×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Bastisja e madhe në Gjakovë ku u përfshinë hetuesit belgë, për Insajderin flet pronari i biznesit

    Insajderi
    13 November 2023 - 17:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një bastisje e madhe është kryer në qytetin e Gjakovës, të shtunën. Në këtë aksion janë përfshirë edhe hetuesit belgë. Cak i bastisjeve kanë qenë pronat e biznesmenit, Vllaznim Shehu. Shehu së bashku me biznesmenin tjetër, Ramiz Brovinën po dyshohen se me para ilegale, të fituara në Belgjikë kanë krijuar kapital në Kosovë. Pronari i restorantit “N’dri”, Vllaznim Shehu ka shpalosur detaje për Insajderin.

    Ai konfirmoi se bastisjet janë kryer në biznesin dhe shtëpinë e tij, por shtoi se përveç shoqërisë nuk ka asnjë lidhje tjetër me Ramiz Brovinën.

    “Unë shokë e kam (Ramiz Brovinën) kurrfarë lidhje tjetër nuk kam, për nga ana e biznesit, e di që ka restorant atje, tjetër gjë nuk di”, i tha ai Insajderit.

    “Po, unë jam marrë në pyetje nga Policia e Kosovës në ditën e shtunë, më kanë marrë në pyetje, më ka vet a ke bashkëpunu me të, ju thashë çka kam me bashkëpunu. Bastisje kam pasë, për parregullsi. Bastisjet janë kry në lokal (N’dri) edhe në shtëpi”, konfirmoi biznesmeni.

    Shehu i tha Insajderit se ai do t’iu përgjigjet vetëm autoriteteve të Kosovës lidhur me rastin.

    “Unë hiç nuk jam deklaru se mua nuk më intereson hiç çka ka bë ai atje, unë mundem me i dhënë përgjigje policisë së Kosovës, jo policisë belge”, ka thënë Shehu.

    Biznesmeni konfirmoi se i është bastisur edhe biznesi familjar N’dri, i cili në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve figuron si i regjistruar nga 23 qershori i vitit, 2022.

    Në përshkrimi e aktivitetit të tij primar thuhet “restorant dhe aktivitete shërbyese lëvizëse të ushqimit”.

    Çka deklaroi Policia?

    Policia e Kosovës, me 11 nëntor njoftoi se në tri lokacione të ndryshme në Gjakovë janë bërë kontrolla, nën dyshimin se disa shtetas kosovarë kanë krijuar në mënyre të dyshimtë të ardhura në Belgjikë e më pas i kanë investuar në paluajtshmëri në Kosovë.

    Bastisja ishte zhvilluar në orët e pasdites, më saktë rreth orës 19:20.

    “Dyshohet se shtetas të Republikës se Kosovës në bashkëveprim me disa shtetas të Belgjikës gjatë periudhës kohore 2020 -2022 janë marrë me veprimtari penale dhe dyshohet të kenë krijuar të ardhura të mëdha të cilat përmes rrugëve të ndryshme i kane transferuar në Kosovë duke investuar në paluajtshmëri”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Policia ka bërë të ditur se gjatë kontrollit është arritur të sigurohen fatura të shpenzimeve, të cilat të dyshuarit i kanë investuar në Kosovë, e që dyshohet të jenë produkt i veprave penale të kryera nga ana e tyre.

    I gjithë aksioni i hetimeve është bërë në bashkëpunim me një ekip nga Belgjika.

    Njësia e Hetimit të Krimeve Ekonomike, bashkë gjyqtarin dhe tre policë belgë janë duke u marrë me zbardhjen e rastit.

    “Rasti vazhdon të hetohet në bashkëveprim me autoritetet e Belgjikës” thuhej në njoftimin e policisë.

    /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark