Partitë politike rëndomë u janë drejtuar publikut me premtime që nuk janë realizuar.
Sipas analistëve, disa premtime të partive politike janë të parealizueshme.
Visar Ymeri nga Instituti për Politika Sociale thotë se këto premtime megalomane nga partitë po bëhen për ta rritur elektoratin e tyre.
“Partitë këtë e bëjnë për ta maksimalizuar votën. Mirëpo me këtë farë traditë partitë politike ja kanë minuar vetës mundësinë e premtimeve pasi që nëse premton dy apo tri herë dhe nuk e realizon, atëherë ia humb kredibilitetin partisë. Prandaj partitë që kanë qeverisur deri më tani po dalin keq në sondazhe edhe për shkak të këtyre gjërave”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Visar Ymeri.
E profesori universitar Bardh Rugova konsideron se manipulimi me qytetarët në kohë fushatash është bërë përditshmëri, përcjell Telegrafi.
“Fakti që ne për shumë vite partitë e njëjta politike që janë ndërruar në pushtete me diskurse pak a shumë të njëjta politike, tregon se ne si shoqëri e kemi toleruar një situatë të tillë”.
Në këtë fushatë zgjedhore subjektet politike më së shumti kanë premtuar zhvillim ekonomik e punësim.
Fushata elektorale përfundon me 12 shkurt./Telegrafi.