Kandidati për kryeministër i koalicionit PSD-AAK, Ramush Haradinaj, ka gjuajtur me fjalë tre kundërkandidatët e tij për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në një intervistë ekskluzive për Insajderin, Haradinaj ka thënë se Albin Kurti është “mashtrues”, teksa për Vjosa Osmanin ka deklaruar se i mungojnë aftësitë për udhëheqjen e shtetit.
“Albin Kurti është një mashtrues… realisht, për mua ai është një mashtrues i mirë, i cili mundohet të fitojë një votë ‘anti’, por vazhdimisht mashtron”, ka deklaruar kryeministri në largim i Kosovës.
“S’kam fort përvoja me të, se nuk më ka rënë të punojë shumë me të dhe nuk ka mbajt pozita menaxheriale, qeverisëse. Është zot me mbajt ndonjë vlerësim për të. Por, për qeverisjen dhe ekzekutivin kërkohen edhe aftësi menaxheriale të cilat ajo, realisht, nuk i ka”, ka deklaruar Haradinaj, teksa ka folur për Vjosa Osmanin, kandidaten e LDK-së për kryeministre.
Ndërkaq, pretendentin për kryeministër nga PDK, Kadri Veselin, Haradinaj e ka cilësuar si të paqëndrueshëm.
“Për z. Veseli kam thënë se është i paqëndrueshëm dhe kam thënë se ai pret sakica me një vend”, ka deklaruar kreu i AAK-së. /Insajderi.com
https://www.facebook.com/GOInsajderi/videos/2468178563466561/