Armend Thaqi është ftuar zyrtarisht që të jetë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës për ndeshjet e shtatorit.
Pas formës së mirë që po kalon në Superligën e Kosovës me Ballkanin, mbrojtësi i krahut është shpërblyer.
Përmes një njoftimi në ueb-faqen e tyre zyrtare, Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se Bernard Challandes e ka përfshirë në listë Thaqin:
Futbollisti i Superligës së Kosovës, Armend Thaçi është ftuar nga përzgjedhësi Bernard Challandes, që t’i bashkohet Kombëtares A për ndeshjet e shtatorit.
Futbollisti i FC Ballkanit sot po merr pjesë në stërvitjen e dytë që Dardanët po mbajnë në “Fadil Vokrri”.
Kjo njëherësh është stërvitja e fundit në Prishtinë para nisjes për në Gjeorgji. Ekspedita e Kombëtares udhëton nesër në mëngjes në Batumi, ku të enjten do të përballet me kombëtaren gjeorgjiane.