Zyra Kombëtare e Auditimit ka konfirmuar parregullsi në tenderin për renovimin e depos së barnave dhe ndërtimin e aneksit, një projekt për të cilin Gazeta Insajderi kishte raportuar qysh në prill të vitit 2025.
Më 10 prill 2025, Insajderi kishte raportuar për shpërblimin e kompanisë “Termontimi” me kontratën në vlerë prej 1,770,554.42 eurosh, ndonëse bëhej fjalë për ofertën më të shtrenjtë në garë.
Në atë kohë, operatorë ekonomikë kishin ngritur dyshime për favorizim, mungesë transparence dhe kufizim të qasjes në dokumentacionin e tenderit.

Auditori konfirmoi se kontrata ishte dhënë operatorit që kishte ofruar çmimin më të lartë, por kishte fituar pikë shtesë përmes planit dinamik të punimeve dhe garancionit 10-vjeçar.
Megjithatë, auditori ka gjetur se projekti nuk ishte realizuar sipas afateve të parapara.
Sipas raportit, ndonëse kontrata parashihte afat prej 180 ditësh për përfundimin e punimeve, projekti nuk ishte përmbyllur deri në fund të vitit 2025. Madje, deri në atë periudhë ishin realizuar pagesa në vlerë prej 1.78 milion eurosh, ndërsa punimet vazhdonin të mbeteshin të papërfunduara.
“Megjithatë, pavarësisht kalimit të afatit të planifikuar për përfundimin e punimeve, projekti nuk është përmbyllur, duke rezultuar në vonesa të konsiderueshme në zbatimin e kontratës”, thuhet në raportin e auditimit.
Kjo gjetje rrëzon edhe arsyetimin që Ministria e Shëndetësisë kishte dhënë për Insajderin kur mbrojti vendimin për ta shpërblyer me kontratë ofertuesin më të shtrenjtë.
Një nga argumentet kryesore të ministrisë kishte qenë pikërisht afati i realizimit të punimeve. Në përgjigjen dhënë Insajderit,
“Afati për realizimin e punëve është aspekt shumë i rëndësishëm”, duke arsyetuar se objekti duhej të rinovohej sa më shpejt për shkak të kushteve të papërshtatshme ku ruheshin barnat e Listës Esenciale.
Ministria kishte thënë se interesi i saj ishte “që sa më parë të rinovohet ky objekt” dhe se kompania fituese kishte ofruar afatin minimal prej gjashtë muajsh për përfundimin e punimeve, faktor që sipas saj kishte ndikuar në përzgjedhjen e ofertës më të kushtueshme.
Por, sipas gjetjeve të auditorit, kjo nuk u realizua në praktikë.
Përkundrazi, projekti u karakterizua nga vonesa të konsiderueshme, ndërsa auditorët vlerësuan se kërkesat për rishikimin e kushteve kontraktuale dhe zgjatjen e afateve pas nënshkrimit të kontratës cenojnë parimin e barazisë në trajtimin e operatorëve ekonomikë dhe integritetin e procesit të prokurimit.
Si u përzgjodh “Termontimi” për kontratë dhe dyshimet për shkelje të ligjit nga MSH?
Insajderi kishte raportuar gjithashtu se operatorët ekonomikë ankues pretendonin se Ministria e Shëndetësisë nuk kishte ofruar qasje të plotë në dokumentacionin e tenderit dhe se përzgjedhja e kompanisë “Termontimi” kishte dëmtuar buxhetin publik për afro 300 mijë euro, për shkak se kontrata iu dha ofertuesit më të shtrenjtë në garë.
Aty thuhej se në tenderin “Renovimi i objektit te depos se Barnave dhe ndërtimi i ankesit“, janë shkelur disa nene: Qëllimi;Ekonomiciteti dhe Efikasiteti, Ekzaminimi, Vlerësimi dhe Krahasimi i Tenderëve.
MSH në dosjen e tenderit, thuhej se nuk e ka shënuar afatin minimal dhe maksimal se kur duhet të përfundojnë punimet.
Kjo ka ngritur dyshime se u bë qëllimisht për ta favorizuar kompaninë fituese.