×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    AVONET: Bllokimi i bartjes së të hyrave vetanake të komunave, shkelje kushtetuese

    Insajderi
    06 April 2023 - 18:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Nismën e Ministrisë së Financave për bllokimin e bartjes se të hyrave vetanake të Komunave të Kosovës nga vitet paraprake, AVONET-i po e konsideron shqetësuese.

    Sipas kësaj organizate, kjo qasje e MF-së “e vazhdon trendin e kësaj qeverie për të krijuar arbitraritet, ashtu siç ka tentuar të bëj me të gjithë sektorët e institucioneve publike përgjatë kësaj qeverisje dy vjeçare”.

    “Kjo paraqet herën e parë që Qeveria e Kosovës tenton që t’i përvetësojë në mënyrë joligjore dhe antikushtetuese këto të hyra vetanake të komunave, të cilat ekskluzivisht u takojnë atyre, me ç’rast kjo Qeveri jo vetëm që po e shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës por po i bllokon edhe qindra e mijëra projekte që janë paraparë të realizohen nga ana e Komunave”, thotë AVONET në një reagim dërguar mediave.

    AVONET potencon se “kjo paraqet shkelje kushtetuese dhe po tentohet që në mënyrë antikushtetuese të përvetësohen këto mjete nga ana e Qeverisë”.

    Organizata në fjalë kërkon nga Ministria e Financave që urgjentisht të tërhiqet nga kjo qasje e saj dhe t’ua kthejë këto të hyra komunave, sepse atyre ju takojnë bazuar në legjislacionin në fuqi.

    AVONET-i i ka bërë thirrje Ministrisë së Financave “që të ndalë këtë shkelje të Kushtetutës sepse përveç që po i bllokon projektet e parapara nga ana e Komunave, po e shkel edhe aktin më të lartë juridik të vendit”.

    “Të hyrat vetanake bazuar në Ligjin për Buxhet, u takojnë komunave dhe kjo qasje e Ministrisë së Financave duhet të kundërshtohet me çdo formë ligjore dhe demokratike”, ka potencuar AVONET.

    Për këtë çështje, është deklaruar sot edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili ka thënë se sipas Nenit 9.6 të Buxhetit që rregullon bartjen e të hyrave vetanake, “ai nen është rezultat i amandamentit nga Grupi Parlamentar i LDK-së”.

    “Andaj nëse Kryetari nga radhët e LDK-së mendon se ky nen qenka problemi, e ftoj që ta dërgojë në Kushtetuese amandamentin e LDK-së”, u shpreh ministri Murati.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark