Argjentina është kampione e botës për herë të tretë në histori të tyre pas fitores në finalen e Katarit ndaj Francës.
Pas 120 minutave lojë rezultati ishte baras 3-3, derisa në penallti më të mirë ishin argjentinasit që fituan me rezultat 4-2.
Nuk kanë munguar urimet për Lionel Messin dhe Argjentinën nga e gjithë bota, derisa një urim special ka ardhur edhe nga legjenda braziliane Pele.
Edhe pse në gjendje të rëndë shëndetësore dhe i shtrirë në spital, Pele ka uruar Messin dhe Argjentinën, derisa kishte disa fjalë edhe për Kylian Mbappen që dhuroi një shfaqje të jashtëzakonshme.
“Sot futbolli vazhdon të tregojë historinë e tij, si gjithmonë, në një mënyrë emocionuese. Messi fitoi Botërorin e tij të parë, ashtu siç e meritonte trajektorja e karrierës së tij”.
“Miku im i dashur, Mbappe, shënoi katër gola në një finale. Çfarë dhuratë ishte të shijoje këtë spektakël për të ardhmen e sportit tonë. Dhe nuk mund të mos përgëzoj Marokun për fushatën e jashtëzakonshme. Është e mrekullueshme të shohësh Afrikën të shkëlqejë.”
Krejt në fund Pele e mbylli postimin me një fjalë emocionuese për rivalin e tij Diego Armando Maradonën.
“Urime Argjentinë! Diego sigurisht që po buzëqesh tani”, duke iu referuar Maradonës që u nda nga jeta dy vite më parë, e që ishte lojtari i fundit që i solli Kupën e Botës kombëtares së Argjentinës.