Uta Ibrahimi është një alpiniste kosovare e cila përveç misionit që ka për të ngjitur majat më të larta botërore, sigurohet që flamuri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë mos të mungojë në to.
Sukseset e deritanishme të Ibrahimit janë padyshim tejet mbresëlënëse, ku ndër pikat më të larta në botë që i ka ngjitur, bënë pjesë edhe Mount Everest, që njihet ndryshe si pika më e lartë në botë me 8,848 metra.
Aventurën si alpiniste, Uta e nisi pikërisht duke e ngjitur Mount Everest në vitin 2017, kurse, pika e fundit e saj e ngjitur ishe ajo e Makalu (8,481 metra) në vitin aktual, respektivisht 2022, raporton KosovaPress.
Uta nuk mund t’i kishte arritur këto suksese pa ndihmën e Ambasadës së Shqipërisë, e cila përveç përkrahjes financiare, i ka siguruar alpinistes sonë edhe pasaportën e Shqipërisë, e cila ia mundëson të udhëtojë më lehtë në botë.
Uta e falënderoi ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, për të cilin tha se ka bërë shumë për alpinistët.
“Keni bërë shumë për neve edhe për mua si alpinistë, na ke dhënë ndihmën, na ke përkrah, na ke motivuar, në të njëjtën kohë edhe më ke ndihmuar, sidomos në atë fazën ku unë e kam pas të pamundur me lëviz me pasaportën e Kosovës, ju keni qenë njëri prej tyre që më keni ndihmuar me pas pasaportën e shtetit shqiptar”, tha Ibrahimi.
Uta në shenjë falënderimi për përkrahjen i dhuroi ambasadorit Minxhozi një fotografi nga Maja e Everestit, në të cilën shihet ajo duke mbajtur flamurin e Shqipërisë dhe atë të Kosovës, ndërsa tregoi se është krenare që e mban me vete edhe flamurin kuqezi.
“Kjo është një shenjë e vogël falënderimi por në të njëjtën kohë edhe një falënderim shumë i madh për shtetin e Shqipërisë. Unë me krenari e mbaj flamurin nëpër krejt majat e botës, kudo që jam ngjit përveç flamurit të Kosovës, shtetit tim, jam shumë krenare që e mbaj edhe flamurin e Shqipërisë dhe do të vazhdojë me mbajt edhe më tutje nëpër krejt ekspeditat e tjera”, tha Ibrahimi.
Në anën tjetër, ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi pranoi dhuratën nga alpinistja jonë, ndërsa tha se është i gëzuar që në majat e këtyre maleve është një kujtim si flamuri i Shqipërisë dhe ai i Kosovës.
“Shqipëria e Kosova janë një, dhe unë gëzohem që vajzën e parë shqiptare që ka ngjitur majën më të lartë të botës, dhe vazhdon të ngjisë në mënyrë të pandërprerë çdo vit gjitha majat më të larta që ka bota, dhe ajo që më bënë shumë krenarë është që në majat e këtyre maleve është një kujtim dhe flamuri i Shqipërisë dhe i Kosovës që shkojnë së bashku”, tha Minxhozi.
Alpinistja jonë, Uta Ibrahimi është e vetmja femër në Ballkan që ka arritur të ngjitet në shtatë majat më të larta botërore, duke lënë pas një alpiniste sllovene, e cila ka ngjitur katër sosh.
Më poshtë mund të gjeni në mënyrë kronologjike malet e ngjitura deri tani nga Uta Ibrahimit.
Viti 2017
Mount Everest (8,848 metra)
Mount Manaslu (8,163 metra)
Viti 2018
Lhotse (8,516 metra)
Mount Rainer (4,392 metra)
Cho Ouy (8,201 metra)
Mount Amadablam (6,812 metra – ngjitja është bërë për 6 ditë)
Viti 2019
Gasheburum 1 (8,068 metra)
Viti 2021
Annapurna (8,091 metra)
Lenin Peak (7,134 metra)
Viti 2022
Mount Makalu (8,481)