Portieri i Përfaqësueses së Kosovës, Arijanet Muriq, është plotësisht i gatshëm për ta ndihmuar skuadrën e Burnleyt në arritjen e synimeve për sezonin 2022/23.
E për ta bërë këtë, Muriq thotë se ka përvojën e duhur, të cilën e ka marrë gjatë kohës sa ishte pjesë e Manchester Cityt. Përvojë ka fituar edhe gjatë huazimeve të tij në Holandë, Spanjë e Turqi.
Portieri 23-vjeçar javën e shkuar u zyrtarizua te Burnley, ekip që bën gara në Championship të Anglisë – kategoria e dytë. Me Burnleyn, Muriq firmosi kontratë katërvjeçare dhe u transferua nga kampioni i Anglisë, Manchester City. Edhe pse detajet e marrëveshjes mes klubeve nuk janë bërë të ditura, mediumet angleze kanë raportuar se Burnley për kartonin e Muriqit ka paguar rreth 30 milionë euro dëmshpërblim.
Muriq në një intervistë ka thënë se përvojën e fituar te City do të mundohet ta bartë te Burnley. Në vitin 2014, ai iu bashkua ekipit U18 të Cityt nga të rinjtë e Zuerichut ndërsa me ekipin e parë debutoi në sezonin 2018/19. Ndërsa, si i huazuar ka qenë te NAC Breda, Nottingham Foresti, Girona, Willem II dhe sezonin e shkuar te Adana Demirspor. Në elitën e futbollit turk, Muriq pati paraqitje të mira dhe ishte ndër më të merituarit që ekipi edicionin e mbylli në pozitën e nëntë.
Kalimin te Burnley, Muriq e ka vlerësuar lart duke e quajtur si hap të rëndësishëm në karrierë, për të cilin është plotësisht i gatshëm. Edicioni 2022/23 në Championship nis më 29 korrik, saktësisht me ndeshjen që Burnley e luan në udhëtim te Huddersfield Towni. Muriq pritet të jetë titullar te Burnley.
“Të stërvitesha dhe të luaja me disa nga lojtarët më të mirë në botë te Manchester City, ishte e mrekullueshme për mua. Ishte një përvojë e mirë për mua të mësoja prej tyre dhe shpresoj se atë përvojë do ta sjell me vete në Burnley”, është shprehur Muriq të martën. “Kam luajtur në Spanjë, Holandë, Turqi dhe sigurisht edhe Angli! Të gjitha kanë qenë eksperienca të mira për mua, por tani jam gati për hapin tjetër në karrierë”.
Te Burnley, trajner është ish-reprezentuesi i Belgjikës, Vincent Kompany. 36-vjeçari këtë verë u largua nga Andrelechti për ta marrë drejtimin e Burnleyt. Kompany ka luajtur për Manchester Cityn prej vitit 2008 deri në vitin 2019 dhe për një periudhë ka bartur edhe shiritin e kapitenit. Ai ka qenë bashkëlojtar me portierin Muriq dhe iniciatori kryesor për ta transferuar te skuadra e Burnley.
“Kam stërvitur me Kompanyn për më shumë se dy vjet te Manchester City. Ai ishte kapiteni im në atë kohë, kështu që e njoh mjaft mirë. Tani jam i lumtur që jam kthyer në Angli dhe punoj nën drejtimin e tij si trajner”, ka shtuar Muriq. “Kompany gjithmonë është treguar si lider dhe ka pasur cilësi për t’u bërë trajner. Unë mendoj se ai është një lider natyral. Ai e ka treguar këtë për shumë vjet dhe mendoj se ka përvojën e duhur për këtë”.
Muriq është reprezentues i rregullt i Kosovës dhe deri më tani ka regjistruar 27 paraqitje. Ai me “Dardanët” pati debutuar në nëntor të vitit 2018.