Trajneri i Llapit, Tahir Batatina është shprehur i lumtur me kualifikimin në çerekfinale të Kupës së Kosovës, shkruan Insporti.com.
Batatina pas ndeshjes në intervistën për mikrofonin e “Art-Sport” tregoi se Llapi nuk do të ia ketë frikën asnjë kundërshtari, në veçanti pas kësaj paraqitje që bënë sot.
“Po mendoj se gjithmonë ndeshjet e parë janë të vështira, pa marrë para sysh se me cilën skuadër përballesh. Kemi qenë të vëmendshëm, të kujdesshëm në pjesën e dytë që të kualifikohemi tutje. Sa janë të lumtur këta djem po shihen në fushë, këta edhe në fazën përgatitore kanë bërë paraqitje të mira. Temp e lojës ishte shumë e mirë dhe kjo më bënë që edhe në kampionat do të jemi të fortë. Në stadiumin Zahir Pajaziti do të kthehemi dhe do të jemi një skuadër solide. Secila skaudër e madhe që do të jetë përballë neve, nuk do të jetë problem për ne. Ndoshta ndeshjen do ta zhvillojmë si vendës dhe kjo do të jetë një përparësi e madhe. Nuk do të ngutemi në kampionat, nuk do të jetë befasi nëse Llapi e fiton përsëri Kupën, siç kishte bërë Feronikeli, kampionati është i gjatë, do të jemi të qetë, do shkojmë ndeshje pas ndeshje”.
Llapjanët kryen detyrën që në pjesën e parë duke shënuar dy herë përmes Alban Shillovës (’30) dhe Kastriot Selmanit (’39).
Me këtë fitore, Llapi i bashkohet Prishtinës, Ballkanit, Dritës, Gjilanit, Ramiz Sadikut, Onixit dhe Ulpianës në fazën tjetër.
Llapi është fitues i Kupës së Kosovës sezonin e kaluar dhe po synon që ta fitojë për vitin e dytë rresht.