×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Arrestimi i Bozhoviqit, përplasen Sveçla dhe Rakiqi – “Nuk ka kriminel që na sfidon”, “Lirojeni ose pritni kryengritje”

    Insajderi
    02 April 2023 - 18:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Lirojeni Millan Bozhoviqin ose do të ketë kryengritje të përgjithshme”. Kështu kërcënoi nga Beogradi, Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në një konferencë shtypi të përbashkët me të ashtuquajturin drejtor të “Zyrës për Kosovën” Petar Petkoviq, shkruan Insajderi.

    Kjo pas arrestimit të Bozhoviq, i cili është i njohur për institucionet e sigurisë vendore, ku në veçanti akuzohet për plagosje të zyrtarëve policorë vendorë si dhe për zjarrvënieve të veturave me targa të Republikës së Kosovës (RKS) në pjesën veriore të vendit.

    Tashmë tri javë para para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës, shkëndijat e para të tensioneve kanë dalë në pah, ku afro tetë vetura të serbëve të Kosovës janë djegur si dhe kanë nisur edhe sulme ndja Policisë së Kosovës me bomba trulluese.

    Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, paralajmëroi “kryengritje të përgjithshme” në rast të moslirimit të serbit të arrestuar. Në një konferencë për media ai i doli në mbrojte Milan Bozhoviqit të arrestuar.

    “Do të doja të kisha ardhur sot këtu për të folur për ZSO-në (Asociacionin) dhe se a u formua dhe që populli serb në Kosovë të ndihej më i sigurt dhe më i sigurt. Për fat të keq, lëvizjet e fundit të Prishtinës kanë sjellë vetëm indinjatë, revoltë dhe pakënaqësi të Populli serb”, tha Rakiq.

    “Nëse represioni vazhdon dhe nëse i arrestuari Milan Bozhoviq nuk lirohet, do t’i bëjmë thirrje popullit për rezistencë të përgjithshme, sepse nuk mund ta tolerojmë Albin Kurtin dhe institucionet e tij”, tha ai në një konferencë për media këtë të diele.

    Por, i menjëhershëm ishte reagimi i ministrit kosovar të brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili për thirrjen e Rakiqit për “kryengritje” dhe “rezistencë” tha se është vepër e rëndë penale. “Republika jonë do të mbrohet në çdo cep dhe nuk ka organizim kriminal që mund të sfidojnë zyrtarët e vendit tonë”, tha Sveçla.

    “Nuk është hera e parë që sulmojnë, por për shumë grupe kriminale këto akte mbeten dhe të fundit. Sado zell të kenë grupet e tilla për destabilizim dhe kërcënim, zelli dhe vullneti për mbrojtjen e rendit publik nga institucionet tona është i pamatshëm dhe i parezervë”.

    Sveçla tregoi madje edhe në hollësi se kush është Milan Bozhoviqi.

    “Figurë e njohur për institucionet e sigurisë, si kriminel, pjesëtar aktiv i strukturës ilegale“Mbrojtja Civile” dhe grupeve të tjera kriminale. I njëjti po konsiderohet si hero për strukturat e Serbisë që e kanë dirigjuar. Për shkathtësitë e treguara në veprime kriminale ai është edhe ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Milan Radoiçiq”, shkroi Sveçla në Facebook.

    “Përveç djegies së veturave në veri, plagosjes së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, dëmtimit të infrastrukturës sonë kritike, kalimit ilegal të kufirit, rrahjeve të qytetarëve serbë, haraçit dhe zjarrvënies së bizneseve lokale, ai ka marrë pjesë edhe në sulmet ndaj shtëpive dhe pronave të pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe dyshohet për vrasjen e një pjesëtari të EULEX”, shkroi mes tjerash ai.

    Reagimet e ambasadorëve

    Pas djegieve të njëpasnjëshme të veturave me targa RKS që ngjanë vetëm këtë javë në pjesën veriore të vendit, afro tetë sosh, ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i cili u shpreh se është “përgjegjësi” e Qeverisë së Kosovës që të mbrojë qytetarët e saj ndaj këtyre zjarrvënieve kriminale, shkruan Insajderi.

    “Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë të vazhdueshme ka dënuar zjarrvënien kriminale të veturave në veri të Kosovës. Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi të mbrojë qytetarët e saj dhe të sigurojë llogaridhënie për këto akte kriminale”, ka shkruar ambasadori amerikan në rrjetin e tij në Twitter.

    Ndërkaq edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka reaguar për djegien e veturave për çka edhe i është drejtuar Listës Serbe, subjektit politik i cili ka mbështetjen më të madhe në ato zona, të dënojë këto akte. Rohde u shpreh i shqetësuar pikërisht me të kundërtën e kësaj, përkatësisht me mosdënimin e këtyre akteve nga ta.

    “Pse? Është tejet shqetësuese që Lista Serbe nuk ka dënuar sulmet zjarrvënëse mbi veturat e qytetarëve. Të gjithë duhet të jenë të bashkuar në dënimin e këtyre praktikave”, shkroi Rohde.

    Lista Serbe ka bojkotuar zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat mbahen më 23 prill në katër komunat veriore të vendit. Goran Rakiq ka thënë se Lista Serbe nuk do të merr pjesë pa u formuar Asociacioni i Komunave me shumicë serbe si dhe pa u tërhequr njësitet speciale policore nga ato zona.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark