×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Albin Mehmeti: “Figura e nanës në poezitë e Ferdane Sahitit”- recension

    Insajderi
    28 May 2023 - 20:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    (Recension për përmbledhjen poetike “Ajka e dashnisë” të poetes Ferdane Sahiti. Recensioni është i shkruar në dialektin geg)

    Ferdane Sahiti nuk asht emën i panjohun për letrat e shkrueme artistikisht. Ajo tashma asht autore e librave me poezi e aforizma dhe asht e botueme gjithandej, në revista ta shtypuna dhe ato elektronike. Nervi poetik i Ferdanes ka trajtu lloj-lloj temash e lloj-motivesh. Ajo me dashni ka shkru për andrrat, dëshirat e dashnitë e saj. Ferdanja, bash për festën e grues ka vendos me ia dhuru lexuesve nji libër të ri, në të cilin ashtu shkru e përshkru dashnia ma e naltë tokësore, dashnia për nanën, libër që e ka emnue si “Ajka e dashnisë”.
    Në tufën me poezi që i kushtohet nanës, Ferdanja përshkruen nanën në disa forma. Për Ferdanen, nana asht dritë, dritë që ndriçon universin e njerëzinë. Në qiellin poetik të Ferdanes janë dy drita, të ndërlidhuna ashtunisht njana me tjetrën, hana e nana. Hana e nana janë binom krucial për jetën, ku e para ndriçon të jashtmen, kurse e dyta të brendshmen, shpirtnoren. Kjo ndërlidhje arrin aq nalt, saqë nana asht ajo që hanës ia falë shkëlqimin. Ferdanja na kujton mesazhin profetik se nën kambët e nanës asht parajsa, ku në njanin prej vargjeve shprehet “Toka ndihet e bekuar aty ku vendose këmbët”. Përmes këtij vargu, po edhe shumë vargjeve të tjera, nana kalon në nji dimension tjetër. Ajo tashma ka fuqinë e bekimit e të mëshirës, përmes së cilës bota merr kuptim. Për Ferdanen, fjala nanë nuk asht veç nji emën i përmban prej disa shkronjash, ajo asht vetë kuptimi i kësaj bote.
    Në poezitë e Ferdanes, nana merr funksionin e personazhit lirik. Në shumë poezi të saj, nana asht drandofille. Bukuria dhe bekimi i nanës ta kujton poetin e majave shqipe, Gjergj Fishtën, i cili përmes luleve kishte paraqitur madhështinë e bukurinë e grues shqiptare. Përmes metaforës “deti i zemrës”, nana asht shpëtimi i vetëm, i cili na shpëton prej stuhive të jetës, të cilat e përplasin njeriun gjatë tanë jetës.
    Dashnia për nanën paraqitet e madhnueme dhe e shkrueme në dialektin gegë, në dialektin në të cilën edhe dashnia ka tjetër madhështi. Paskajorja e gjuhës së Perëndisë së Fishtës i jep nji fuqi tjetër poezive, në të cilën nana asht shërim dhe simbol i çlirimit. Në të shumtën e rasteve, nana asht e shkrueme me shkronjë të madhe, pra Nanë, për me i dhanë nji kuptim tjetër e për të tregue se ajo asht nja dhe e vetme në këtë botë.
    Nji nga temat e trejtueme nga Ferdanja asht kurbeti, temë e trajtueme edhe në librat të tjerë të Ferdanes. Tani, kurbeti nuk asht veç largim nga atmja, por largim nga sofra e nanës, e cila paraqitet si simbol bashkimi e përtej tij. Shpeshherë sofra e nanës del edhe përtej kontekstit familjar. Ajo rrok rrafshin ethnik e nacional.
    Lutja si element shpirtnuer asht i pranishëm thuejse në të tana poezitë e Ferdanes. Lutja e nanës nuk asht thjesht nji lutje drejtue Hyjit. Ajo asht vetë kuptimi i pranisë sonë në këtë botë. Ajo asht vetë ajka e dashnisë, ashtu siç e quen Ferdanja.
    Në poezitë e Ferdanes, nana tejkalon çdo gja tokësore. Ajo asht përtej kësaj. Ajo asht tejfizike. Për Ferdanen asht veç nji dritë, ajo asht nana dhe dashnia e saj. Kjo ta kujton mesazhin profetik se kënaqësia e Zotit asht te kënaqësia e prindërve.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark