Belgjika ndodhet ende në gjendjen më të lartë të alarmit nga frika e sulmeve terroriste, që kanë tronditur javët e fundit fqinjët e saj, Francën dhe Gjermaninë.
Policia vendase ndërmori në orët e natës një aksion të gjerë antiterror në rajonet periferike të Liezhit dhe Monsit në kërkim të shtatë personave të dyshuar për lidhje me terrorizmin, armëve dhe eksplozivëve.
Dy prej të shumëkërkuarve përfunduan në pranga, pesë të tjerë janë ende në arrati.
E përditshmja belge “Derniere Heure”, shkruan në versionin e saj online se nga shërbimet e inteligjencës dyshohet se këta persona po përgatitnin sulme terroriste në Belgjikë.
Gjykata do të japë sot vendimin për t’i mbajtur në qeli apo për të liruar dy të ndaluarit, ndërkohë që nuk ka ende të dhëna që i lidhin me atentatet e ndërmarrë në Bruksel pak muaj më parë. / TCh