Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka dhënë arsyet pse qytetarët duhet ta votojnë programin e kësaj partie.
Hoti është shprehur se LDK, gjithmonë e ka vendosur interesin e shtetit përpara interesave partiake.
“…Sepse e ka programin më të mirë, sepse historikisht (LDK-ja) i ka vendosur interesat e shtetit të Kosovës dhe interesat e qytetarëve, përpara interesave partiake. Nëse i shihni të dy qeveritë paraprake, përpara neve, në mënyrën se si jemi sjellë njëherë në opozitë dhe pastaj në qeverinë paraprake, do ta shihni që njëherë janë interesat shtetërore që i kemi vendosur përpara”, ka thënë Hoti për REL.
Mes tjerash, ai është shprehur optimist se do të dalin të parët në zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Tash, jemi duke punuar që ne të dalim të parët në këto zgjedhje dhe kemi shanse shumë të mira që ne të dalim të parët, e pas saj duhet konsideruar pastaj cilat janë opsionet për të formuar qeverinë e re dhe institucionet e reja”, ka thënë ai.