×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza

    Afera me diploma – Insajderi zbulon emrat e kolegjeve private që i fshehu Avokati i Popullit

    Insajderi
    23 December 2021 - 15:18

    Edhe pse zyra e avokatit të Popullit i ka fshehur emrat e kolegjeve private në aferën me diploma, Gazeta Insajderi nga burime brenda këtij institucioni ka zbuluar emrat e kolegjeve për të cilat është punuar ky raport. Bëhet fjalë për kolegjet private “Iliria” e “Juridica”.

    Në raportin me rekomandime të përpiluar nga Zyra e Avokatit të Popullit drejtuar Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci përmend shtatë ankesa. Gjashtë kanë të bëjnë me dy Kolegje private “Iliria”, “Juridica”, dhe një rast ka të bëjë me Universitetin Publik “Ukshin Hoti” në Prizren.

    Emrat e dy kolegjeve private janë fshehur, janë hijezuar me ngjyrë të zezë pa u dhënë ndonjë sqarim nga Zyra e Avokatit të Popullit pse, por, përmend saktë rasti i mos njohjes së diplomave të lëshuara nga Universiteti Publik “Ushkin Hoti”, në Prizren.

    Fillimisht rekomandimet për Ministrinë e Arsimit fillojnë me një shkelje që ishte bërë në vitin 2018 nga Universiteti Publik i Prizrenit. Një grup prej 105 studentësh ishin dëmtuar. Studimet nuk kanë mundur t’i vazhdojnë për shkak mos njohjes së diplomës nga vende të huaja. Mungonte verifikimi i diplomave.

    Në raportin 16 faqesh të avokati të Popullit ceket se si më 16 janar 2018 ky institucion kishte pranuar ankesën e z. M.K (emër i njohur për redaksinë), në emër të një grupi prej 105 (njëqind e pesë) studentësh të diplomuar në Universitetin Publik të Prizrenit “Ukshin Hoti” (më tej: UPP), në drejtimet: gjuhë dhe letërsi angleze, matematikë – informatikë, fizikë – kimi, të regjistruar në vitin akademik 2012/2013, për, siç theksonin ata, mosnjohjen e diplomave jashtë Republikës së Kosovës duke ua pamundësuar kështu vazhdimin e studimeve sipas përcaktimeve të tyre.

    Gjashtë rastet e tjera aktive që kjo zyrë posedon kanë të bëjnë me kolegjin privat “Iliria” e “Juridica”.

    Ka qenë F.J (emër i njohur për redaksinë), që e ka raportuar rastin e mosnjohjes së diplomës së lëshuar nga Kolegji privat “Iliria”.

    “Avokati i Popullit, në bazë të nenit 16, paragrafi 1, të Ligjit nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit, më 29 prill 2021 e ka pranuar ankesën e z.F.J parashtruar kundër Kolegjit “Iliria” dhe kundër Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), që ka të bëjë me mosverifikimin e diplomës”.

    Siç ceket në raport, ankuesi më 19 shkurt 2019 i kishte përfunduar studimet në Kolegjin “Iliria”, në programin studimor Master i Shkencave në Inxhinieri Softuerike. Pavarësisht faktit se Kolegji “Iliria” ka pasur akreditim në vitin akademik 2016/2017, kur është regjistruar ankuesi, atij nuk i njihet diploma në Gjermani.

    F.J i cili jeton në Gjermani ka deklaruar se autoritetet gjermane atje ia refuzuan njohjen dhe barasvlerësimin e nivelit të studimeve të përfunduara.

    “Ky refuzim bazohet në mungesën e akreditimit të Kolegjit “Iliria”, për shkak se programi i studimit nuk ka qenë i akredituar me rastin e diplomimit të gjeneratave sipas vitit akademik 2016/2017”.

    Pavarësisht se ankuesi ka marrë një konfirmim zyrtar nga Agjencia e Kosovës për Akreditimi, 4 sipas të cilit konfirmohej se programi studimor Inxhinieri Softuerike/MSc i Kolegjit “Iliria” i është nënshtruar procesit të akreditimit dhe kërkesa e tyre për akreditim ishte miratuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, përsëri problemi i tij nuk është zgjidhur pasi autoritetet gjermane për njohjen e barasvlerësimit kërkojnë akreditimin e programit më 19 shkurt 2019 dhe nuk e njohin diplomën për shkak se në kohën e diplomimit të ankuesit, Kolegjit “Iliria” i ishte refuzuar riakreditimi.
    Ndonëse nga Zyra e Avokatit me 4 qershor të 2021 kishin kërkuar përgjigje nga Kolegji “Ilira”, për këtë çështje, të njëjtin nuk kishin kthyer përgjigje.

    Ky kolegj siç ceket në raport kishte kërkuar riakreditim për programin Inxhinieri Softuerike por ishte refuzuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim. Pavarësisht kësaj kishte vazhduar të lëshojë diploma.

    Kolegji “Iliria” akreditimet i mungon edhe për programet tjera

    Edhe ankesa tjetër e F.B është ndaj Kolegjit “Iliria”, veçse tash për një program tjetër. Emri i të cilit është zbuluar nga Gazeta Insajderi pasi nga Zyra e Avokatit të Popullit ishte fshehur.

    Ankesa e F.B nga zyra e Avokatit është pranuar me datë 21 shtator 2020. I njëjtit nuk po mund ta verifikojë ende diplomën e fituar.

    “Ankuesi i kishte regjistruar studimet në Kolegjin “Iliria” në vitin akademik 2014/2015, në programin studimor Menaxhment dhe Informatikë, studimet i kishte përfunduar në vitin 2017 dhe ende nuk mund ta verifikojë diplomën e fituar”.

    Më 13 gusht 2020 F.B i ishte drejtuar MAShTI-t me kërkesë për verifikimin e diplomës, mirëpo sipas pohimit të tij, ai nuk kishte marrë përgjigje me shkrim, por ishte njoftuar vetëm gojarisht se MAShTI se nuk mund ta bënte verifikimin e diplomës për shkak se Kolegji “Iliria” nuk e kishte dorëzuar librin amë.

    Më 20 tetor 2020, përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, nëpërmjet adresës elektronike, kishte kërkuar informata nga Kolegji “Iliria” lidhur me rastin e mosverifikimit të diplomave të lëshuara nga kolegji. Në të njëjtën ditë, përfaqësuesi i Avokatit të Popullit kishte marrë përgjigje, sipas së cilës ishte informuar se Kolegji “Iliria” më 12 nëntor 2019 kishte parashtruar padi në gjykatë për kompensimin e dëmit dhe kishte dërguar kopjen e skanuar të padisë së parashtruar.

    Teksa më 25 janar 2021, përfaqësuesi i Avokatit të Popullit thotë se është informuar nga inspektori i arsimit se ende nuk ishte ndërmarrë diçka konkrete se si do të veprohej lidhur me verifikimin e diplomave.

    Telashe edhe me programin Menaxhment Shëndetësor të Kolegjit Privat “Iliria”

    F.H (emër i njohur për redaksinë), ka deklaruar se në vitin 2017 kishte përfunduar studimet në Kolegjin “Iliria”, në nivelin master, në programin Menaxhment Shëndetësor, më 12 shtator 2018 kishte parashtruar kërkesë për verifikim, mirëpo që nuk kishte marrë përgjigje.

    Në anën tjetër Zyra e Avokatit të Popullit kishte pranuar një përgjigje nga Ministria e Arsimit.

    “Ministria ka ndërmarr disa veprime konkrete për zgjidhjen e kësaj problematike dhe si rrjedhojë ka formuar një komision në fillim të vitit 2018, përgjegjës për mbledhjen e gjithë dokumentacionit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, të cilat nuk kanë respektuar afatet për dorëzimin e këtyre librave amë. Aktualisht është formuar një komision tjetër, i cili është duke rishikuar Udhëzimin Administrativ për verifikim të këtij dokumentacioni. . .”, thuhet në raport.

    Edhe një ankesë tjetër që ndodhet në duart e avokatit të Popullit ka të bëjë me Kolegjin “Iliria”.

    Në raport thuhet se ankuesi kishte pohuar se ishte regjistruar në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në Fakultetin Juridik, në vitin akademik 2011-2012, kurse në vitin akademik 2015-2016 ishte transferuar në Kolegjin “Iliria” dhe kishte diplomuar në vitin 2016, mirëpo nuk mund ta verifikonte diplomën.

    Ankesa tjetër është ndaj Kolegjit privat “Juridica”

    D.SH (emër i njohur për redaksinë), me 26 korrik të 2019-ës ka dorëzuar ankesën e tij parashtruar Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë (MAShT), për shkak të mosnostrifikimit të diplomës së nivelit Master të studimeve të përfunduara në Kolegjin universitar “Juridica”.

    “Sipas shkresës me nr. 80/2019 të prezantuar nga pala, e lëshuar më datë 1.8.2019 nga Kolegji “Juridica” për MAShT-in, ku kolegji pretendonte se ka bërë dorëzimin e librit amë në MAShT dhe se tjetrin libër origjinal e posedonte në arkivin e kolegjit, por që pretendohej se librat janë humbur nga personat përgjegjës në MAShT”, thuhet në raport.

    Kolegji “Iliria” me mungesë të akreditimit edhe në programin Banka, Financa dhe Kontabilitet

    Ankesa e fundit lidhet sërish me Kolegjin privat “Iliria”. Kësaj radhe mos njohje e diplomës, mungesë të akreditimit ka edhe në programin Banka, Financa dhe Kontabilitet niveli bachelor.

    D.B (emër i njohur për redaksinë) thotë se ka përfunduar studimet në Kolegjin “Iliria”, në programin studimor Banka, Financa dhe Kontabilitet, niveli Baçelor, në vitin akademik 2016/2017, kurse më 28 maj 2019 i ishte drejtuar MAShTI-t me kërkesë për verifikimin e diplomës, por nuk kishte marrë përgjigje.

    Ankuesi kishte pohuar se programi studimor të cilin e ka përfunduar ishte i akredituar, mirëpo kolegji nuk i kishte dorëzuar librat amë në afatin ligjor.

    Raporti siç është bërë me dije ka kaluar tani në duar e institucioneve kompetente./GazetaInsajderi

    Lexo edhe:

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark