×
  • Sport
  • Sport

    Agim Ademi ende nën hetime për keqpërdorim të buxhetit të FFK-së

    Insajderi
    17 September 2023 - 15:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kanë kaluar më shumë se 5 muaj prej kur kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi ishte arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të buxhetit të FFK-së, ndërsa rasti është ende nën hetime.

    Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

    “Rastin për të cilin keni pyetur, është ende nën hetime”, thuhet në përgjigjen e Ulajt.

    Ademi dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i besimit” nga neni 330, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës si dhe veprën penale “Shmangie nga tatimi “nga neni 307, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Lidhur me këtë rast, më 14 prill 2023, Gjykata Themelore Prishtinë, kishte marrë aktvendim për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak, dhe Ademi ishte liruar nga kjo masë.

    Ndryshe, më 23 mars 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj Ademit, i dyshuar për “Keqpërdorim të besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”.

    Kurse, Gjykata e Apelit e kishte refuzuar kërkesën e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademit për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak, masë kjo e cila i ishte caktuar në kohëzgjatje prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

    Në raportin 24 orësh të Policisë, më 23 mars, thuhej se Ademi dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpëdorim i besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”, duke keqpërdorur buxhetin e FFK-së.

    Më 22 mars, Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte njoftuar se Ademi është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas ndërmarrjes se veprimeve paraprake hetimore, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale “Keqpërdorimi i besimit”, nga neni 330 dhe “Shmangie nga tatimi”, nga neni 307 të KPRK-së. I njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa në koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë çështje penale”, thuhej në njoftim.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Insporti
    24 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark