×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Anëtarit të KGjK-së i publikohen bisedat me një grua, flitet edhe për ndikim për ta çuar në Supreme

    Insajderi
    25 April 2024 - 22:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Vilard Bytyqi i janë publikuar bisedat me një grua, të cilës shihet se i ka premtuar t’ia bëjë një vend pune në Gjykatën Supreme, shkruan Insajderi.

    Me gruan në fjalë, Bytyqi dyshohet se kishte një lidhje jashtëmartesore. Bisedat me të kuptohet se kryesisht i kanë realizuar në rrjetin social “Instagram”.

    Bisedat me të njëjtën nuk janë vetëm personale, por edhe për fusha tjera si politikë e drejtësi.

    Vilard Bytyqi sipas Sinjalit ka shpalosur informacione për mënyrën e organizimit të mbledhjeve të KGJK-së, madje në një rast ka treguar se siç duket ka pushtet.

    “T’ishe ti në Supreme të kisha qu”, shihet duke i thënë ai, asaj.

    Në bisedën për një konkurs për gjyqtarë në Gjykatën Supreme, Bytyqi kishte shprehur gatishmëri se mund të ndikojë në përzgjedhje, nëse personi në fjalë do të ishte në garë.

    Siç shihet më poshtë, anëtari i KGJK-së i drejtohet gruas me të cilën komunikonte se Tash secili mundet me pas ndonjë kandidat tutje me përkrah, ama me shku ashtu problem është me ia akomodu interesat e kërkesat e të gjithve. T’ishe ti në Supreme t’kisha qu”, duke mos shmangur situata të tilla që vënë në pikëpyetje paanshmërinë e tij.

    Në pjesë të tjera të këtyre bisedave, Bytyqi ka folur për mënyrën e diskutimit në mbledhjet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, teksa s’ka ngurruar të tregojë se si sipas tij ai dhe një anëtar tjetër e rivalizojnë gjatë diskutimeve kryetarin e Këshillit, Albert Zogajn.

    “Alberti askënd se ka kundër në këshill. Se gjithçka diskutohet dh bisedohet, ka konsensus të plotë. Në fakt veç unë dhe njëri në diskutime e rivalizojmë, veç 4 marrim pjesë në diskutime. Në mbledhje veç qëndrime shprehen. Na e përkrahim plotësisht, se ai vetëm sen s’mundet me bo.

    Një anëtar i Këshillit e ka të ndaluar të përdorë pozitën e tij/saj apo informatat e pranuara përmes pozitës së anëtarit të Këshillit për çfarëdo përfitimi personal ose për ndonjë person tjetër apo organizatë.

    Kjo siç duket nuk vlen për Bytyqin. Në një bisedë virtuale, ai ka treguar se KGjK merr komente për punën që zhvillon nga Brukseli e Washingtoni, derisa ka përmendur edhe një vendim që në ditën kur është zhvilluar biseda, ende s’ishte marrë.

    “Ne marrim komente nga Brukseli e Washingtoni, për atë që bëjmë, na ndryshe jemi. Publiku se din si shkojnë disukutimet ma përpara. Kjo është si mbledhja e Qeverisë. E kemi seancën për me suspendu ***”.

    Komunikimi mes Bytyqit dhe personit në fjalë ka shkuar edhe më tej, në krijimin e një raporti jashtëmartesor, ku flet për martesën e tij, gruan shtatzënë e takimet që planifikonte t’i zhvillonte.

    Edhe këtu, janë shkelur dispozitat e Kodit të Etikës, të cilat vlejnë për çdo anëtar të Këshillit, jo vetëm në aktivitetet profesionale, por edhe në jetën private, meqë çdo veprim i pahijshëm dëmton imazhin e KGJK-së.

    “Të pres kur jam vetëm, më se largu në vikend besoj. E di që përderisa ka tërheqje këso fare, e di që kënaqemi kur jemi fizikisht. Nëse mos më mungo pasdite..Unë jam i gatshëm për ty, me përjetu kënaqësi. Është e rëndësishme me e bo atë që na kemi qejf dytë. Kjo na plotëson. Se tash psh jam me nuse në banesë, nuk mundem me thonë fjalë përtej asaj që duhet…”

    Sjellja e Bytyqit mund të konsiderohet si e pahijshme, sepse edhe pse një gjë e tillë nuk është përshkruar në Kodin e Etikës, vlen të ceket se çdo veprim i tillë, edhe nëse nuk parashihet shprehimisht, mund të konsiderohet shkelje dhe për rrjedhojë mund të sanksionohet.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark