Banka e Shqipërisë ka publikuar në faqen e saj një njoftim të përbashkët të autoriteteve mbikëqyrëse europiane lidhur me përdorimin e monedhave virtuale.
Autoriteti Evropian i Titujve dhe i Tregjeve (ESMA), Autoriteti Evropian Bankar (EBA) dhe Autoriteti Evropian i Sigurimeve dhe i Pensioneve prej Punësimit (EIOPA) (në vazhdim referuar si ‘tre Autoritetet’) paralajmërojnë konsumatorët në lidhje me rreziqet e mëdha të blerjes dhe/ose mbajtjes së të ashtuquajturave Monedha Virtuale (MV), thuhet në njoftimin e ripublikuar nga Banka e Shqipërisë.
MV-të që ekzistojnë aktualisht janë përfaqësimi dixhital i një vlere që as nuk është e emetuar dhe as nuk është e garantuar nga një bankë qendrore apo autoritet publik, dhe nuk e kanë statusin ligjor të monedhës apo parasë. Ato janë tejet të rrezikshme, dhe përgjithësisht nuk janë të mbuluara nga aktive të trupëzuara dhe nuk rregullohen nga legjislacioni i BE-së; rrjedhimisht, ato nuk u ofrojnë konsumatorëve mbrojtje ligjore. Te tria Autoritetet shprehin shqetësimin për faktin se një numër gjithmonë e më i madh konsumatorësh po blejnë MV, veçanërisht me pritshmërinë se vlera e MV-ve do të vazhdojë të rritet, pa qenë të vetëdijshëm për rrezikun e lartë se ata mund t’i humbasin paratë që kanë investuar.
MV të tilla si Bitcoin, Ripple, Ether dhe shumë të tjera, së fundmi kanë pësuar shumë luhatje, që do të thotë se çmimet e tyre kanë pasur luhatje domethënëse çdo ditë. Për shembull, vlera e Bitcoin-it u rrit dukshëm në vitin 2017, nga rreth €1,000 që ishte në muajin janar arriti deri në vlerën mbi €16,000 në mes të muajit dhjetor, dhe më pas ra me pothuaj 70% të vlerës, në €5,000 në fillim të muajit shkurt. Së fundmi, ajo ka rikuperuar rreth 40% të vlerës më të ulët që shënoi, dhe aktualisht tregtohet në rreth €7,000. Kapitalizimi total i tregut i 100 MV-ve më të mëdha mendohet se e tejkalon barasvlerën e €330 bilionëve në nivel global sot.
Pse blerja e MV-ve është me rrezik për konsumatorët?
Të tria Autoritetet e lartpërmendura i paralajmërojnë konsumatorët se MV-të mund të jenë jashtëzakonisht me rrezik dhe janë zakonisht tejet spekulative. Nëse blini MV, duhet të jeni të vetëdijshëm se ka një rrezik të madh që të humbisni një shumë të madhe, ose edhe të gjithë shumën, e parave të investuara. Kur blini MV, ose produkte financiare që sjellin ekspozim të drejtpërdrejtë të konsumatorëve ndaj MV-ve, jeni të ekspozuar ndaj një numri të lartë rreziqesh, përfshirë sa më poshtë:
– Luhatshmëri ekstreme dhe i ashtuquajturi rrezik i flluskës
– Pjesa më e madhe e MVve i nënshtrohen luhatjeve ekstreme të çmimit dhe kanë treguar shenja të qarta të një flluske çmimi. Nëse vendosni të blini MV ose produkte financiare me MV, duhet të jeni të vetëdijshëm se mund të humbisni një shumë të madhe, ose të gjithë shumën, e parave të investuara.
– Mungesa e mbrojtjes
– Pavarësisht nga kërkesat e BE-së për parandalimin e pastrimit të parave që do të hyjnë në fuqi për ofruesit e portofoleve dixhitale dhe platformat e këmbimit valutor të MV-ve, këto të fundit mbeten të parregulluara sipas legjislacionit të BE-së. Po ashtu, platformat ku tregtohen MV-të dhe portofolet dixhitale që përdoren për të mbajtur, ruajtur dhe transferuar MV-të janë të parregulluara sipas legjislacionit të BE-së. Kjo do të thotë se nëse blini ose mbani MV, nuk do të përfitoni nga garancitë dhe mbrojtja që lidhet me shërbimet e rregulluara financiare. Për shembull, nëse një platformë për këmbimin e MVve ose një ofrues i një portofoli dixhital dështon, del nga tregu, ose i nënshtrohet një sulmi kibernetik, përvetësimit të fondeve apo sekuestrimit të pasurive si pasojë e veprimeve ligjzbatuese, legjislacioni i BE-së nuk ofron ndonjë mbrojtje ligjore specifike që do të mbulonte humbjet apo ndonjë garanci që do t’ju siguronte rifitimin e aksesit në mbajtjet tuaja në MV. Këto rreziqe janë materializuar në raste të shumta në gjithë botën.
– Mungesa e opsioneve të daljes
– Nëse vendosni të blini MV, rrezikoni të mos jeni në gjendje t’i tregtoni MV-të tuaja apo t’i këmbeni ato në monedha tradicionale, si për shembull euro, për një periudhë të gjatë kohe. Për rrjedhojë, mund të pësoni humbje në këtë proces.
– Mungesa e transparencës së çmimit
– Formimi i çmimit të MV-ve shpesh nuk është transparent. Prandaj, ekziston një rrezik i madh që të mos merrni një çmim të saktë kur blini ose shisni MV.
– Ndërprerje operacionale
– Disa platforma tregtimi të MV-ve kanë pësuar probleme të rënda operacionale, të tilla si ndërprerje të tregtimit. Gjatë këtyre ndërprerjeve, konsumatorët nuk kanë pasur mundësi të blejnë apo të shesin MV në momentin që kanë dëshiruar dhe kanë pësuar humbje për shkak të luhatjeve të çmimeve të MV-ve që konsumatorët kanë mbajtur gjatë periudhës së ndërprerjes.
– Informacion keqorientues
– Informacioni i vendosur në dispozicion të konsumatorëve që dëshirojnë të blejnë MV, nëse ky informacion është dhënë, është në pjesën më të madhe të rasteve i paplotë, i vështirë për t’u kuptuar, nuk paraqet si dhe sa duhet rreziqet e MV-ve dhe mundet, pra, të jetë keqinformues.
– Papërshtatshmëria e MV-ve për pjesën më të madhe të qëllimeve, përfshirë investimet ose planet e pensionit
– Luhatshmëria e madhe e MV-ve, pasiguria për të ardhmen e tyre, mosbesueshmëria e platformave për këmbimin e MV-ve dhe ofruesve të portofoleve dixhitale i bën MV-të të papërshtatshme për shumicën e konsumatorëve, në veçanti për ata që kanë qëllime afatgjata, të tilla si plane kursimi për pension.
Çfarë mund të bëni për t’u mbrojtur?
Nëse vendosni të blini MV ose produkte financiare që sjellin ekspozim të drejtpërdrejt ndaj MVve, duhet të kuptoni plotësisht karakteristikat e tyre dhe rreziqet që ndërmerrni. Nuk duhet të investoni para që nuk mund t’ia lejoni vetes t’i humbisni. Duhet të siguroheni që të merrni masa sigurie të mjaftueshme dhe të përditësuara për pajisjet dhe hardware-t që përdorni për aksesimin e MV-ve tuaja ose për blerjen, ruajtjen dhe transferimin e MV-ve. Gjithashtu, duhet të jeni të vetëdijshëm se blerja e MV-ve prej një firme të rregulluar për shërbime financiare nuk i zbut rreziqet e përmendura më lart.
Informacion mbështetësMV-të janë të formateve të ndryshme. MV-ja e parë ishte Bitcoin që u lançua në vitin 2009. Që prej asaj kohe, kanë dalë MV të tjera si Ripple, Ether ose Litecoin. Pjesa më e madhe e tyre mbështeten te teknologjia e regjistrit të decentralizuar (distributed ledger technology), që njihet me emrin ‘Blockchain’6. Ky njoftim paralajmërues nuk merr qëndrim mbi këtë teknologji dhe as mbi zbatime të tjera të mundshme të tij. /monitor.al