Barcelona raportohet se ka vendosur se kush do të jetë pasardhësi i Xavi Hernandezit, nëse ky i fundit i qëndron prapa vendimit për t’u larguar në fund të sezonit.
Siç dihet, trajneri spanjoll kohë më parë kishte njoftuar se do të largohet pas përfundimit të sezonit aktual.
Siç ndodh me pothuajse çdo vendim te Barcelona aktualisht, edhe zëvendësuesi i Xavit do të varet nga situata financiare.
Sipas “Sport”, Rafael Marquez do të pasojë Xavin nëse nuk do të ketë kthesë për të ardhmen e tij. Këtij të fundit do t’i jepet shansi të dëshmojë veten në dy javët e ardhshme, dhe nëse rezultatet vijnë, atëherë ai mund të mbajë pozicionin e tij nëse dëshiron.
Presidenti i klubit, Joan Laporta, thuhet se është më “i etur” për këtë opsion dhe do të përpiqet ta bindë Xavin për ta bërë këtë.
Nëse Xavi largohet, atëherë trajneri aktual i Barca Atletic, Marquez do të marrë drejtimin. Trajneri meksikan thuhet se është përmendur tashmë brenda zyrave të Barcelonës si “trajneri ynë” privatisht.
Rezultatet pozitive për Barca Atletic – aktualisht e dyta në grupin e tyre në Primera RFEF – njohuritë e tij për akademinë, aftësia për t’u përshtatur me rrethanat dhe marrëdhënia e tij me Decon e Laportan janë përmendur si arsye që ka konsensus brenda klubit për ta zgjedhur si pasardhës të Xavit.
Gjithashtu fakti që Barcelona nuk mund të përballojë të shpenzojë për paga të mëdha për një trajner të ri është një faktor ndikues.
Gjithsesi, mbetet të shihet në verë se kush do të jetë përfundimisht në krye të “Blaugranëve” për sezonin e ardhshëm. /Gazeta Express/