë është: 4351. Ky numër tregon një rritje nga periudha e njejtë nga viti i kaluar, kur numëronim 3772 qen në rrugë në komunën e Prishtinës.”

    FDK ka thënë se përqindja totale e sterilizimit ka pësuar rënie në krahasim me vitin e kaluar.

    “Përqindja totale e sterilizimit, ka shënuar një rënie në krahasim me vitin e kaluar: Këtë vit 56,18% e qenve të identifikuar në rrugë ishin të kastruar/sterilizuar, krahasuar me 58,61% në pranverën e vitit 2023 dhe me 59,92% në vjeshtë të vitit 2022.”

    “Të dhënat e fundit tregojnë që masat e ndërmarra nga komuna për menaxhimin e popullsisë së qenve, kanë pasur efekt regresiv në kontrollin e riprodhimit të qenve në rrugë.”

    Vendimi i Komunës së Prishtinës për adoptimin e qenve endacakë, ku fondacion e cilëson si joefektive.

    “Sa i përket iniciativës së promovimit të adoptimeve të qenve endacak nga komuna e Prishtinës, në këmbim të përfitimeve monetare, mund të konkludohet si iniciativë jo efektive, e cila nuk ka ndikuar aspak në uljen e numrit të qenve endacak në Prishtinë. Në lidhje me këtë iniciativë, organizata jonë qysh në fillim e ka konsideruar këtë masë si masë të gabuar dhe joefektive dhe që shuma e 50 euro në muaj të dedikohet për kastrimin/sterilizimin e qenve me mbajtes/pronar dhe për mbështjetjen e identifikimit & regjistrimit të qenve me mbajtes/pronar që të parandalohet bindshëm shtimi I qenve në rrugë nga braktisja në Komunë të Prishtinës. Megjithatë komuna ka vendosur të mos i pranojë këshillat e shoqërisë civile të cilët i kritikon në vazhdimësi për “mosofrim të ndihmës në zgjidhjen e problemit me qentë endacak”.

    “Edhe një herë po vërtetohet që institucionet tona nuk po fokusohen tek burimet e këtij problemit (qentë me pronar , mbarështimi dhe braktisja) dhe çdo masë që po ndërmirret për ndalimin e riprodhimit, bëhet pa kërkuar punë serioze nga operatorët dhe pa përfshirë shoqërinë civile në monitorim dhe vlerësim të projekteve të tilla, për të mirën e projekteve dhe situatës.”

    Organizata u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të punojnë intensivisht dhe me seriozitet në zbatimin e masave të Strategjisë Kombëtare, “si mënyra e vetme për reduktimin e numrit të qenve në rrugë në mënyrë të qëndrueshme dhe efektive”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark