Për problemet e shqiptarëve në pjesë veriore të qytetit të Mitrovicës është folur në seancën e mbajtur të premtën në Kuvendin e Kosovës.
Kryekuvendari Kadri Veseli e akuzoi kryetarin e jugut të Mitrovicës, Agim Bahtirin, se nuk kishte punuar si duhet që shqiptarët të riktheheshin në veriun e banuar me serb.
Kjo edhe pse ka pasur mjete nga fondi vullnetar. Për më tepër, Veseli dhe deputetët e PDK-së, e lanë atë fajtor edhe për ngritjen e murit në veri.
Por Bahtiri e sheh si te papranueshëm drejtimin e gishtit ndaj tij për çështjen e murit.
“Kjo është një lojë politike kundër kryetarit Bahtiri dhe duhet t’iu skuqet fytyra atyre të cilët në këtë kohë nëpër të cilën po kalon Mitrovica ata ngrisin flamujt politik”, tha Bahtiri për Klan Kosovën.
Sipas tij deri tani i gjithë fondi për veriun është shpenzuar duke rregulluar 6 shtëpi, e duke shpërndarë material ndërtimor për 15 të tjera.
E në këtë situatë kryetarit Bahtiri po i del zot kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili të shtunën i erdhi në vizitë.
“Misioni i kryetarit Bahtiri është vetëm deri në urë, dhe misionin tjetër përtej urës e ka qeverisja nacionale. Është e pakuptimtë që një faj nacional t’ i bartet një kryetari komune”, ka thënë Haradinaj pas takimit me Bahtirin.
Kryetari i Mitrovicës rreth një muaj më parë vendosi që të lidhë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, pas braktisjes që Lidhja Demokratike e Kosovës i bëri koalicionit paraprak. /Insajderi.com