×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    ASHAK me rekomandime për arsimin në Kosovë: Gjendja është alarmante

    Insajderi
    15 December 2023 - 18:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Dy javë pas publikimit të testit të PISA-s, ka reaguar Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), e cila ka nxjerrë nëntë rekomandime, për përmirësimin e sistemi arsimor. Në mesin e këtyre pikave, ASHAK kërkon depolitizimin e arsimit dhe trajtimin e mësimdhënësve me dinjitet.

    “ASHAK edhe më herët ka shprehur shqetësimin e saj për gjendjen e rëndë në arsimin e Kosovës në të gjitha nivelet. Para më shumë se dy vjetësh ASHAK hartoi një platformë, me anë të së cilës u përpoq të tërhiqte vëmendjen për gjendjen jo të mirë në arsim, në mësimdhënie dhe në mësimnxënie. Tani, ashtu sikundër pritej, testi i PISA-s nxori në sipërfaqe një vlerësim jo pozitiv për gjendjen e arsimit në Kosovë”, shkruan në fillim komunikata e Akademisë.

    Sipas këtij instuticioni të gjithë kanë qenë të vetëdijshëm se kjo do të ndodhte pasi sipas tyre “situatën në arsim e kemi alarmante”.

    “…Vetëm se ne nuk duam të kuptojmë se, në një mënyrë ose në një tjetër, të gjithë jemi përgjegjës për një gjendje të këtillë: shoqëria dhe shteti; çdo organizëm shoqëror; të gjithë segmentet e tij; vetësistemi arsimor, nxënësit, arsimtarët, prindërit, institucionet vendimmarrës dhe ligjzbatuese”, konsideron ASHAK.

    Lidhur me këtë situatë, Kryesia e ASHAK ka identifikuar masat emergjente që duhet, sipas saj, ndërmarrë në sistemin arsimor të Kosovës.

    “E para, sistemi arsimor i Kosovës duhet të jetë unik dhe i pandarë në nivele të ndryshme të qeverisjes. Shteti me institucionet e tij qendrore duhet të marrin në dorë shkollën me të gjitha segmentet e saj, sepse decentralizimi i keqpërdorur është pararendje për kaos, anarki dhe shthurje. Kjo kërkon një ndryshim substancial në Ligjin për shkollimin parauniversitar.

    E dyta, sistemi shkollor duhet të depolitizohet në tërësinë e tij, sepse politizimi i shkollës është faktori kryesor që ka shkaktuar kaosin në shkollë dhe në të gjitha nivelet e arsimit. Fajtorë për këtë gjendje janë njësoj, si pozita si opozita, sepse opozita e sotme ishte pozitë e djeshme dhe anasjelltas, në një kohë që degradimi i shkollës është një proces që ka zgjatur gjatë gjithë kësaj periudhe.

    E treta, organizimi sindikal i mësuesve dhe arsimtarëve duhet urgjentisht të depolitizohet dhe të mos jetë vendimmarrës në procesin arsimor. Sindikatat dhe këshillat e prindërve nuk mund të marrin vendime që bien ndesh me ligjin.

    E katërta, në asnjë sistem shkollor, në këtë fazë që jemi ne, nuk mund të bëhet aq relativ dhe i parëndësishëm vijimi dhe vlerësimi (nota). Vijimi është përgjegjësi e prindërve në rend të parë, të cilët, me një lehtësi të madhe i privojnë fëmijët e tyre nga shkolla, duke i hequr nga procesi mësimor me orë dhe me ditë të tëra. Më anë tjetër, vlerësimi (nota) duhet të kthehet me krejt peshën e tij në shkollë dhe në sistemin arsimor.

    E pesta, procesi edukativ si segment i rëndësishëm i shkollës duhet të jetë më rigoroz dhe më substancial. Në shkollat tona është futur delikuenca dhe kriminaliteti. Me këtë problematikë duhet të merren të gjitha institucionet e shtetit dhe organet e rendit.

    E gjashta, statusi i mësuesit dhe arsimtarit duhet të ndryshojë urgjentisht. Ata duhet të vlerësohen për punën e tyre, por para së gjithash duhet të aftësohen profesionalisht dhe të rindërtojnë figurën e tyre. Ata duhet t’i nënshtrohen licencimit dhe proceseve të tjera që lidhen me aftësitë e mësimdhënies, performancën dhe meritokracinë. Mësimdhënësit që dëshmojnë aftësi dhe përkushtim, duhet të diferencohen edhe në pikëpamje financiare.

    E shtata, niveli qendror i institucioneve arsimore duhet të shtojnë ekipet e kontrollit dhe të inspektimit nëpër të gjitha shkollat e vendit, për të vlerësuar nivelin e mësimdhënies dhe të mësimnxënies, duke identifikuar përgjegjësit e dështimeve dhe duke i ndëshkuar ata.

    E teta, niveli qendror i institucioneve arsimore, me germë dhe me normë, po ashtu ka detyrimin për të përcjellë nivelin e mësimdhënies dhe të mësimnxënies edhe në të gjitha shkallët e arsimit privat në mbarë territorin e shtetit të Kosovës.

    E nënta, duhet të fillojë urgjentisht digjitalizimi i shkollës, i cili duhet të ndryshojë metodën e mësimit, së pari duke pajisur shkollat me internet dhe secilin mësimdhënës me kompjuter dhe, së dyti, duke i aftësuar ata në krijimin e një sistemi komunikimi shkollë-prindër-nxënës. Faza e dytë e digjitalizimit do të nënkuptonte pajisjen e të gjitha mësonjëtoreve me kompjuter për secilin nxënës”.

    Në fund Akademia e Shkencave thotë se Kosova si shoqëri duet ta kthejë vëmendjen te shkolla dhe arsimi.

    “Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, duke qenë se shumica e anëtarëve të saj kanë qenë të përfshirë për një kohë të gjatë në të gjitha nivelet e arsimit, shpreh gatishmërinë e saj të japë kontribut për tejkalimin e kësaj situate në shkollën tonë kombëtare”, thuhet në fund të reagimit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark