Në muajin shkurt, është prezantuar modeli Toyota GR Supra Performance Line Concept TRD, për të cilin është përkujdesur TRD (Toyota Racing Development), transmeton Koha.net. Po ashtu, ky model me elementet e TRD-së, të cilat i japin një pamje “agresive”, është një shembull për ata që kanë një Supra dhe që dëshirojnë ta modifikojnë.
Tani, edhe zyrtarisht janë në dispozicion për porositje këto elemente të TRD-së. Fjala është për aerodinamikën e bërë nga fibra të karbonit e cila, ndër të tjera, përfshinë mbrojtësin e përparmë shtesë (spoiler), set të ri të pragjeve, mbrojtësin e pasmë shtesë (difuzer) dhe mbrojtësin shtesë (spoiler) në derën e bagazhit.
Gjithashtu, në dispozicion janë edhe rrotat 19-inç nga alumini dhe duhet theksuar se TRD në të ardhmen do të zgjerojë ofertën e saj për Suprën (amortizatorët, sistemin e frenave, sistemin e shkarkimit të gazrave, etj.).
Mbetet të shihet nëse më vonë do të shfaqet edhe ndonjë paketë për përforcimin e motorit të Supras (A90), 3.0-litër, i cili ka gjashtë cilindra dhe kapacitet prej 250 kW/340 kuajfuqi.