Ambasadori amerikan në Serb, Christopher Hill tha se tejkalimi i mosmarrëveshjes për riregjistrimin e automjeteve nuk do të kontribuojë në zgjidhjen e çështjeve kyçe Kosovës dhe Serbisë.
Hill, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në pritjen që organizoi për nder të një delegacioni biznesmenësh nga SHBA-të që po vizitojnë Serbinë, tha se autoritetet e Prishtinës ndjehen sikur janë në një zonë gri kur bëhet fjalë për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, duke përfshirë OKB-në.
“Serbia ka të drejtë të ngrejë pyetjen se çfarë do të ndodhë me komunitetin serb në Kosovë, nëse serbët mund të ndihen rehat në Kosovë, nëse mund të ndihen të mbështetur dhe të mbrojtur me ligj, nëse mund ta ruajnë identitetin e tyre. Këto janë pyetjet e rëndësi kyçe dhe në kuptimin që çështja e Kosovës do të ndërkombëtarizohet dhe komuniteti serb nuk do të harrohet”, tha Hill.
Duke theksuar se këto janë çështje kyçe, Hill thotë se në vend të kësaj, “kemi të bëjmë me çështje targash”.
“Sido që të përfundojë kjo çështje, nuk mendoj se do të zgjidhë shqetësimet kryesore të të dyja palëve – anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe çështjen e së ardhmes së komunitetit serb. Targat nuk do ta zgjidhin këtë”, tha ai.
Duke thënë se nuk është negociator në dialog, Hill theksoi se, siç tha ai, “Bashkimi Evropian ka punuar shumë dhe për një kohë të gjatë për këtë çështje”.
Ai gjithashtu beson se zgjidhja duhet të vijë nga dialogu i Brukselit dhe se Beogradi dhe Prishtina duhet të bashkëpunojnë në zgjidhjen e çështjeve të hapura.
“Ne nuk duam që dialogu të kthehet në zgjidhje mosmarrëveshjeje, ne duam dialog për të zgjidhur çështje më të mëdha”, thotë Hill.
Ai ka vërejtur se në Serbi si pjesë e delegacionit të biznesmenëve amerikanë kanë qenë të pranishëm persona nga 27 kompani të mëdha amerikane dhe se askush nuk ka folur dhe as nuk flet për Kosovën.
Kjo, shton ai, sepse ata janë të interesuar për të ardhmen e ekonomisë serbe dhe çfarë mund të bëhet në këtë drejtim.