×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Agjencia përbrenda MINT-it që po ‘garon’ me ministrinë me shpenzime – Ku u harxhuan 61 mijë euro dhe kush pati shpenzime “kampionale”?

    Insajderi
    02 January 2024 - 20:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    61,783 euro janë shpenzimet totale të stafit të KIESA-s, Agjencisë Kosovare për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve, për ushqime dhe mëditje, akomodim, bileta dhe shpenzime të tjera nga janari deri në dhjetor të këtij viti. Kjo agjenci funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Shpenzimet e ministrisë me të cilën udhëheq Rozeta Hajdari për 11 muaj arritën vlerën e 43 mijë eurove për bileta, akomodime e meditje. Insajderi ju sjell detaje:

    Kësaj agjencie më së shtrenjti i kushtuan biletat, ku për një vit u shpenzuan 20,753 euro. Para më së shumti harxhoi zëvendësdrejtori i përgjithshëm i kësaj agjencie, Zef Dedaj. Dedajt i shkuan 10 mijë euro në total vetëm për bileta, ushqim, mëditje, akomodim dhe shpenzime të tjera në kuadër të vizitave jashtë vendit.

    Drejtori i KIESA-s që i kushtoi shtrenjtë buxhetit të Kosovës, mori nga kuleta e shtetit për një vit 2,863 euro për shpenzime të ushqimit dhe mëditje. Teksa harxhoi 3,192 euro për akomodim dhe 3.833 sosh për bileta në të njëjtën periudhë. Për një vit, Dedaj i harxhoi 575 euro “shpenzime të tjera”.

    Pesë mijë euro nga kjo agjenci kanë shkuar në “shpenzime të tjera”, të cilat s’janë definuar se çka përfshihet saktësisht. Insajderi i ka siguruar këto të dhëna përmes qasjes në shpenzimet e KIESA-s që funksionon në kuadër të MINT-it, kërkesë kjo të cilës iu janë përgjigjur pozitivisht agjencia në fjalë.

    Drejtori i Drejtorisë së Nxitjes së Sektorit Privat, Arber Muhaxheri, i harxhoi 5,160 euro për një vit për udhëtime dhe shpenzime të tjera jashtë vendit. Muhaxherit i kushtuan 1,909 euro biletat për udhëtim, 1.,304 euro shpenzimet për udhëtim dhe meditjet, 1,560 euro për akomodim dhe 385 euro i mori për “shpenzime të tjera”.

    Shpenzime të mëdha pati edhe zëvendës-shefi i Sektorit të Nxitjes së Eksportit, Mirsad Simnica. Ai ia rrumbullaksoi tetë mijë euro faturën e shpenzimeve shtetit brenda një viti. Simnica i harxhoi 3,117 euro për një vit në bileta udhëtimi, 2,227 euro për akomodim dhe 1,969 euro për mëditje dhe ushqim. Ndërkaq Simnicës i shkuan 624 euro për “shpenzime të tjera”.

    Shpenzime të larta nga kjo agjenci për shkuarje jashtë vendit kanë edhe zyrtarët e lartë.

    Kreshnik Rugova, zyrtar i lartë për promovim të eksportit, i ka harxhuar 6,450 euro për promovimin e eksportit nëpër botë. Atij i kanë shkuar 1,967 euro ushqim dhe meditje, 2,270 euro në akomodim, 1,543 euro në bileta dhe 668 euro në “shpenzime të tjera”.

    Keq me shpenzime s’ia la as zyrtari i lartë i Teknologjisë së Informacionit në kuadër të KIESA-s, Gent Berisha. Ky i fundit harxhoi në total afro 7,400 euro. Berishës për një vit i kushtuan 3,107 euro vetëm biletat për udhëtim. Ndërkaq, nga buxheti i shtetit zyrtari i lartë i IT-së mori 1,894 euro për ushqim dhe meditje, 1,872 sosh për akomodim dhe 522 euro pati “shpenzime të tjera”.

    Shifër të lartë të shpenzimeve ka arritur edhe zyrtarja për promovimin e turizmit në KIESA, Donika Mavraj. Totali i shpenzimeve për udhëtime dhe shërbime të tjera të përfshira jashtë vendit brenda këtij viti kapin shumën e 5,686 eurove. Për ushqim dhe meditje, zyrtarja për promovim të turizmit i ka të shpenzuara 1,689 euro. Ndërkaq për akomodim 2,135 euro, për bileta 1,311 euro dhe për “shpenzime të tjera” 549 euro.

    Ndonëse të dhënat dallojnë për një muaj më shumë, agjencia KIESA i ka të shpenzuara afro 18 mijë euro më shumë se MINT-i. Pra, KIESA shpenzoi 61,783 euro në udhëtime dhe shpenzimet e tjera për një vit, ndërkaq MINT-i 43,957 euro.

    Si qëndronte MINT-i me shpenzime?

    43 mijë e 957 euro është totali i shpenzimeve brenda 11 muajve nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Këto të dhëna u kuptuan vetëm pas ankesës së Insajderit në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, pasi ministrja e Rozeta Hajdarit nuk po kthente përgjigje edhe përkundër që kishin kaluar afatet ligjore.

    Më së shumti u shpenzua për përfaqësim, në total 11 mijë e 244 euro, veç vet ministrja Hajdari shpenzoi 5 mijë euro. Ndërsa dy zëvendësministrat, Mentor Arifaj 2 mijë euro e Enes Gorani 1 mijë e 371 euro.

    Përveç kësaj, 6 mijë e 705 euro shkuan për shpenzimet e përfaqësimit për delegacione si dhe punëtori.

    Në rend të dytë janë shpenzimet e derivateve, të dhënat për këtë pjesë janë koduar, janë bërë të ditura vetëm tabelat e veturave zyrtare. Dihet se shpenzimet janë nga kabineti, por nga kush specifikisht jo.

    Gjithsej nga kabineti i ministres del se janë shpenzuar 7 mijë e 95 euro.

    Pas derivateve, mijëra euro kanë shkuar edhe për mëditje e ushqim, më saktë 6 mijë e 585 euro – rekordin këtu e mbanë këshilltarja e ministres Hajdari, Zyrafete Shala.

    1 mijë e 293 euro janë shpenzuar vetëm nga zonja Shala. Pasuar nga zëvendësministri, Mentor Arifaj me 1 mijë e 47 euro.

    Ndërkaq, ministrja duket të jetë treguar më e arsyeshme mbi këto shpenzime, për 11 muaj ka shpenzuar veç 596 euro për ushqim e mëditje.

    Po kaq shpenzime thuajse janë bërë edhe për akomodim. 6 mijë e 136 euro u shpenzuan nga ministrja dhe ekipi i saj.

    “Kampione” edhe për këto shpenzime është treguar sërish këshilltarja e Hajdarit, Zyrafete Shala. Ajo ka shpenzuar hiç më pak se 1 mijë e 624 euro, në anën tjetër, ministrja ka shpenzuar veç 952 euro.

    Mbi 5 mijë euro janë shpenzuar për telefoni mobile. Nga qasja në dokumente shihet se më së shumti telefonin e ka përdorur ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari. 770 euro i ka shpenzuar ajo nga buxheti i shtetit për telefoni mobile.

    Pas saj janë dy zëvendësministrat, Mentor Arifaj e Enes Gorani, të dy kanë shpenzuar nga 770 euro.

    Ndërkohë janë shpenzuar edhe afro 1 mijë euro për shpenzimet tjera në udhëtimet zyrtare. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark