×
  • Lajme
  • Insajderi

    AKP konfirmon hulumtimin e InDoks | Tafaj mori jashtëligjshëm paratë e shpronësimit për autostradë, duhet t’i kthej ato

    Insajderi
    31 January 2022 - 17:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Agjencia Kosovare e Privatizimit ka konfirmuar hulumtimin e InDoks “Mashtrimi i Madh”, lidhur me të bëmat e biznesmenit nga Suhareka, Haziz Tafaj, të cilit tanimë shteti ia ka marrë ndërmarrjen “Agro Kosova”, shkruan Insajderi.

    Në dosjen që kishte siguruar InDoks, e që ishte e deponuar në Prokurori, Policia e Kosovës gjente që madje dhe paratë e subvencioneve për vreshta që janë marrë në emër të AgroKosovës, Qeveria ia kishte derdhur Haziz Tafajt në një xhirollogari që nuk ishte e kësaj kompanie të privatizuar, por një kompani tjetër e të njëjtit.

    Në këtë rast, në xhirollogarinë e firmës tjetër të tij, QMI-së, janë deponuar në emër të subvencioneve të shtetit e për nevojat e AgroKosovës.

    Ashtu siç raportoi edhe InDoks, Tafaj mori jashtëligjshëm paratë e shpronësimit për autostradë, këtë e konfirmoi sot edhe Agjencia Kosovare e Privatizimit.

    “Për më tepër Blerësi ka dëmtuar dhe zbritur vlerën e ndërmarrjes me anë të përfitimit jo ligjor kur është bërë shpronësimi i disa parcelave të ndërmarrjes nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndërtimin e autostradës për Vermicë. Me këtë rast mjetet e shpronësimit në vlerë prej rreth 630,000.00 Euro janë transferuar në llogarinë personale të njërit prej aksionarëve të “Gruppo Vinicolo Fantinel spa” në Bankën Teb dhe jo në llogarinë e ndërmarrjes”, thuhet në reagimin e AKP-së teksa numërohen shkeljet që ka bërë Haziz Tafaj.

    Theksohet se si rezultat i mos përmbushjes së Marrëveshjes së Zotimeve, AKP nga viti 2011 deri në vitin 2013 i ka lëshuar Blerësit ndëshkimet financiare në vlerë prej 3,579,997.53 Euro.

    Në faqen 14 të dosjes së hetuesisë thuhet që në këtë xhirollogari nga subvencionet janë pranuar mbi 1.3 milionë euro.

    Ndërkohë, në dosjen e hetuesisë, janë evidentuar së paku 6 situata që i përshkruhen Haziz Tafajt si keqpërdorime serioze, për çka edhe u kallëzua në Prokurori. Në një pjesë i referohen si recidivistë i krimeve.

    Pas asaj me subvencionet bujqësore, hetuesit rëndësi i kanë dhënë rimbursimit të parave nga ATK-ja. Hetuesia e Policisë thotë në këtë dokument që Haziz Tafaj, rrejshëm i ka mashtruar zyrtarët e ATK-së dhe në emër të AgroKosovës ka përfituar nga ky institucion afro 600 mijë euro rimbursim, e që i kanë kaluar në një xhirollogari që nuk ishte e këtij biznesi, por e QMI-së.

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark