×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Aksioni i vonuar i Policisë së Kosovës pas dy vrasjeve midis kafiterive që tronditën vendin

    Insajderi
    16 August 2023 - 15:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kosova është tronditur nga dy vrasje të rënda që ndodhën brenda muajit korrik, në dy kafiteri të vendit. Njëra vrasje në Prishtinë e tjetra në Skenderaj. Kastriot Ramadani, 39 vjeçar mbeti i vrarë në kafenenë “Bon Vivant”, ndërsa Nexhat Lloshi poashtu 39 vjeçar mbeti i vrarë në kafiterin e “Muzikës Live” në Runik të Skenderajt. Këto vrasje, mobilizuan institucionet e sigurisë që të ndërmarrin veprime parandaluese, madje në kryeqytet u kërkua edhe formimi i policisë së qytetit. Por krejt këto po masa po cilësohen si të vonuara nga ekspertë të sigurisë.

    Vetëm dy ditë pas, nga data 8 gushti, Policia e Kosovës fillojë së zbatuarit planin operativ “Goditja”, në gjithë territorin e Kosovës përmes të cilit po kontrollohen lokalet e gastronomisë e hotelerisë. Një numër i konsiderueshëm i armëve janë konfiskuar. Insajderi ju sjell detajet.

    Kjo u bë me qëllim të shtimit të masave të sigurisë, respektivisht ruajtjen e rendit e qetësisë publike.

    Detyrat që parashihen të realizohen gjatë zbatimit të planit operativ ‘Goditja’, janë shtimi i aktiviteteve/patrullimeve policore, kryesisht në qendra urbane, në ato pjesë ku ka më shumë lokale, kafiteri, bare nate, e më shumë qytetarë që vizitojnë ato”, thuhej në njoftimin e policisë.

    Më 9 gusht, policia publikoi të dhënat për tërë vendin, ku u bë me dije se janë kontrolluar 102 lokale të ndryshme ndërkohë që ishin konfiskuar 19 armë të ndryshme.

    Të dhënat e kontrolleve u publikuan edhe për disa prej komunave veç e veç. Me 11 gusht, policia njoftonte se në Mitrovicën e Jugut ishin kontrolluar 4 lokale të ndryshe prej ku ishin konfiskuar 3 armë e u arrestuan 3 persona.

    Pas Mitrovicës, operacioni “Goditja” vazhdoi edhe në qytetin e Pejës. Për tre ditë sa ishin në terren zyrtarët policorë, me 11 gusht njoftuan se u kontrolluan 10 lokale, e u konfiskuan 47 copë municionin e sekuestruan 5 armë e ku rezultoi me arrestimin e 11 personave.

    Polica rajonale e Ferizaj kreu kontrollet përveç në Ferizaj edhe Shtime, Shtërpcë dhe Han të Elezit. Edhe kësaj radhe patrullimet policore, kryesisht ishin të fokusuara në qendra urbane, në ato pjesë ku ka më shumë lokale, kafiteri, bare nate dhe frekuentim më të madh të qytetarëve. Gjithsejt u bë me dije se u konfiskuan 5 armë zjarri e sasi të municionit e ku u kontrolluan 21 lokale.

    Me 12 gusht u publikuan të dhënat edhe për komunën e Gjilanit. U bë me dije se nga 8 deri 11 gusht u kontrolluan 25 lokale e u konfiskuan 4 armë.

    Statistikat pak më shqetësuese ishin për komunën e Prizrenit. U bë me dije se janë kontrolluar 26 lokale e u konfiskuan 10 armë të ndryshme.

    Në kryeqytet ndërkohë shifrat janë edhe më shqetësuese. Për pesë ditë u kontrolluan 229 lokale, u konfiskuan 34 armë dhe u arrestuan 72 persona.

    Dy ditë më parë, policia zbatoi planin “Goditja” sërish në Mitrovicë. 8 lokale u kontrolluan prej nga u konfiskuan 7 armë si dhe 12 armë të ftohta teksa u arrestuan 9 persona.

    Në Pejë për aksionin 4 ditorë, u kontrolluan 19 lokale, u sekuestruan 17 copë municion dhe 4 armë.

    Dje, 15 gusht policia njoftoi se në Prishtinë për 1 javë, u kontrolluan 270 lokale, u konfisuan 37 armë e u arrestuan 96 persona , prej tyre 27 me urdhër-arreste nga gjykatat.

    Aksioni “Goditja” i vonuar – ministri Sveçla do të duhej të jepte dorëheqje

    Eksperti i sigurisë, Drizan Shala i tha Insajderit se aksioni i ndërmarrë nga Policia e Kosovës për sigurinë publike, është tejet i vonuar. Për këtë ai po e fajëson ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    Madje thotë se do të duhej të dorëhiqej.

    “Aksioni i tillë është tejet i vonuar si pasojë e veprimeve të gabuara të Ministrisë së Brendshme ( ministrit ) e cili do të duhej të jepte dorëheqje në formatin me optimal para që të shkarkoje për dëmtim të organizatës së Policisë së Kosovës”, u shpreh ai.

    Sipas tij, ky aksion kishte mbetur anash qysh nga shtatori i 2021-ës.

    “Aksioni operative “Goditja” nga ana e PK ka dhënë veprimet e saja duke përçuar mesazhin që ju është rikthyer sigurisë publike që pat mbetur anash që nga shtatori 2021 si rezultat i veprimeve policore mbi vendimin politik për veriun”.

    Vrasja që tronditi kryeqytetin – Rama kërkoi krijim të menjëhershëm të Policisë së Kryeqytetit

    Menjëherë pas vrasjes në Bon Vivant, kryetari i Prishtinës realizoi një takim urgjent me drejtorin për siguri dhe emergjenca, Lulzim Fushtica dhe me drejtorin e Policisë për rajonin e Prishtinës, nënkolonel Basri Shabani. Pas takimit u bë me dije se urgjentisht duhet të krijohet Policia e Kryeqytetit.

    Pas ngjarjes së mbrëmshme e cila na shqetësoi të gjithëve, bashkë me drejtorin për siguri dhe emergjenca, Lulzim Fushtica mbajtëm një takim urgjent me drejtorin e policisë për rajonin e Prishtinës, nënkolonel Basri Shabani, me të cilin diskutuam për çështjen e sigurisë në kryeqytet dhe hapat të cilët duhet të ndërmarrim bashkërisht për krijimin e policisë së kryeqytetit e cila është urgjentisht e nevojshme dhe do të na ndihmonte në rritjen e nivelit të sigurisë në Prishtinë. Siguria në kryeqytetin tonë është prioritet i yni”, thuhej në postimin e Ramës.

    Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Rama për të kuptuar nëse kanë filluar hapat e parë drejtë themelimit të Policisë së Kryeqytetit, por ende nuk kemi pranuar përgjigje.

    Ndërkohë, eksperti i sigurisë, Drizan Shala u shpreh se “Në aspektin normative PK si kryeqytet do të duhej që të fillojë përgatitjen e saj për të bartë në kryeqytet policin e komunale të saj e cila do të ndihmoj në avancimin e sigurisë publike për qytetaret e saj”.

    /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark