Eros Klaiqi
Emri i restorantit “Al Piccolo Mondo” nuk është i padëgjuar në Belgjikë.
Ky lokal gastronomie, i vendosur në Rrugën Jourdan të Brukselit, ishte përzgjedhur nga ish-kryeministrja belge, Sophie Wilmès, për të promovuar rihapjen e bareve dhe restoranteve të mbyllura nga pandemia.
Më 8 qershor të këtij viti, ish-shefja e ekzekutivit të Belgjikës hëngri darkë bashkë me bashkëshortin e saj në “Al Piccolo Mondo”.
Tre muaj më vonë, në restorantin e kuzhinës italiane pranë Rrugës Jourdan të Brukselit darkuan zyrtarë të një shteti tjetër. Të një qeverie me buxhet gati 500 herë më vogël sesa ai i Belgjikës. Ishin një delegacion i lartë nga Kosova, të cilët qëndruan katër ditë në Bruksel në fillim të muajit shtator.
Ky delegacion i Kosovës – përmes kartelës së zv/kryeministres Albulena Balaj – paguoi një darkë që vlente 200 euro në “Al Piccolo Mondo”.
Bazuar në faturat e shpenzimeve të zv/kryeministres Balaj-Halimaj, të cilat i ka siguruar Gazeta Insajderi përmes kërkesës për qasje në Dokumente Publike, anëtarët e qeverisë së Kosovës konsumuan salmon, burrata e vin, një recetë nga mishi i pulës që është pjesë e kuzhinës franceze.
Në përgjithësi, gjatë tri ditëve të qëndrimit në kryqendren e Bashkimit Evropian, zëvëndësja e kryeministrit Avdullah Hoti shpenzoi 257 euro për dreka dhe darka zyrtare.
Balaj-Halimaj, harxhoi edhe 408 euro për akomodim në hotelin “Sofitel Europe”. Një natë që përfshinte fjetjen dhe mëngjesin për zëvendëskryeministren e Kosovës, i kushtoi 200 euro buxhetit të shtetit.
Për vizitën në Bruksel, siç tregojnë të dhënat zyrtare që ka siguruar gazeta, zyrtarja më e lartë e Nismës Socialdemokrate në qeveri, mori 328 euro në formë të mëditjeve.
Insajderi raportoi sot se për pesë ditë qëndrimi në Bruksel, kryeministri Avdullah Hoti shpenzoi 567 euro për dreka dhe darka zyrtare, tregojnë faturat e shpenzimeve të kabinetit qeveritar.
Shefi i ekzekutivit qëndroi pesë ditë në një vizitë në Bruksel në fillim të shtatorit të këtij viti, në kuadër të procesit të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Gjatë këtyre ditëve qëndrimi në kryeqendrën e BE-së, Hoti darkoi në restorantin “1040”, një lokal modern gastronomie i vendosur në Sheshin Jourdan të Brukselit.
Dy fatura të veçanta, të cilat Gazeta Insajderi i ka siguruar përmes kërkesës për Qasje në Dokumente Publike, tregojnë se i pari i qeverisë pagoi 567 euro për dy darka në restorantin “1040”.
Ndërkaq, Hoti i shpenzoi mbi tetë mijë euro të tjera gjatë vizitës gjashtë ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në ditët e para të shtatorit.
Sipas raportimit të gazetës, bileta për të shkuar deri në shtetin më të fuqishëm në botë i kushtoi hiç më pak se 2 mijë e 141 euro.
Kryeministri që në Prishtinë thotë se gjatë drekës ha sandviç, për dreka, taksi dhe gjëra të tjera gjatë vizitës zyrtare në Ushashington i shpenzoi 2 mijë e 246 euro.
I pari i ekzekutivit i cili qëndroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga 31 gushti deri më 4 shtator, për akomodim nga buxheti i shtetit harxhoi edhe 3 mijë e 282 euro të tjera. /GazetaInsajderi