‘’Unë po zhvilloj një program që do t’i mundësojë inteligjencës artificiale të ketë aftësinë për të kuptuar dorëshkrimet e vjetra’’, shprehet e entuziazmuar vajza, e cila po ndjek një kurs informatike propozuar nga shkolla ”Tumo”, në kryeqytetin e këtij shteti të vogël në Kaukaz, më i varfri në rajon.
Në ekranin e kompjuterit shfaqet një faqe e një Bible të shekullit XV e ruajtur në Matenadaran, instituti i famshëm armen i kërkimeve për dorëshkrimet e vjetra në Erevan.
Armenia, shtet i varfër me burime natyrore, mezi po mposht varfërinë, papunësinë dhe rrjedhjen e trurit që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, një prej republikave të tij deri në 1991.
Sektori i teknologjive të larta ia ka dalë mbanë të distancohet nga situata delikate dhe promotorët e tij synojnë të formojmë një gjeneratë të tërë me talente në fushën e informatikës, në një kontekst global të lulëzimit të teknologjisë high-tech, për të rimëkëmbur ekonominë e një shteti ku rreth 30% e popullsisë jeton në varfëri.
Shkolla ”Tumo” propozon falas kurse për rreth 7 000 armenë të moshave nga 12 deri në 18 vjeç që mund t’i ndjekin pas orëve të mësimit.
Me qindra kompjuterë dhe pajisje, printerë 3D, kamera profesionale por edhe një studio kinematografike, shkolla i jep një mundësi atyre për të mësuar ueb dizajn, robotikën dhe të marrin njohuri të tjera të epokës digjitale.
”Tumo” funksionon si një organizatë jofitimprurëse. Shkolla u themelua në 2011 nga Sam dhe Sylva Simonian, një çift armen me banim në SHBA. Investimi fillestar i Simonian ishte 60 milionë dollarë dhe tashmë shkolla vetë menaxhohet, me dhënien me qira të disa kateve të ndërtesës së saj për kompanitë e teknologjisë së lartë.