×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Afërsia e pushtetarëve me spitalet private – Osmani në “Aloka”, Vitia i lidhur me “Olive”, Luan Dalipi me “Avicena”

Insajderi
03 November 2022 - 12:44
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

E para e shtetit Vjosa Osmani, zgjodhi që për një intervenim të lehtë siç po konsiderohet nga kirurgët e QKUK-së të zgjedh spitalin privat “Aloka” për ta kryer operacionin duke anashkaluar sektorin publik. Ish-ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, pasi u largua nga posti më i lartë i Shëndetësisë në Kosovës, zgjodhi laboratorin privat ”Olive” për të punuar. Derisa bashkëshortorja e shefit të kryeministrit, Luan Dalipit është punësuar në “Avicena”. Përveç injorimit që zyrtarët e shtetit po i bëjnë shëndetësisë publike ikjen e vazhdueshme e mjekëve në vitet e fundit është alarmante

Presidentja Vjosa Osmani, të mërkurën i është nënshtruar një operacioni për heqje e tëmthit (idhzës).

Këtë operacion e para e shtetit, ka zgjedhur ta bëjë në një spital privat e jo në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.

Zyra e Presidentes e ka konfirmoi se mbrëmë është kryer intervenimi.

“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se dje (2 nëntor), pas rekomandimit nga mjekët specialistë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit), i cili është realizuar me sukses”, thuhet në njoftimin e presidentes.

Edhe pse kjo ndërhyrje në QKUK gjithmonë ka rezultuar 99.9 për qind e suksesshme, Presidentja Osmani ka zgjedhur të shkojë në spitalin privat i cili është në pronësi të kirurgut Halit Maloku, i cili akuzohet se ia harroi një pacienti fashën në trup, shkruan Gazeta Insajderi.

Lidhur me këtë në gusht të këtij viti, në Prokurorinë Themelore të Prishtinës është dorëzuar një kallëzim penal ndaj Maloku.

Një qytetar nga Prishtina akuzoi Malokun se ia kishte harruar një fashë në trup, pas operacionit të parë që e kishte kryer në spitalin “Aloka”.

Ndërhyrjen në zorrë qorre, Adrian Bajrami e kishte kryer shtatë muaj më parë, por pavarësisht kësaj 38 vjeçarit gjendja shëndetësore vetëm sa iu kishe përkeqësuar. Më pas, Bajramit kishte pasur një tjetër ndërhyrje ku kirurgët e QKUK-së ia kishin gjetur një trup të huaj, fashë, nga operacioni i parë.

Pavarësisht kësaj presidentja duke anashkaluar shëndetësinë publike e zgjodhi spitalin privat “Aloka”.

Të indinjuar me veprimin e Presidentes Osmani, që më parë ka zhedhur klinikën private para Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, kanë reaguar ashpër kirurgët e QKUK-së.

 Në një reagim të nënshkruar nga 18 kirurgë, është shprehur kritika e tyre për anashkalimin e institucionit publik, në këtë rast Klinikës së Kirurgjisë Abdominale në QKUK, nga presidentja Osmani.

“Duke u bazuar në situatën aktuale Kolegjiumi i Kirurgëve të Kosovës reagon ndaj anashkalimit të Presidentes së Republikës së Kosovës znj. Vjosa Osmani, që i ka bërë këtij institucioni duke mos kërkuar trajtim shëndetësor në institucionin tonë, por pa u konsultuar fare me personelin udhëheqës,  ka marr trajtim shëndetësor jashtë SHSKUK-së”, thuhet në këtë reagim. 

Kirurgët kanë deklaruar se ky operacion për heqjen e tëmthit është një procedurë rutinë që kryhet në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale që nga viti 1999 me përqindje të suksesit 99.9 për qind.

“Injorimi dhe nënçmimi që presidentja i ka bërë kolegjiumit të Kirurgëve e në veçanti institucionit mbi të cilat udhëheq është e papranueshme për të gjithë”, thuhet në reagim.

Krejt në fund kirurgët i kanë uruar shërim të shpejt Presidentes Osmani duke kërkuar që në të ardhmen të mos anashkalohet sektori publik.

Vitia në Olive, gruaja e Dalipit në Avicena

Pushtetarët e qeverisjes “Krejt dhe Drejt”, të kritikuar për shpërfillje të shëndetësisë publike, gjatë këtyre 18 muajve pushtet kanë shfaqur interesim të jashtëzakonshëm për sektorin privat.

I njohin mirë biznesmenët e shëndetësisë private dhe përfitojnë nga afarizmi i tyre, shkruan Gazeta Insajderi.

Vetëm gjatë 18 muajve kanë ndodhur dy raste që faktojnë afërsinë e pushtetarëve të Kurtit me biznesmenë që drejtojnë spitale e klinika private.

Është rasti i famshëm i Arben Vitisë me spitalin “Olive”, si dhe rasti i Luan Dalipit me klinikën “Avicena”.

Dy njerëzit më të afërt të Kurtit janë përfshirë në një raport përfitimi financiar me biznesmenët e spitaleve private.

Kurti është i njoftuar me këtë.

Ndonëse njerëzit e tij të besueshëm kanë raport përfitimi me biznesmenët e shëndetësisë private, Kurti shëndetësinë publike kishte vendosur që ta linte në duartë e Rifat Latifit, një prej ministrave më të dështuar viteve të fundit.

Gazeta Insajderi sjell historinë e krijimit të raporteve të afërta me biznesmenët të dy prej njerëzve më të afërt të Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës.

Punësimi i bashkëshortës së Luan Dalipit te biznesmeni i arrestuar për teste të COVID 19

Një gëzim tjetër në familjen e njeriut të besueshëm të Kurtit, Luan Dalipit, kishte ndodhur shumë pak kohë pasi ai mori pozitë të fuqishme në Qeverinë “Krejt dhe Drejt”.

Gruaja e tij u punësua në klinikën “Avicena”.

Duket se ky ishte lajm i gëzueshëm edhe për pronarin e klinikës “Avicena”, Driton Shuki.

Ai kishte vuajtur në vitin 2020 para se të vinte në pushtet Qeveria Kurti. Ishte arrestuar dhe kishte bërë disa netë gjumë në qendrën e paraburgimit. Ai ishte arrestuar nën dyshimin se ka bartur mostra dhe rezultate të testeve.

Gjatë kontrollit atij Policia e Kosovës i pati gjetur një listë me emrat e 50 qytetarëve ku figuronin edhe rezultatet e testeve për COVID-19.

Mirëpo, pas punësimit në “Avicena” të bashkëshortes së Luanit të Albinit Kurtit nuk është raportuar më asnjëherë që afaristi Shuki të jetë bezdisur ndonjëherë nga autoritetet.

Besohet se i arrestuari i dikurshëm ka bërë jetë të qetë prej kohës që është ngjitur në pushtet Albin Kurti, shefi i burrit të bashkëpunëtores së tij në “Avicena”.

Pas punësimit në klinikën “Avicena”, të bashkëshortes së tij, Eva Myrtaj Dalipi, Luan Dalipi njoftoi se të ardhurat e saj u rritën shumë.

Për derisa në vitin 2021, sipas asaj që ka deklaruar Dalipi në Agjencinë Kundër Korrupsion, bashkëshortja e tij ka punuar në dy klinka private nga ku ka marrë në total pagë vjetore prej 15 mijë e 600 eurove, shkruan Gazeta Insajderi.

Ndërsa gjatë këtij viti Eva Dalipi, vetëm nga “Avicena” si mjeke merr pagë vjetore 14 mijë e 400 euro.

Paga duket se iu rrit edhe në klinikën tjetër Croatian klinik ku punon – ajo nga 6 mijë euro sa kishte pagën vjetore, tash merr 18 mijë euro. Ndërsa në klinikën e tretë ku punon Eva Dalipi vazhdon ta marrë pagën e njëjtë sikur vitin e kaluar 9 mijë e 600 euro në vit.

Punësimi i Arben Vitisë në Olive

Ish-ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, pasi e humbi garën për kryetar të Komunës së Prishtinës, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka nisur një rrugëtim të ri jashtë politikës.

Ai është punësuar si menaxhar në laboratorin privat “Olive”, shkruan Gazeta Insajderi.

Ndonëse u fol gjatë se do të jetë drejtor i kësaj klinike, Vitia nuk u deklarua asnjë herë për rrugëtimin e ri që do merrte, pavarësisht pyetjeve të gazetarëve.

Pozita e Vitisë në laboratorin “Olive” u bë e ditur në muajin maj, gjatë hapjes së një dege të këtij laboratori në Mitrovicë. Arben Vitia mbajti fjalim si menaxheri i ri i laboratorit.

“Investimi i bërë këtu ka disa parametra të domosdoshëm për të garantuar shërbime të sigurta. Nga aspekti teknik dhe infrastrukturor, por edhe me profesionistët shëndetësorë, plotëson kushtet e një qendre shëndetësore bashkëkohore, që plotëson shërbimet për pacientët duke pasur në vëmendje standardet evropiane të shërbimeve shëndetësore”.

“Ndaj jam i nderuar që jemi këtu bashkë në hapjen e kësaj qendre, e cila do të jetë vlerë e shtuar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore sa më cilësore për qytetarët e Mitrovicës, por jo vetëm”, ka thënë Vitia.

Por rreth punësimit të Vitisë në “Olivë” dhe pagës që merr aty është folur edhe në kuvendin e Kosovës.

U tha se paguhet me pagë të majme prej 5 mijë eurove. Rreth kësaj madje, një deputet e pati pyetur ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifin, nëse punësimi i Vitisë  në “Olive” përbën konflikt interesi pasi gjatë kohës së tij si ministër ky laborator kishte marrë licencë për teste PCR.

“A është kjo konflikt interesi pasi ajo kompani është licencuar për PCR nga Ministria e Shendetësisë. Sipas ligjit për parandalimin e Konflikt interesit zyrtari i lartë nuk ka të drejtë të punësohet ose të emërohet deri në dy vite pas përfundimit të funksionit publik.”, pyeti deputeti Haxhiu, shkruan Insajderi.

Por ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, që dje dha zyrtarisht dorëheqje nga kjo pozitë, se nëse punësimi i ish-ministrit përbën shkelje të ligjit do të merren organet kompetent.

“Kjo pyetje është jashtë konformiteti tim. Por nëse është konflikt interesi organet kompetente merren me to. Ndërsa unë mendoj që secili qytetar i Republikës ka të drejt të punojë aty ku ka dëshirë, qoftë në sektorin privat apo shtetërore”, tha ministri Latifi.

Derisa Arben Vitia, kur u thirr nga gazetarët tha se deklaratat e Haxhiut i konsideron tendencioze, por prapë kishte refuzuar të përgjigjet për pagën e tij të në detyrën e re në sektorin privat.

“… në cilën kohë është licensuar laboratori edhe kur ka filluar punën edhe për çfarë testesh është licensu edhe në kohën e kujt është licensu. Kështu që, për besë, nuk kam koment. Nuk kam reagim, ka kohë që nuk reagoj ndaj deklaratave të z. Haxhiu. Janë të pavërteta dhe tendencioze”, ishte shprehur Vitia./Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark