FC Drita ka mposhtur KF Dukagjinin me rezultat 4:0, në ndeshjen që u zhvillua në kuadër të BKT Superligës të Kosovës. Golat e fitores për skuadrën e trajnerit Ardian Nuhiu, i shënuan Arbnor Muja, i cili shënoi dy herë, Ilir Blakçori dhe Ardit Tahiri nga një gol, shkruan Insporti.com.
Drita që nga minuta e parë e ndeshjes e dominoi ndeshjen ndaj skuadrës mysafire nga Klina.
Në minutën e tetë, Arbnor Muja shënoi golin e parë të ndeshjes dhe të parin personal, për rezultatin 1:0. Muja u asistua nga Almir Ajzeraj, i cili për mrekulli harkoi në zonë për ta gjetur të lirë Mujën.
Pesë minutat e fundit të pjesës së parë u akoordua një penallti dhe kartonë i kuq për mysafirët.
Në fund të pjesës së parë gjyqtari kryesor Mentor Ajeti ndëshkoi me karton të kuq kapitenin e Dukagjinit, Altin Merlakut.
Merlaku bëri një ndërhyrje të rrezikshme në kapitenin e Dritës, Ardian Limani.
Drita nuk arriti të shënonte më në pjesën e parë, por e kishte mundësinë nga penalltia. Almir Ajezraj dështoi nga penalltia, pasi portieri i Dukagjinit, Kenan Haxhihamza priti penalltinë e tij.
Me rezultatin 1:0 u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, vazhdoi dominimi i Dritës duke shënuar edhe tre gola të tjerë.
Ishte përsëri Arbnor Muja, i cili shënoi në minutën e 61-të për rezultatin 2:0. Muja përfundoi një kundërsulm të shpejtë dhe u asistua nga Albin Krasniqi.
Në dhjetë minutat e fundit, Drita shënoi edhe dy gola. Mbrojtësi Ilir Blakçori shënoi në minutën e 84-të dhe sulmuesi Ardit Tahiri shënoi në minutat shtesë për 4:0.
Drita tani me këtë fitore renditet në pozitën e tretë me 28 pikë pas 15 xhirove të zhvilluara, dy më pak se sa lideri Ballkani që ka 30 pikë.
Ndërsa, skuadra e trajnerit Armend Dallkut mbetet në pozitën e parafundit me 16 pikë.
Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Selami Osmani, BEZI”, në Gjilan. /Insporti.com/