×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Auditori gjen një mori parregullsish në UP

    Insajderi
    22 May 2023 - 12:55

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur disa parregullsi në Universitetin e Prishtinës, bën të ditur raporti i auditimit për vitin 2022.

    ZKA ka evidentuar disa të gjetura, ndër to ajo për vonesën në pagesën e faturave rreth 1 milion euro, mos përdorimi i modulit të e-prokurimit për menaxhimin e kontratave dhe mangësi në menaxhimin e pasurisë.

    Obligimet e papaguara në Universitetin e Prishtinës të prezantuara ne Pasqyrat Vjetore Financiar (PVF) në fund të vitit 2022, ishin 994,392€.

    Këto detyrime janë bartur për t’u paguar në vitin 2023. Ato kanë të bëjnë me kategorinë paga dhe mëditje, investime kapitale dhe mallra dhe shërbime dhe komunali.

    Sipas raportit të ZKA-së, në nëntë raste të pagesave të testuara në vlerë 265,780€, janë vërejtur se faturat nuk ishin paguar brenda afatit të përcaktuar ligjor prej 30 ditësh.

    Vonesat janë prej pesë (5) deri në 91 ditë pas afatit të lejuar për pagesë prej 30 ditësh. Kjo praktikë ishte raportuar edhe në raportet e viteve të kaluara dhe si e tillë, po përsëritet vit pas viti për shkak të dobësive në kontrollet e brendshme sa i përket pagesës së faturave me kohë. Ndikim në tejkalimin e afatit ligjor për pagesën e obligimeve mund ta bëjë UP-në subjekt të padive nga operatorët ekonomik, duke shkaktuar shpenzime shtesë gjyqësore/përmbarimore apo obligime për vitin vijues”, thuhet në raport.

    Auditori rekomandon rektorin se duhet të sigurojë se të gjitha obligimet ose faturat të paguhen brenda afatit prej 30 ditëve pas pranimit të faturave.

    Përveç kësaj, në raportin e ZKA-së thuhet se ka ndodhur edhe mos përdorimi i modulit të e-prokurimit për menaxhimin e kontratave në Universitetin e Prishtinës.

    Gjatë testimit të procedurave të prokurimit kemi vërejtur se UP nuk e përdorë modulin e e-prokurimit për “Menaxhimin e Kontratave dhe Vlerësimin e përformancës së kontraktuesve”. Një ndër kërkesat e rëndësishme të këtij moduli është që menaxheri i kontratës duhet t’i regjistrojë kopjet e të gjitha faturave për punimet, shërbimet apo furnizimet përfshirë letrat e punës që verifikojnë saktësinë e pagesave të kërkuara dhe detajet e pagesave të kryera, të autorizuara nga menaxheri i projektit në sistemin e prokurimit elektronik”, thuhet në raport.

    Sipas auditorit, arsyeja e mos përdorimit të këtyre moduleve është nga mosnjohja e sistemit nga ana e zyrtarëve përgjegjës në mungesë të trajnimeve adekuate.

    ZKA konstaton se mos përdorimi i modulit të e-prokurimit për menaxhimin e kontratave, rezulton me mos pajtueshmëri me autoritetet dhe rrezikon menaxhimin efektiv dhe transparentë të kontratave.

    Auditori rekomandon rektorin: “Duhet të sigurojë trajnimin e zyrtarëve përgjegjës, në mënyrë që të mundëson aplikimin e modulit përkatës së sistemin e e-prokurimit, për një menaxhim efektiv dhe transparent të kontratave”.

    Çështje tjetër si shkelje konsiderohet edhe mangësia në menaxhimin e pasurisë

    UP nuk kishte përdorur softuerin sistemin “e-pasuria” për regjistrimin dhe mirëmbajtjen e pasurive nën 1000€. Në mungesë të përdorimit të sistemit e-pasuria, UP kishte evidentuar dhe zhvlerësuar pasuritë jo kapitale nën 1,000€ në listat e brendshme në formën e exelit dhe të njëjtat i kishte shpalosur në PFV. Komisionet e formuara në njësitë akademike për kryerjen e procesit të inventarizimit, mirëpo nuk kishin përgatitë një raport të përgjithshëm të inventarizimit, por vetëm raporte individuale nga njësitë. Në mungesë të këtij raporti, nuk ishte bërë harmonizimi i gjendjes së inventarizuar me gjendjen në regjistrat e pasurive jokapitale”, vijon raporti.

    Sipas auditorit, kjo situatë ishte shkaktuar si rezultat i mos funksionimit të duhur të kontrolleve në fushën e menaxhimit të pasurive.

    ZKA konstaton në raport se mirëmbajtja manuale e të dhënave dhe mos harmonizimi i gjendjes së pasurisë me regjistrin kontabël rrit mundësinë e gabimeve në mirëmbajtjen e regjistrave, shlyerjeve potenciale, keqpërdorimit, humbjes apo të tjetërsimit tyre.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark