Agjencia Kundër Korrupsionit e ka detyruar këshilltarin e kryeministrit Isa Mustafa, Aleksander Bojoviç, që të heqë dorë nga biznesi i tij privat, duke e shmangur kështu konfliktin e interesit.
“Gjatë zhvillimit të procedurës për identifikimin e rasteve të konfliktit të interesit apo mos pajtueshmërisë së ushtrim të funksionit publik është vërejtur se zyrtari i lartë, z. Aleksandër Bojoviç, Këshilltar Politik në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, figuron si person i autorizuar në një biznes privat”, thuhet ndër tjera në vendimin e AKK-së.
Sipas AKK-së, kjo situatë paraqet konflikt të mundshëm interesi dhe mos pajtueshmëri në ushtrimin e funksionit publik.
AKK-ja thotë ta ketë njoftuar Bojoviçin se po merret me rastin e tij. Dhe pas takimit që ai ka pasur me zyrtarët e AKK-së, është bindur me provat e ofruara se aty ka konflikt të interesit.
Pas kësaj, AKK thotë se Bojoviç i ka ndërmarrë të gjitha masat, ku më 24 tetor AKK ka pranuar dokumentet zyrtare nga ARBK-ja, “ku dëshmohet se në bizneset me emër ‘Aleksander Bojoviç’ I. B. Dhe S. Z. R ‘Sveti Toma’ z. Aleksandër Bojoviç, ka hequr dorë nga e drejta e ushtruar të funksionit si person i autorizuar i bizneseve të tij”.
Me këto veprime, AKK-ja konsideron se është shmangur gjendja e mundshme e konfliktit të interesit.
Megjithatë, AKK-ja thotë se rasti mund të rihapet në çdo kohë kur mund të paraqiten rrethana të reja./Insajderi.com
Vendimin e AKK-së mund ta gjeni këtu.