×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Apeli ia zbut dënimin ish-gjyqtarit Sali Berisha në 2 vite burgim dhe 3 mijë e 500 euro gjobë

    Insajderi
    01 March 2024 - 08:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gjykata e Apelit ia ka zbutur dënimin ish-gjyqtarit Sali Berisha, në 2 vite burgim dhe 3 mijë e 500 euro gjobë, lidhur me akuzën për marrje ryshfeti dhe armëmbajtje pa leje.

    Gjykata Themelore në Prishtinë më 28 prill 2023, e ka shpallur fajtor dhe dënuar me 2 vite e gjysmë burgim dhe 5 mijë euro gjobë ish-gjyqtarin Sali Berisha lidhur me akuzën për marrjen e 2 mijë eurove ryshfet dhe posedim të revoles pa leje. Atij i është shqiptuar edhe dënimi plotësues ku i është ndaluar ushtrimi i funksioneve publike dhe shtetërore për tri vitet e ardhshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ndërsa, këtë aktgjykim të shkallës së parë, Apeli e ka ndryshuar duke ulur dënimin ndaj Berishës, ashtu që për veprën penale “Marrje ryshfeti” i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vite dhe 3 mijë euro gjobë, kurse për armëmbajtje pa leje i shqipton dënim me gjobë prej 500 euro. Ndaj tij, (krahas dënimit me burgim), Apeli shpalli dënim unik me gjobë në shumën prej 3 mijë e 500 euro.

    Më 15 dhjetor 2023, Apeli kishte shqyrtuar ankesën e PSRK-së dhe mbrojtjes së të dënuarit Berisha, të bëra ndaj aktgjykimit të Themelores.

    Ndërsa sipas vendimit të përpiluar më 28 shkurt 2024, Apeli ka refuzuar si të pabazuar ankesën e PSRK-së kundër këtij aktgjykimi lidhur me sanksionin penal, ndërsa e ka gjetur si të bazuar ankesën e mbrojtësit të Berishës, avokatit Besnik Berisha, vetëm lidhur me sanksionin penal, duke ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, vetëm sa i përket dënimit me burg dhe gjobë.

    Ndërsa, ka konstatuar që pjesa tjetër sa i përket dënimit plotësues dhe konfisikimit të armës, mbetet e pandryshuar.

    Sa i përket gjetjeve të Apelit, thuhet se mbrojtja e të pandehurit lidhur me sanksionin penal thekson se gjykata e shkallës së parë nuk ka marrë për bazë rrethanat lehtësuese kur ka shqiptuar dënimin për veprat penale që e ka shpallur fajtor.

    “…konkretisht nuk ka vlerësuar rrethanat e kohës së kaluar nga akti i veprimit të pandehurit, se i pandehuri nuk ka të kaluar penale, gjendja e rëndë shëndetësore e të pandehurit, gjendja ekonomike dhe fakti se është mbajtës i familjes, tashmë është në pension”, thuhet tutje në vendimin e Apelit.

    Sa i përket pretendimeve të mbrojtjes, Apeli i gjen të bazuara vetëm këto rrethana lehtësuese që sipas kësaj gjykate duhet vlerësuar e që nuk janë marrë për bazë nga ana e shkallës së parë.

    Sipas këtij aktgjykimi, një prej rrethanave është koha e kaluar nga veprimi në pajtim me detyrën zyrtare për qëllim të marrjes së ryshfetit, që rezulton se nga koha e veprimit kur është nxjerrë aktgjykimi nga ana e të pandehurit si veprim i ndërmarrë në pajtim me detyrën zyrtare që është data 5 janar 2014, kanë kaluar 8 vite, që nënkupton se është një kohë bukur e gjatë nga veprimi i tillë.

    Po ashtu, në këtë aktgjykim thuhet se si rrethanë lehtësuese është dashur të merret për bazë edhe fakti se i pandehuri në momentin e marrjes së aktgjykimit, kur është konstatuar se është fajtor, i njëjti gjendej në moshë të shtyrë, e që rezulton se është pensionuar.

    Gjithashtu, si rrethanë tjetër që kjo gjykatë e pranon si pretendim të mbrojtjes është gjendja e rëndë shëndetësore e të akuzuarit.

    Po ashtu, mbrojtja përmes ankesës ndër të tjera ka pretenduar edhe për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, se është vërtetuar gabimisht gjendja faktike dhe se është shkelur Ligji Penal. Por, këto pretendime janë gjetur të pabazuara.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 5 shkurt 2020, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i pandehuri Sali Berisha, gjyqtar në Departamentin për Krime të rënda në Gjykatën Themelore të Pejës, akuzohej se në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte kërkuar dhe kishte pranuar përfitim në mënyrë që të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

    Siç thuhet në aktakuzë, më 19 shtator 2019, i pandehuri Berisha ishte takuar me dëshmitarin F.Z, prej të cilit kishte pranuar shumën prej 2 mijë euro, e të cilët ishin dakorduar që në një rast ku për dy vepra penale “Kontrabandimi me migrantë” ishte i akuzuar vëllai i dëshmitarit F.Z, i pandehuri Berisha, si kryetar i trupit gjykues, të shqiptojë dënim të favorshëm, ku për këto vepra kishte shpallur dënim prej tre viteve, me kusht që brenda dy viteve të mos kryejë vepër tjetër penale.

    Për këtë, ai akuzohej për kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit” sipas nenit 421, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në 12 vjet.

    Përpos kësaj, gjykatësi Berisha, akuzohej se deri më 19 shtator 2019, ka mbajtur pa leje një revole të tipit “Zaza Mini”, të kalibrit 8 mm, së bashku edhe me 10 fishekë, e cila i ishte sekuestruar me rastin e bastisjes në banesën e tij në Pejë.

    Ndryshe, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në një mbledhje të jashtëzakonshme, më 20 shtator 2019, e kishte pezulluar gjykatësin Sali Berisha, pas arrestimit të tij, nën dyshimin për përfshirje në vepra penale të korrupsionit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark